Bekim Fehmiu, legjenda shqiptare e filmave të huaj

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ai njihet si aktori më i famshëm ndër shqiptarët. Luajti në të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe u hodh në Evropë ku më së shumti bëri epokë në kinemanë italiane. Por jo vetëm kaq. Ai, si rrallëkush nga shqiptarët, arriti deri në Hollivudin e largët e skeptik

Nga Leonard Veizi

Si në një film triller ku do të kishte rolin e fundit si aktor, ai u gjet i vdekur në apartamentin e tij. Ishte 15 qershor 2010. Pasmesditë. Beogradi zyrtar, qytet në të cilin kishte rezidencën, njoftoi se ishte një vetëvrasje.

Ajo që e gjeti shtrirë mbi çarçafët e bardhë, një peshqir në kokë dhe gjakun që i dilte nga tëmthi, ishte bashkëshortja, e cila, sapo kishte hyrë në banesën e tyre të përbashkët, ishte përballur me skenën tragjike. Askush nuk e pa të tërhiqte këmbëzën.

Por askush nuk ngriti teza për një vdekje enigmë a një komplot brenda saj. Sepse një testament që iu gjend aty pranë, shkruar me dorën e tij, vërtetonte atë çfarë kishte ndodhur. Pistoleta që shtrëngonte në dorë ishte regjistruar me emrin e tij. Dhe kaq duhej që çështja të konsiderohej e mbyllur.

Ishte 74 vjeç dhe quhej Bekim Fehmiu….

…Uliksi i tij është ndoshta më i miri ndër Uliksët e tjerë që bota e kinemasë ka prodhuar. 8 seri televizive me ngjyra, aventura gjithfarësh, ku një grup luftëtarësh që ktheheshin nga Lufta e Trojës për në atdheun e tyre, lundronin nëpër dallgët e Mesdheut. Dhe ai në qendër të gjithçkaje. Për një rastësi të çuditshme, Radio Televizioni Italian, që ishte prodhuesi i filmit “Odisea”, kishte bërë bashkë në rolet kryesore Irene Papas si Penelopa, një aktore greke me origjinë arvanitase dhe Bekim Fehmiun, një aktor jugosllav, por gjithashtu shqiptar për nga origjina. Dikush kishte shtruar pyetjen se mos ndoshta ata, të dy shqiptarë në gjen, nuk bënin gjë tjetër veçse luanin vetveten, por në një kohë më të largët?

Nuk ishte nevoja të diskutohej më në këtë pikë, sepse polemikat kishin nisur dhe ai, Bekim Fehmiu, edhe pse aktor klasi, do të përndiqej si shqiptar në qenie dhe me një emër po të tillë.

Fama

Ai njihet si aktori më i famshëm ndër shqiptarët. Luajti në të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe u hodh në Evropë ku më së shumti bëri epokë në kinemanë italiane. Por jo vetëm kaq. Ai, si rrallëkush nga shqiptarët, arriti deri në Hollivudin e largët e skeptik.

U bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e puplave”, një realizim jugosllav i vitit 1967, ku flitej për jetën e romëve të Vojvodinës. Ky film u konsiderua si kryevepër e kinematografisë jugosllave, kurse aktrimi i Bekim Fehmiut u cilësua gjithashtu brilant.

Elegant dhe plot pasion, si aktor i një kalibri të veçantë, Bekim Fehmiu do të bashkëpunonte ngushtë me emrat e njohur të kinemasë së viteve ‘70-‘80, si: John Houston, Ava Gardner, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale, Candice Bergen.

Por gjithsesi, në Shqipërinë e izoluar, Bekim Fehmiu do të njihej gjerësisht edhe me një prodhim tjetër televiziv italian që u realizua në vitin 1989: “Përgjithmonë Xhulja”.

Emri shqiptar

Dukej si diçka rastësisht gabim kur Dino de Laurentis njëri prej regjisorëve të “Odisea”-s e prezantoi Bekim Fehmiun në shtypin italian si aktor me origjinë greke. Por ky i fundit nuk mund ta anashkalonte këtë “incident minor” dhe kërkoi të përgënjeshtrohej “lapsusi”, përndryshe do të braktiste xhirimin e filmit.

Ky ishte një rast, por jo i vetmi.

Shtypi spanjoll, e kishte prezantuar aktorin shqiptar si jugosllav të amerikanizuar. Por edhe këtu u desh ndërhyrja për t’u korrigjuar e thënë se Bekim Fehmiu ishte një shqiptar nga Kosova.

Për më tej producenti i njohur amerikan Louis Gilbert, i kishte kërkuar Bekim Fehmiut të ndërronte emrin dhe origjinën përndryshe “Paramaunti” duhet të ndërronte aktorin.

Lexo edhe :  Sulmi në tregun e Krishtlindjeve/Rama: I tmerruar! Shqipëria në solidaritet me Gjermaninë

Kërcënimi ishte i hapur. Por dukej që edhe ky presion nuk bënte për një tip si Bekim Fehmiu, i cili ishte gati ta rrezikonte karrierën, por të mos hiqej ai që nuk ishte.

Ai ishte shqiptar dhe kërkonte të ishte vetëm vetvetja, edhe pse në Kosovën e asaj kohe, martesa e tij me një aktore serbe dhe jetesa në Beograd nuk shihej aspak me sy të mirë nga nacionalistët e patundur.

