Shtimi i rasteve të reja me Covid-19/ Manastirliu: Lufta s’ka përfunduar

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar këtë të enjte një takim me drejtuesit e shërbimeve mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të diskutuar rreth situatës të krijuar në vend nga koronavirusi, Covid-19.

Ministria u shpreh se edhe gjatë kësaj periudhe shërbimi nuk i ka munguar asnjë qytetari. Manastirliu u shpreh edhe një herë tjetër se lufta ndaj Covid-19 nuk ka përfunduar dhe se kjo është një fazë delikate dhe e rëndësishme për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Më tej ministria porosit shefat e shërbimit në QSUT se duhet të tregohen vigjilentë dhe gjithashtu apeloi qytetarët që të tregohen të kujdesshëm duke zbatuar rregullat e vendosura për të mbrojtur veten dhe të afërmit.

“Shërbimi nuk i ka munguar dhe nuk do t’i mungojë asnjë qytetari në nevojë për kujdes mjekësor.

Ndërkohë, lufta me Covid-19 nuk ka përfunduar, po kalojmë një fazë tejet delikate dhe të rëndësishme në përpjekjen tonë të përbashkët për të frenuar përhapjen e virusit. Në këtë fazë, zbatimi rigoroz i protokolleve dhe mjeteve të mbrojtjes personale në dispozicion për çdo punonjës të sistemit shëndetësor, si dhe vigjilenca në të gjitha nivelet e shërbimit, kanë rëndësi jetike.

Ashtu siç kemi bërë që nga dita e parë e kësaj epidemie të vijojmë të mbrojmë veten, të afërmit tanë dhe ata që na shërbejnë pa u lodhur në sistemin tonë shëndetësor. Po kaq rëndësi ka edhe mirëkuptimi i familjarëve të pacientëve, për të zbatuar rregulloren e hyrje-daljeve në spital. Nuk do të lodhem së përsërituri lutjen për çdo qytetar: Të zbatojmë rregullat e distancimit fizik dhe higjienën personale”, apeloi ministrja Manastirliu.

Re.Gu/fjala.al