Nga Bahri Bivolaku
Ata që i duan të mirën vendit, triumfojnë mbi frikën e vet, në mënyrë që Kosova të mos mbetet peng i problemit. Kosova mbetet peng i problemit, nëse politikanë të tillë nuk e kapërcejnë këtë frikë personale dhe këtë qasje politike, nëse nuk ndalojnë së instaluari këtë mentalitet refuzues rreth proceseve dhe pozicionit të Kosovës!
Shteti i veçantë apo e veçanta e shtetit të cilin nuk e kupton brezi revolucionar i të menduarit! Frikacaku ka frikë nga hija e tij. Kështu thotë një fjalë e urtë popullore, e cila mendoj se më së miri i adresohet një grupi politikanësh apo opinionistësh të cilët sot po mundohen të faktorizojnë veten me një kauzë politike të nxjerrë nga një shqetësim në opinion, duke ndjellë frikën se do të ndodhë kështu e ashtu, dhe nga bisedimet do të vihet në proces asocioni plus apo shkëmbimi.
Mendime të tilla, gjithsesi sugjestive, kanë për bazë konceptin mbi mendimin politik, jo pozitiv, të bazuar në elementin e frikës. Frika bazohet në fajësi dhe unë nuk e kam të qartë se cili është faji i Kosovës për të pasur frikë që këto çështje të kenë qëndrime racionale. Pse gjithë kjo zhurmë, pse gjithë kjo frikë, pse gjithë kjo thirrje për linçime politike dhe nga kush se?
Nga ata që deri dje rrinin me një këmbë, të gatshëm për gjëra të tilla dhe, madje, këtë model politikanësh gjithë kohën i shihje pranë ambasadave, ndërkaq një aktivitet të këtillë e kishin shndërruar në profesion. Të tillëve, siç duket , ky profesion më nuk u ecën , dhe tani kan marrë rolin t’i këshillojnë drejtuesit e rinj të një koncepti të vjetër në politikë.
Po i këshillojnë për arratinë politike të Kosovës karshi botës e miqve të saj, dhe sugjerojnë politikën e folklorit refuzues të përcjellë me polarizime e demonizime. Ky këshillim a qëndrim politik nuk i shtyn proceset përpara, por i ngulfatë proceset me mjete nga më vulgaret.
Ata që i duan të mirën vendit, triumfojnë mbi frikën e vet, në mënyrë që Kosova të mos mbetet peng i problemit. Kosova mbetet peng i problemit, nëse politikanë të tillë nuk e kapërcejnë këtë frikë personale dhe këtë qasje politike, nëse nuk ndalojnë së instaluari këtë mentalitet refuzues rreth proceseve dhe pozicionit të Kosovës!
Shteti i veçantë apo e veçanta e shtetit, të cilin nuk e kupton brezi revolucionar i të menduarit! Përvjetori i 12 qershorit, ditës së çlirimit të Kosovës të gjithëve na ndal për një çast nga dinamika e jetës, na kthen në një të kaluar e cila ndërlidhet me të tashmen e që duhet të paraqitet po në këtë formë edhe më të ardhmen e këtij vendi.
Duke e kujtuar këtë histori, m’u kujtua edhe një anekdotë e lexuar kaherë: “Një natë Nastradini, ndërsa flinte, shtyu me nxitim të shoqen dhe thirri, aman o grua, shpejt më jep syzet. Për çka i do në këtë orë o lum? – ia pret gruaja. Po e shoh një ëndërr të mirë, mirëpo janë disa gjëra që nuk i dalloj mirë, prandaj i dua syzet, që ëndrrën ta shikoj siç është.”
Anekdota tregon thelbin e politikës dalluese në Kosovë, pasi disa aktorë të saj veprimin politik e nxjerrin nëpërmjet kujtesës dhe parashikimit, siç do të dëshironin, duke harruar realen e mënyrës së veçantë të bërjes së shtetit të Kosovës.
Ky fokusim të bën ta humbasësh të sotmen. Por harrojnë se petku për Kosovën qepej më herët, qepej te numri i pamjaftueshëm i ushtarëve të lirisë dhe hyzmeti i saktë që i bëmë si popull. Petku sot për Kosovën është i veçantë, kolorit, pasi ky ishte hyzmeti ynë gjatë bisedimeve të Vjenës, i pasqyruar në dokumentin e ish-presidentit Ahtisari.
Shikuar historikisht Kosova në vitet e fundit të Perandorisë Osmane ishte njësi e veçantë administrative dhe se ky fakt përkundër përpjekjeve nuk ishte i mjaftueshëm për të arritur dhe bërë shtet ashtu siç bënë të tjerët. Vitet më pas njihen si vite ku jetonte një popull i shtypur në një territor të kontestuar.
Në këtë gjendje Kosovën e gjeti edhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e që ish-Jugosllavia ia bashkoi territorit të vet. Vite më vonë, hegjemonizmi serb në tendencë për krijimin e Serbisë së Madhe, solli shpërbërjen e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi. Shqiptarët në Kosovë e shihnin si mundësi për të ecur drejt realizimit të ëndrrës së tyre.