Në librin e tij autobiografik “Shkëlqimi e tmerri” Bekim Fehmiu shkruan: “Në Romë për xhirimet e filmit “Aventurierët”, pas pesë javësh xhirimi, më thërrasin dhe më urdhërojnë të ndërroj emrin. – Jo, – u them prerë. – Ky është emri im dhe unë vetëm me këtë emër do të punoj, në qoftë se nuk pranoni ju, unë e prish kontratën e filmit me ju…”

Në vitin 1987 Fehmiu në shenjë proteste kundër propagandës antishqiptare dhe përhapjes së urrejtjes ndaj shqiptarëve, braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel. Ky do të ishte dhe fundi i karrierës së tij në Jugosllavi.

Ishte dhe mbeti shqiptar natyrisht, në të gjithë kompleksitetin e tij.

Qershori i Bekimit

Qershori është muaji i Bekim Fehmiut. Sepse ai lindi dhe vdiq në këtë muaj pranveror. U lind më 1 qershor 1936 në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, por rridhte nga një familje e njohur gjakovare.  Bekim Fehmiu e ka ndarë jetën mes Sarajevës ku lindi, Shkodrës ku kaloi disa vite të fëmijërisë, por dhe Prizrenit, Prishtinës dhe Beogradit. Roli i tij i parë ishte një shitës gazetash te filmi “Opstinsko dete”  i realizuar në vitin 1953. Ndërsa i fundit është ai i Gormond te “Cuore e la spada, II” një film televiziv që u realizua në vitin 1998. Dhe mes këtyre dy skajeve Bekim Fehmiut i numërohen më shumë se 40 role në teatër dhe 50 role në kinema.

Vizitat në Shqipëri

Në vitin 1972 Bekim Fehmiu vizitoi Shqipërinë. Ftesa i erdhi nga dy regjisorë shqiptarë, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti, pasi ata e kishin takuar kolegun e tyre të famshëm gjatë javës së filmit shqiptar në Beograd. Dhe ai nuk kishte se si ta refuzonte një mundësi të tillë. Gjatë qëndrimit në Tiranë mori pjesë si i ftuar në tribunën e kuqe, ku ndodhej edhe Enver Hoxha, të shihte parakalimin e klasës punëtore në 1 maj. Vizitoi disa qytete mes të cilave Durrësin,  Krujën dhe Shkodrën. Por me Shkodrën e lidhnin kujtime të hershme. Në një fletë të muzeut të atëhershëm të Shkodërs, në datën 30 prill 1972, aktori i madh shqiptar shkruan: “Jam i lumtur që mbas tridhjetë e nji vjetë të gjindem në Shkodër, në qytetin ku kam kaluar vitet e para të fëminisë s’ime, rrajët kishin qenë të thella dhe të pa shpërngulta… Bekim Ibrahim Fehmiu… Shkodër më 30 Prill 1972”.

Vizita e dytë e tij në Shqipëri ishte në vitin 2001, i ftuar në spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë”, ku shoqërohej nga gruaja e tij serbe, Branka Petriç, dikur një ish-shoqe e shkolle me të cilën kishte dy djem, Uliksin dhe Hedonin.

“Shkëlqimi e tmerri” është libri i tij i botuar më vitin 2001, një udhëtim personal i kujtimeve të jetës e krijimtarisë së tij artistike.

Epilogu

Aktori i famshëm shqiptar kreu vetëvrasje në 15 qershor 2010, në banesën e tij në zonën Zvezdara të Boegradit. Ndihej nën depresion, pasi punët me shëndetin nuk i kishte mirë, pas një goditje cerebrale që kishte marrë në tru. Dhe meqenëse nuk donte të tërhiqej zvarrë a të dergjej nëpër krevate spitalesh, zgjodhi të vdiste me dinjitet, por nga dora e vet. Në testamentin e tij, kishte kërkuar të digjej në krematorium dhe hiri të shpërndahej mbi lumin Lumbardhi të Prizrenit. Dhe kështu u bë.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral

Eduard Zaloshnja Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor. Vendimi u njoftua më 24 Dhjetor....

Ra aksidentalisht apo u qëllua me armë? Dyshime për tragjedinë ajrore në Kazakistan

Autoritetet në Kazakistan vijojnë me intensitet hetimet për avionin e rrëzuar një ditë më parë, në një tragjedi që iu mori jetën 38 pasagjerëve,...

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë

Në segmentin rrugor të Iballës prej dy ditësh është bërë i vështirë qarkullimi i mjeteve. Erërat e forta dhe bora që janë prezente kanë shkaktuar...

Vjena mban stafetën, kryeson listën e vendeve më të mira për të jetuar

A keni ëndërruar për t’u zhvendosur në një qytet të ri? Epo, është koha për të paketuar valixhet. Kompania EIU, ka renditur qytetet më të...

Bashkëshortja e Bashar al-Assadit diagnostifikohet me leuçemi, e izolojnë nga familja

Bashkëshortja e presidentit të rrëzuar sirian është në gjendje të rëndë shëndetësore, duke qenë se është diagnostikuar me leuçemi dhe për këtë arsye është...

Lajme të tjera

Web TV