Diskutimet për reformën zgjedhur duket se kanë ngecur sërish. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik palët kanë debatuar mbi formulën e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku në fund nuk kanë gjetur një konsesus mbi mënyrën sesi do të zgjidhen anëtarët e organeve të saj.
Përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi pas përfundimit të mbledhjes deklaroi për mediat se opozita ka propozuar një formulë të emërimit të anëtarëve të tre trupave të KQZ nëpërmjet një formule që sot është në Kushtetutë, por sipas tij kjo nuk u pranua nga maxhoranca sepse kërkon kapjen e KQZ-së.
“Këshilli politik sot diskutoi për një nga çështjet më të rëndësishme që përmban dakordësia e 5 qershorit për administrimin e zgjedhjeve që është KQZ. Ne i qëndrojmë pikë për pikë këtij dokumenti dakordësie në lidhje me identifikimin biometrik, ruajtjen e administratës zgjedhore nga politizimi dhe dakordësinë për KQZ për një formulë të re që do të vërë bazat jo vetëm për një KQZ efikase. Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të emërimit të anëtarëve të tre trupave të KQZ nëpërmjet një formule të mirëpranuar dhe të kolauduar që sot është në Kushtetutë, formula për zgjedhjen e organeve të sistemit të drejtësisë. Një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur dhe jo politik të kandidaturave për të ushtruar detyrën në KQZ. Është një formulë që u kundërshtua nga maxhoranca socialiste pa asnjë arsyetim. Nuk i intereson për një arsye shumë të thjeshtë sepse i intereson kapja e plotë e KQZ në të tre organet. Dakordësia e datës 3 qershor konfirmohet por nga ana tjetër ai që është qëllimi jo vetëm i dakordësisë është që garancitë ekzistuese në kodin zgjedhor për opozitën karshi një maxhorance që shkatërron zgjedhjet do të qëndrojnë dhe rriten por nuk shkojnë më pak. Maxhoranca do vendime të njëanshme politike dhe kërkon kapjen e organeve. Është një propozim që garanton një proces përzgjedhjeje neutral. Jemi në pritje që këtij qëndrimi konstruktiv të opozitës maxhoranca t’i përgjigjet me të njëjtin qëndrim. garancitë në Kodin zgjedhor nuk mund të zhbëhen”, deklaroi Bylykbashi./En.Br./Fjala.al