Kriza e kësaj krijese për herë të parë u shfaq në demonstratat e vitit 1981 dhe në reagimin serb karshi kërkesave të shqiptarëve. Orientimi properëndimor i rezistencës civile dhe ushtarake në Kosovë krijoi kushte për shtetin e Kosovës. Kriza e Kosovës u rishfaq në vitet 1988-1989, kur dhe u shfuqizua statusi juridik i saj nga hegjemonizmi serb.
Shqiptarët në këtë kohë fuqishëm u përcaktuan në orientimin perëndimor për liri, demokraci dhe shtet të pavarur. Në aspektin e gjeopolitikës kishte lëvizje pozitive në realizimin të këtij synimi.
Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shfaqja e Amerikës si superfuqi e vetme botërore, ishin rast i mirë në realizimin e aspiratave të shqiptarëve. Synimi i diplomacisë amerikane, për mbështetje të popujve që jetojnë në institucione të lira dhe demokratike përputheshin me kërkesat e shqiptarëve në Kosovë.
Më parë kemi parasysh vitet e dështimit të politikës parandaluese të konflikteve nga diplomacia evropiane dhe amerikane në Ballkan përgjithësisht, e në Kosovë veçanërisht, karshi synimit të qartë të hegjemonizmit serb.
Në këto vite, Serbia për t’i arritur objektivat e saj përdori aparteidin dhe gjenocidin ndaj popullit në Kosovë, gjë që rezultoi me luftën e armatosur. Drejtuesit e luftës nga shqiptarët arritën qartë ta drejtonin këtë rezistencë në vlerat properëndimore.
Tendenca e Serbisë që në Kosovë të bëjë spastrim etnik solli ndërhyrjen humanitare ndërkombëtare nga NATO dhe përzënien e trupave militare të Serbisë nga Kosova. Më 9 qershor të vitit 1999 u arrit marrëveshja ushtarako-teknike mes NATO-s dhe Serbisë për largimin e të gjitha forcave serbe.
Kjo luftë mori fund pas 78 ditë bombardimi. Një ditë më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244, që precizonte shumë kufizime për statusin e ardhshëm juridik të Kosovës. Kapitulli i veçantë në rrugëtimin e shtetit të Kosovës shënohet me llimin e administrimit ndërkombëtar nga OKB-ja e më pas procesi i pavarësisë së mbikëqyrur dhe pavarësia e Kosovës si projekt i realizuar i politikës vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë ditë kujtojmë kontribuesit e saj.
Orientimi properëndimor i rezistencës civile në Kosovë shënon një kthesë historike për të arritur mbështetjen e duhur politike nga drejtuesit e saj, dhe ky fakt konsiderohet të jetë kontribues në krijimin e shtetit të Kosovës.
I tillë ishte edhe përkushtimi i rezistencës së armatosur, andaj lufta, dëshmorët e saj dhe martirët konsiderohen kontribuesit kryesorë të lirisë. Rol të veçantë të arritjes së mbështetjes në kërkesat politike të shqiptarëve të Kosovës pati shteti i shqiptarëve e pastaj edhe mërgata e jonë. Në këtë përvjetor të pavarësisë s’ka se si të mos e kujtojmë kontributin e kongresmenëve amerikanë, si Tom Lantos, Bob Dole, Eliot Engel, Joe Biden, John MeCain pastaj John Kerry, William Walker etj.
Kujtojmë diplomatin amerikan Holbrook e veçanërisht sekretaren Albright dhe rolin aktiv të saj në konferencën për Kosovën në Rambuillet. Kujtojmë politikanin e rryem që konsiderohet se e rrumbullakësoi tërë këtë proces – Marti Ahtisarin.
Kosova duke kaluar nëpër këto procese të shtetësisë së saj, të cilat mund të tejkalohen me politikë aktive vendore dhe në bashkëpunim me ata që ndihmuan në krijimin e këtij shteti.
Mesazhi politik për aktualitetin Të mençurit thonë se e sotmja është kujtimi i së djeshmes, e nesërmja ëndrra e të sotme, mbase politika jonë, qëndrimet duhet t’i artikulojë për të pasnesërmen. Kosovën e pret një rrugë e gjatë, e vendosur dhe me vizion për ta pasur petkun e vet e që do t’i bije tamam.
Ky përvjetor mbase duhet të na shërbejë për këndellje dhe qartësi në rrugën për të pasnesërmen. Kapërcimi me sukses i të tashmes politike dhe qartësimi i qëllimit të madh për të ardhmen e vendit është fusha politike për partitë në Kosovë.
Në Kosovë por edhe në shumicën e vendeve të botës ka kohë që miti, idealja, ia ka dorëzuar armët arsyes, andaj politika e cila kërkon të vërtetën e fundit, duke e braktisur jetën e përcaktuar nga detyrimet e saj në këtë universalitet është vështirë të realizohet. Kultura e debatit duhet ndryshuar nga shikimi vetëm bardh e zi i gjërave.
l.m/Fjala.al