Në kuzhinën kreative të Vlora Ramadanit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Fëmijët bëjnë naze në të ngrënë? Njihuni me 32-vjeçaren nga Kosova, e cila i shndërron pjatat e tyre në telajo dhe u jep jetë personazheve të animuara.

Nga Alessia Selimi

Një pjatë e shijshme kërkon përkushtim, jo vetëm njohuri të gjera në gatim. Vlora Ramadani e di fare mirë këtë, kur luan me përbërësit, sikurse është e vetdijshme se rritja e një fëmije është sfidë e vazhdueshme. Do të thotë të shpenzosh para për lodra,veshje, artikuj shkollorë, festa datëlindjesh, kurse jashtëshkollore dhe për shumëçka tjetër. Lista është e pambarimtë. Të gjitha këto kanë një kosto relativisht të madhe për familjen dhe, mbi të gjitha, jo gjithçka për fëmijën është e domosdoshme. Të rrisësh fëmijë të shendetshëm dhe të lumtur, duke shpenzuar pak para, është diçka që mund të duket thuajse e paarritshme për shumë prindër. Megjithatë, nuk është e pamundur. Këta na e dëshmon Vlora, kjo nënë e re nga Kosova.

Ajo i koncepton pjatat telajo, në pritje të formave dhe ngjyrave, ndërsa vajza e saj e vogël buzëqesh, njihet me miq të rinj të cilët nuk flasin, si dhe ushqehet shëndetshëm. Si rrjedhojë e të qëndruarit me orë të zgjatura në kuzhinë, Vlora ka investuar së fundmi edhe në blogun Reneas Plate, duke e parë këtë të fundit si një urë komunikimi me të gjitha ato nëna që hasin pengesa në ushqyerjen e fëmijëve. Ajo ka mbaruar studimet e larta për Psikologji, por ka vendosur t’i përkushtohet plotësisht së bijës. Kësisoj pjatat e saj gëzojnë një karakter të pazakontë, personazhe të animuara dhe copëza natyre.

Në një intervistë për gazetën “Fjala”, Vlora tregon fillimet e kësaj nisme që, në pamje të parë, duket një lojë, por edhe planet për të ardhmen.

“Çdo herë më sillen në kokë mendime të ndryshme, nëse jam duke e bërë siç duhet punën time si prind. Sfida më e madhe për mua si nënë ka qenë dhe mbetet ushqyerja e vajzës. Renea ka qenë shumë e mbarë, por më vonë filloi të bëjë naze në ushqim. Kështu, u bëra pjesë e disa grupeve të ndryshme nënash, të cilat “takohen” rregullisht në internet, dhe e përvetësova idenë se një mënyrë interesante e servirjes së ushqimit do të funksiononte që vajza të konsumonte ushqimet që unë dëshiroj t’i ofroj, kuptohet, të gjitha ushqimet e shëndetshme”, thotë Vlora.

“Sikundër mund të kuptohet, një pjesë të madhe të kohës e kaloj në kuzhinë, gjithmonë duke provuar ushqime të ndryshme, sepse ndonjëherë ndodh që të më kthehet pjata mbrapsht, pa u prekur thuajse fare. Duke u nisur nga kjo, tentoj në çdo moment t’i bëj sa më shumë kreative, me figura të ndryshme, që edhe vajza të shtyhet drejt tyre”, vijon ajo duke sqaruar se niset kryesisht nga cilësia, jo nga sasia. “Kam zgjedhur ta ushqej vajzën në mënyrë të shëndetshme, duke qëndruar sa më larg ushqimeve të konservuara. Më konkretisht, mundohem që gjatë gjithë ditës vajza të marrë përmes ushqimit të gjitha vitaminat e nevojshme që ndihmojnë në zhvillimin e saj”, thotë Vlora.

Të jesh njëkohësisht nënë dhe amvisë e mirë nuk është aspak e lehtë. Vlora ndan të njëjtin mendim, ndonëse shton se gratë gëzojnë “superfuqi”. “Nuk është aspak e lehtë të jesh nënë dhe amvisë e përkushtuar, por mund të them se prioriteti im është vajza. Mundohem shumë të angazhohem për mirëqenien, rritjen dhe edukimin e saj. Për sa i takon kohës që mbetet, ngelet për shtëpinë.”

32-vjeçarja dëshiron që në një të ardhme jo të largët të ketë një biznes të sajin,  të ndërlidhur gjithmonë me pasionin për të gatuar në mënyrë kreative, si dhe me fëmijët. Megjithatë, Vlorës i pëlqen të qëndrojë me këmbë në tokë. Rrjedhimisht, kur ndalemi te planet, jep një përgjigje të mirëmenduar. “Çdokush ëndërron gjëra të bukura për të ardhmen. Mirëpo, unë nuk preferoj të mendoj shumë për këtë pjesë, sepse e urrej dëshpërimin që pason ëndrrat e parealizuara. Për këtë arsye preferoj t’ia lë çdo gjë kohës.  Megjithatë, nuk e mohoj dëshirën për të pasur një biznes timin, që të lidhet me pasionin aktual”, thotë Vlora e cila nuk e mohon se, përpos gjithçkaje, me të shkuarën e lidh kuzhina e së ëmës.

