Spartak Ngjela posaçërisht për “Fjala”: Vonesa për ardhjen e BKH-së në funksion është e justifikuar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Spartak Ngjela

Nuk ka qenë një punë e lehtë dhe detyrë pa përgjegjësi emërimi i personave profesionistë që duhet të plotësojnë numrin e institucioneve të SPAK-ut.

SPAK do të thotë: “Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo strukturë përbëhet nga tri institucione të specializuara, veçanërisht: Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Që të organizoheshin me emërimet përkatëse të tria këto institucione duhej bërë një përzgjedhje e veçantë antikorrupsion për secilin, dhe për faktin që anëtarësimi i Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme do të vinte nga pushteti gjyqësor, për secilin kandidat, duhej të përfundonte më përpara vetingu.

Në funksion të kësaj procedure, kuptohet se vonimi i strukturimit normal dhe përfundimtar të SPAK-ut ka ardhur si pasojë e procesit të vetingut, i cili kryhet nga ndërkombëtarët, hetohet prej tyre dhe kontrollohet po prej tyre në KPK-të përkatëse. Nga faktet rezulton se vonesa ka ardhur për arsye se deri tani 60 % e trupës që përfaqëson pushtetin gjyqësor ka dalë e korruptuar.

Megjithatë, duhet të theksojmë se, aktualisht, SPAK-u me Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën e Posaçme është strukturuar, por veprimtarinë normale të tyre e pengoi karantina dymujore, e cila nuk lejoi të përfundonte procesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në këto momente gjithçka po shkon drejt vënies në funksionim, sipas ligjit përkatës, të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Byroja Kombëtare e Hetimit është institucioni thelbësor i SPAK-ut, në funksion të hetimit.

Duhet të kuptohemi: pa hetim profesional dhe të pavarur dhe jo të korruptuar, nuk mund të ketë goditje reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo ishte arsyeja që ekspertiza e lartë ndërkombëtare e pa si domodoshmëri krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, sepse, në Shqipëri hetimi kishte rënë në kthetrat e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë shtetëror.

Në këto momente po pritet organizimi real i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe para dy ditësh dolën dhe katër kandidaturat për zgjedhjen e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Duhet të kuptojmë se drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, sipas ligjit, përkatës është: “përgjegjës për funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit” – domethënë, emërimi i tij ka qenë një domosdoshmëri.

Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kanë kompetencë të plotë dhe të barabartë kundrejt hetimit, gjë e cila, duke qenë risi në konceptin juridik të hetimit, krijon garancinë e kontrollit për këtë institucion, që ka rëndësi të veçantë në respektimin e forcës së ligjit. Në funksion të kësaj, duhet të shpjegojmë se: i gjithë korrupsioni shtetëror dhe krimi i organizuar në Shqipëri kanë lulëzuar, sepse ka munguar forca e ligjit.

Strukturimi specifik i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe i Prokurorisë së Posaçme do të na krijojë mundësinë reale që, edhe në Shqipëri të funksionojë forca e ligjit; sepse vetëm nga një hetim profesional, i pavarur dhe i drejtë mund të kemi luftë reale kundër krimit. E gjithë kjo vjen dhe kurorëzohet pastaj me një vendim të kontrolluar profesionalisht të Gjykatës së Posaçme, e cila ndërkohë është e ngritur realisht.

Ndërkohë, ne kemi katër kandidatura për drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të katërta këto kanë dalë nga emërimi që ka bërë komisioni përkatës, i përbërë nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorët e Posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokurorë.

Kandidatët që do të konkurrojnë për drejtor të Byrosë, sipas ligjit përkatës, duhet të përmbushin kushtet e sigurisë që parashikon ligji material për BKH-në; dhe janë dy kushte të bashkëngjitur për drejtorin e ri: ai duhet të përmbushë kushtet e sigurisë dhe kushtet e aftësisë profesionale.

Lexo edhe :  Shqipëria vend pritës/ Liderët e BE-së hartojnë politikat e sigurisë dhe ekonomisë

Kjo është arsyeja që vetëm pas daljes së drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit fillon funksionimi insitucional i Byrosë, sepse ligji material për BKH-në kërkon që: drejtori, me pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme zgjedh zëvendësdrejtorin e BKH-së dhe pas kësaj, drejtori fillon të caktojë hetuesit për të drejtuar sektorët, që përbëjnë Byronë Kombëtare të Hetimit (neni 33 i ligjit).

