Çelja e negociatave me Bashkimin Evropian i ka bërë bashkë krerët e institucioneve kryesore në vend, pavarësisht divergjencave mes tyre.
Këshilli Kombëtar për Integrimin miratoi dje një paketë me 15 detyra që duhen kryer deri në fund të vitit. Kërkohet ngritja e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosë për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019, ku opozita nuk mori pjesë.
Nga Blerina Gjoka
Marrëveshja politike për reformën zgjedhore është vetëm A-ja e kushteve që vendi ynë duhet të plotësojë për të çelur negociatat me Bashkimin Evropian. Në pritje të vendimmarrjes së madhe në Bruksel, shtetarët shqiptarë kanë krijuar agjendën e tyre të punës për plotësimin e këtyre kushteve të vendosura muaj më parë nga Budenstagu gjerman, e të miratuara edhe nga Brukseli.
Në listën me 15 pika është dhe vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019, që kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me anëtarët e rinj, që të vihet në funksion. Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi u takuan dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për integrimin, duke shfaqur angazhimin për këtë proces, pavarësisht divergjencave të forta që kanë marrëdhëniet mes presidentit dhe kryeministrit.
Këshilli drejtohej nga përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, krerë të institucioneve të tjera, si dhe kryenegociatori shqiptar me BE-në, Zef Mazi. Mosprania e opozitës u ngrit si shqetësim dhe nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili tha se në këtë tryezë të këshillit duhet të ishte edhe opozita, pasi është alternativa qeverisëse.
Plani i integrimit
“Plani i integrimit”, i miratuar dje në Këshillin Kombëtar, duhet të përmbushet deri në Konferencën e Parë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave me BE-në, e cila pritet të thirret në gjysmën e dytë të vitit 2020, nga Gjermania, që do të marrë presidencën e radhës të BE-së.
Ky plan nis me miratimin e reformës zgjedhore, plotësimin me anëtarë të dy gjykatave më të larta në vend, ngritjen e strukturave të SPAK-ut, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, uljen e azilkërkuesve, vijimin e reformës në drejtësi, reformën në administratën publike etj.
Po ashtu, kërkohet nga qeverisja dhe zbatimi i një “Track Records” për punën e drejtësisë, që ka të bëjë me inicimin dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
Ajo që pritet të ndryshojë balancat e politikës në vend është dhe vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale nga Gjykata Kushtetuese, pasi këto u zhvilluan pa praninë e opozitës, dhe kur presidenti i kishte anuluar ato me dekret.
Po ashtu, qeverisë i kërkohet të rishikojë ligjin antishpifje, një ligj që shkaktoi shumë kritika dhe debate për kapjen e medias nga qeveria.
Rreziku i ngecjes së procesit
Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të marrëdhënies me Bashkimin Evropian, pas vitesh të gjata pritjeje për ecurinë e procesit të integrimit. Mosplotësimi i këtyre kushteve të reja do të rrezikonte të na ndante nga Maqedonia e Veriut dhe të mbeteshim pas, kur ndodhemi në të njëjtën stad marrëdhëniesh me BE-në.
Presidenti Meta dhe kryeparlamentari Ruçi i kujtuan kryeministrit Rama se është detyra e qeverisë së drejtuar prej tij që t’i plotësojë këto kushte sa më shpejt. “Inkurajoj që në Planveprimin e hartuar nga qeveria të reflektohen kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, të zbërthehen një për një të gjitha kushtet e vendosura, si dhe të përcaktohen qartë aktorët përgjegjës, termat konkretë e të matshëm të veprimit dhe kostot financiare për çdo zë.” – u shpreh kreu i shtetit.
Meta bëri apel që të mos rrezikojmë të kthehemi pas në këtë proces, nëse nuk zbatohen rekomandimet. “Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Evropian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë, do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme.
Kjo do të ishte fatale për ne, dhe unë jam i bindur që nuk ka përse të ndodhë, ndërkohë që nuk duhet të harrojmë që 20 vite më parë, kur u përfshimë në procesin e Stabilizim-Asocimit, ishim në një korsi me Kroacinë, dhe shumë më përpara Malit të Zi ose Serbisë. Ndaj, besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve,” – theksoi ai.
Ndërsa kryeparlamentari Ruçi tha se zhvillimi i negociatave i përket kryesisht qeverisë, por edhe Parlamenti do ta mbështesë këtë proces “nëpërmjet ushtrimit efektiv të funksionit mbikëqyrës dhe sigurimit të konsensusit të gjerë politik”. Nga opozita jashtëparlamentare, e cila nuk ishte pjesë e Këshillit Kombëtar për Integrimin, reagoi Genc Pollo, duke akuzuar kreun e qeverisë se po hesht për kushtet e BE-së.
“Edi Rama foli për të gjitha, por jo për kryeçështjen; nuk i zuri me gojë 15 kushtet të cilat fillimisht Bundestagu e pastaj Këshilli Evropian i vendosën qeverisë, në mënyrë që Shqipëria të mundet të fillojë negociatat e anëtarësimit. Dy syresh janë reforma zgjedhore dhe zbatimi korrekt i saj; dy të tjera janë anulimi i ligjeve antifjalë dhe dënimi i votëblerësve.” – tha ai.