“Më kujtohet se qejfi më i madh që kisha si fëmijë ishte kur e dija se ime më dhe gjyshja do të rrinin mbi tavolinë duke holluar petët e bakllavasë, dhe se unë do të kisha më tepër kohë të luaja me ndonjë copë brumi aty pranë”, tregon  Vlora, duke shtuar se do të dëshironte shumë që të gjitha nënat e reja të angazhoheshin sëbashku me fëmijët në bërjen e pjatave të shëndetshme, edhe për kujtimet e tyre.

Lexo edhe :  Ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës ‘sfida’ e parë për ligjvënësit

 “Pikë së pari po jetojmë në një kohë kur e kemi shumë të lehtë, kemi burime të shumta të informacioneve të sakta në rrjete sociale rreth ushqyerjes së shëndetshme, prandaj u rekomandoj nënave që të mundohen të përgatisin në shtëpi sa më shumë pjata të shëndetshme për fëmijët e tyre, dhe t’i largohen ushqimeve të përpunuara dhe të konservuara që përmbajnë konservantë, aroma e ngjyrues të ndryshëm, të cilët mund të jenë të dëmshëm për shëndetin e fëmijës. Jo më kot thuhet se ne jemi çfarë hamë”, thotë Vlora.“Përfshirja e të vegjëlve në gatim është gjithashtu një zgjidhje shumë e mirë për të kaluar kohë bashkë, si edhe për t’i mësuar diçka të dobishme.  Por është edhe një mënyrë për t’i afruar ata me botën e gatimit dhe, për pasojë, t’i bëni të dëshirojnë më tepër ushqimet që do të serviren në tavolinë, duke mos i lënë kështu të shkojnë dëm.”

Procesi i edukimit për një ushqyerje të shëndoshë është një proces që zgjat, por tërësisht i mundur. Një familje e ditëve të sotme gëzon një ritëm të shpejtë, orare të ngarkuara dhe kjo e bën të vështirë për të ngrënë në shtëpi. Nuk janë të pakët ata që konsumojnë ushqime të shpejta dhe të blera jashtë. Por duhet ndalur një hop. Këto ushqime mund të kenë efekte negative në shëndetin e fëmijëve dhe, madje, mund të zhvillohen në sëmundje afatgjata. Të pasurit e një diete të shëndetshme është një nga mënyrat më të thjeshta dhe më të rëndësishme për të parandaluar  fillimin e sëmundjeve kronike, si obeziteti, sëmundjet e zemrës, presioni i lartë i gjakut dhe diabeti.

Në një tjetër pjatë nga duart e Vlorës shihet një biçikletë e ndaluar në gjelbërim, ndërkohë që preket nga rrezet e diellit. “Zemra e Reneas është sot plot vitaminë C”, e përshkruan  32-vjeçarja krijimin e saj më të fundit, duke i mëshuar kështu pa fjalë të tepërta rëndësië së një jete të shëndetshme./Fjala.al

Të fundit

5 veshjet më të ngrohta dimërore

Kombinojini me çizme dhe mbështilleni menjëherë nw tw ngrohtw. Asgjë më mirë se një fustan dimëror nuk zgjidh pamjet...

Paga, bonuse dhe argëtim/ Sa dollarë përfiton Donald Trump si president i SHBA?

Paga e Presidentit të SHBA-së nuk është rritur për më shumë se 20 vite. Ky tregues nënkupton që Donald Trump si president do të...

Rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore, si paraqitet situata në rrugë

Mbrëmjen e djeshme, janë rikthyer reshjet e dëborës në zonat malore në qarkun e Shkodrës. Në akset Lepushë-Vermosh dhe Bogë-Theth, gjatë natës ka patur reshje...

U zhduk në mënyrë të mistershme, gjendet i mbytur në Lumin e Shalës babai i tre fëmijëve

Edison Oruqi, është gjetur i mbytur në ujërat e lumit të Shalës, në Koman. Kanë qenë familjarët të cilët kanë kryer kontrolle gjatë paradites...

40% e fermave të kafshëve në Shqipëri përdorin antibiotikë, ja si ndikon tek njeriu

Rreth 40 për qind e fermerëve shqiptarë, raportuan se përdornin antimikrobikë në kafshët e tyre sipas një vrojtimi në 525 ferma të prodhimit blegtoral,...

Lajme të tjera

Web TV