Por, pikërisht këtu duhet të theksojmë se: organizimi i brendshëm i Byrosë Kombëtare të Hetimit rregullohet nga urdhri i përbashkët i drejtorit me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Me anë të kësaj, duhet të kuptojmë se këto janë dy organe të lidhura, në funksion të hetimit. Brenda konceptit profesional të prokurorit, gjithmonë nënkuptohet edhe hetimi, sepse kjo është normë e përgjithshme e së drejtës procedurale penale; por, në rastin konkret, nga ky koncept juridik nuk mund të dalë jashtë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Prandaj, për faktin që Byroja Kombëtare ka në dorë hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe Prokuroria e Posaçme e mbikëqyr brenda konceptit të përgjithshëm të së drejtës procedurale penale, ligji iu ka dhënë që të dy përgjegjësve të këtyre insitucioneve ngarkesë të barabartë, edhe në emërimin e hetuesve, por edhe në kontrollin dhe funksionimin e hetimit.

I shpreha të gjitha këto për të kuptuar që vonesa për ardhjen në funksionim të Byrosë Kombëtare të Hetimit është e justifikuar, në funksion të vështirësisë që sjell kontrolli indivudual i përzgjedhjes së tyre. Brenda këtij koncepti, nuk ka se si të mos theksojmë dhe të mbahet si e ditur që: të gjithë kandidatët që do të përbëjnë institucionin hetimor në Republikën e Shqipërisë, brenda dy muajve nga emërimi, duhet të kenë përfunduar programin e nevojshëm të trajnimit të tyre. Këtu duhet të theksojmë se trajnimi i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit bashkë me drejtorin e Byrosë janë caktuar për të përfunduar programin e trajnimit të tyre dymujor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për sa përshkruam më lart, na duhet të theksojmë se Byroja Kombëtare e Hetimit është një risi institucionale dhe konceptuale në të drejtën tonë penale dhe në të drejtën tonë procedurale penale, sepse mendohet që ky është instrumenti më i përshtatshëm për të sjellë eficiencën maksimale në luftën kundër kriminalitetit, në një kohë kur sot është e provuar që krimi i ka pushtuar të gjitha insitucionet e hetimit, të përfaqësimit në gjyq dhe të gjykatës.

Duke përfunduar mund të themi se vonesa do të vijojë dhe pak kohë, sepse është neni 37 për Byronë Kombëtare të Hetimit, i cili në pikën 3 të tij thekson se: “një kandidat mund të emërohet si hetues, vetëm pasi të ketë përfunduar trajnimin përkatës dhe të ketë shfaqur aftësi që garantojnë kryerjen e hetimit sipas standardeve profesionale”.

Sipas mendimit tonë, Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë e strukturuar për funksion normal duke u plotësuar gradualisht nga data 15 korrik e deri në datën 15 shtator.

Për të gjitha ato që shprehëm në lidhje me funksionimin juridiko-institucional të Byrosë Kombëtare të Hetimit, na duhet të themi se vonesa e justifikuar, duke përfshirë këtu edhe karantinën dymujore, na jep të drejtën të shpresojmë se karakteri profesional dhe ai i ndershmërisë për goditjen penale që presim, do të jetë në nivel të lartë dhe do të justifikojë shpresat që opinioni publik shqiptar ka varur te funksionimi i SPAK-ut.

Të fundit

Janar – prill 2025, investimet kapitale në nivelin më të ulët që nga 2010-a

Teksa nevojat për investime në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi janë shumë të mëdha për të mbuluar hendekun e standardeve...

Ish-punonjësit e Blake Lively thonë se puna me të ishte rraskapitëse

Problemet duket se nuk kanë fund për aktoren Blake Lively. Ndërsa beteja ligjore mes saj dhe Justin Baldoni, regjisor dhe koleg në filmin “It...

E rëndë në Kosovë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë i spitalit, ndërron jetë në vend

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:15, në Spitalin Rajonal në veri të Mitrovicës, ku një pacient ka humbur jetën...

Goditja e tre grupeve kriminale/ Eurojust sjell detaje nga operacioni me 52 urdhërarreste

Eurojust ka dhënë detaje për goditjen e tre grupeve kriminale gjatë operacionit “Ura” të realizuar nga autoritetet shqiptare dhe italiane. Grupi akuzohet për trafik ndërkombëtar...

SHBA do të vendosë armë në hapësirë, çfarë është “Kupola e Artë” e propozuar nga Trump!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka shpalosur konceptin për programin e ardhshëm të mbrojtjes ajrore: Kupola e Artë. Ky kundërajror shumështresor, në...

Lajme të tjera

Web TV