Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se me kodin aktual zgjedhor nuk mund të shkohet në zgjedhje pasi ka nevojë për përmirësim, ku kryesorja është ndërhyrja në instancën e ankimimit.
Pas mbledhjes me përfaqësuesit e opozitës parlamentare, kreu i qeverisë deklaroi se marrëveshja e arritur para pak ditësh nuk është ajo që do donte PS, por u pranua se sipas tij “topi” shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej.
“Me këtë kod ne nuk shkojmë në zgjedhje, pasi ka nevojë për disa ndërhyrje, pasi ka nevojë për kryesorja është të ndërhyjmë në kod minimumi për të garantuar instancën e ankimimit. Për këtë arsye duhet të kemi edhe konsensusin e opozitës parlamentare. Ne kemi dakordësuar një marrëveshje. Nuk është marrëveshja që unë dhe PS do të donte, por duke qenë se synimi kryesor i asaj tryeze ishte gjithëpërfshirja dhe hapja e një rruge dialogu dhe krijimi i garancive për opozitën parlamentare, e cila ka një psikozë që është e pangushëllueshme për zgjedhjet, atëherë ne pranuam, pasi topi shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej, ti themi ta bëjë si të dojë” tha Rama.
Lidhur me aplikimin e një sistemi zgjedhor me lista të hapura, Rama deklaroi se mendon se nuk ka ndonjë efekt çudibërës dhe se çdo sistem është demokratik.
“Ka një opinion të gjerë që mendon se hapja e listave ka një efekt çudibërës në procesin demokratik. Unë nuk e besoj këtë, sepse mendoj se çdo sistem është demokratik, dhe asnjë prej tyre nuk është më pak demokratik se tjetri, secili vend bën zgjedhjen e vet. Përfytyroni këta njerëz që janë sot në parlament, që vijnë nga PD, dhe nëse lista do të ishte e hapur zgjedhja do të ishte mes atyre që janë këtu dhe atyre që ikën nga këtu. Kjo do të ishte adresa e votës. Unë e kam thënë që kjo reformë duhej bërë më parë, duhej bërë me dy shkallë”, theksoi kryeministri./En.Br./Fjala.al