REKOMANDIMET:
- Miratimi i reformës zgjedhore
- Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese
- Funksionimi i Gjykatës së Lartë
- Finalizimi i ngritjes së strukturave kundër krimit të organizuar dhe antikorrupsionit/Funksionimi i SPAK-ut
- Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Planveprimit për adresimin e krimit financiar
- Ulje e numrit të azilkërkuesve, ku një nga masat është bashkëpunimi me Holandën, Francën, BM, Gjermaninë, Italinë, Irlandën. Vazhdimi i zbatimit të Planit Ndërinstitucional të Veprimit për parandalimin e azilkërkimit të qytetarëve shqiptarë në vendet e Schengen-it
- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecies
- Vazhdimi i Reformës në Drejtësi
- Track Records-Inicimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve
- Progres në reformën e administratës publike
- Zbatimi i reformës zgjedhore ku përfshihen, financimi transparent i partive, administrimi i paanshëm i procesit dhe procesi i rregullt
- Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019, që kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
- Miratimi i akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare ku janë disa VKM.
- Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit
- Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave
Rama: Hera e fundit që marrëveshjet firmosen nëpër ambasada
Kryeministri Edi Rama është shfaqur kritik për mënyrën se si u arrit marrëveshja e fundit politike për reformën zgjedhore. Ai tha se politika duhet t’i zgjidhë vetë problemet e saj dhe kjo duhet të jetë hera e fundit që marrëveshjet firmosen në ambasadat e huaja në Tiranë.
“Jemi mbledhur në një ambasadë të gjithë përfaqësuesit e forcave më të mëdha politike të vendit, mbyllur atje. Me ditë me net, për t’i lënë gjërat siç janë. Për t’u marrë vesh më në fund që ‘nuk do të bëjmë atë që duhet të bënim, por t’i lëmë gjërat siç janë’.
Por, kur sheh këtë përfundim njeriu mendon natyrshëm se a nuk do të ishte më mirë që ta bënim vetë këtë?! Nuk do të ishte mirë që të mos kërkonim strehë në një ambasadë mike. Pse komunikimi mes nesh, të kalonte në disa gjuhë?! Mendoj se kjo do të jetë e fundit.” – tha ai.
Rama-Meta /Paqe e re apo luftë bërrylash?!
Në politikë asnjë fjalë, asnjë gjest dhe asnjë takim nuk ndodh rastësisht, por fsheh një mesazh politik. Kësisoj një foto ku shfaqet presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, të buzëqeshur duke tokur bërrylat, sipas mënyrë së re të përshëndetjes së imponuar nga COVID-19, dha dje një ushqim të mjaftueshëm për mediat dhe publikun, duke ngritur pikëpyetjen: çfarë po ndodh me dy kundërshtarët e fortë politikë?
A po farkëtohet mes tyre një paqe e re, apo vijon “lufta e bërrylave”, siç e përshkroi vetë Rama këtë foto, e cila ofronte më shumë paqe sesa luftë? Ajo që dihet është se këto dy personazhe të vjetra të politikës shqiptare kanë ditur të bëhen bashkë kur kanë pasur interesa të përbashkët dhe janë kthyer në armiq të përbetuar kur këta interesa nuk janë përputhur.
Ky takim i përzemërt vjen pas një lufte të gjatë politike që kulmoi me një protestë të madhe në bulevard, organizuar nga kreu i shtetit. Pastaj krejt papritur urrejtja u shua gjatë izolimit për shkak të epidemisë, kur Meta firmosi ndryshimet në Kodin Penal, të inicuara nga qeveria, ndërsa pas kuintave po diskutohej mes tyre një platformë ndryshimesh në draftin e reformës në drejtësi, gjë që nuk u realizua, pas kundërshtimit të ambasadës amerikane.
Me të drejtë lind pyetja nëse po farkëtohet ndonjë marrëveshje të re mes tyre, në një moment kur po presim zgjedhjet e reja parlamentare dhe partia e themeluar nga Ilir Meta, e cila ka qeverisur 4 vite me Ramën, ndodhet tashmë në kampin opozitar. Protagonistët e fotos së djeshme i mohuan këta zëra ose hamendësime për momentin.
Kreu i shtetit e lidhi këtë takim vetëm me angazhimin e tij ndaj çështjes së integrimit evropian. “Për çështjen e integrimit, po flisnim. Për këtë çështje jam dhe do të mbetem i disponueshëm, për t’iu përgjigjur çdo ftese dhe angazhimi. Kam bërë çdo gjë që Shqipëria të mos humbasë kohë.
Duhet të tregojmë besueshmëri, të rikthejmë shpresën te qytetarët tanë. Të fitojmë energji të reja”, tha Meta. Ndërsa kryeministri Rama tha pas takimit me Metën se “nuk është sekret që me presidentin e Republikës ka çështje të hapura.
Mund të takohemi dhe mund të takoheshim te presidenti, te Kryeministria, te kryetari i Kuvendit, te baba Mondi, te kreu i Myslimanëve”, tha Rama duke komentuar arritjen e marrëveshjes politike për reformën zgjedhore në ambasadën amerikane.
l.m/Fjala.al