Kapet në Yzberisht të Tiranës një arsenal me armë, mes tyre edhe një snaiper. Grupet kriminale në kërkim të armëve të sofistikuara. Gazeta “Fjala” publikon ngjarjet më të bujshme në sekuestrimin e armëve moderne që dyshohet se përdoren nga bota e krimit.
Prej gati dy dekadash trafiku i armëve është kthyer në një nga bizneset më fitimprurëse për grupet kriminale. Ky lloj “biznesi” për shqiptarët filloi masivisht që nga viti i mbrapshtë 1997. Pasi u hapën depot e armëve, e gjithë popullata u armatos, bandat e asaj kohe që kishin pushtuar pothuajse të gjithë Shqipërinë, nisën aktivitetin e paligjshëm të trafikut të armëve. Prej vitesh Policia e Shtetit është duke luftuar këtë fenomen, ku gjatë viteve të fundit shpeshherë mediave u janë dërguar komunikata për gjetjen dhe sekuestrimin e armëve, kurse në disa prej këtyre rasteve janë kapur edhe armë e municione të viteve të fundit. Disa baza ku shiten armatime janë zbuluar edhe në kryeqytet. Këto baza në shumicën e rasteve shërbejnë për të furnizuar grupet kriminale që operojnë në vendin tonë. Me anë të burimeve të saj gazeta “Fjala” ka mësuar se për të blerë një pistoletë në tregun e zi, çmimi varion 50-60 mijë lekë të reja. Ndërsa një kallashnikov kushton 80-100 mijë lekë të reja. Për sa u përket armëve të sofistikuara, të cilat janë prodhim i viteve të fundit, çmimet variojnë 2-5 mijë euro. Sipas informacioneve policore, mësohet se në treg ka ende armë të vitit 1997, por gjerësisht po shiten modelet e reja të prodhimit. Policia e kryeqytetit ka goditur disa herë trafikun e armëve. Goditjet janë bërë në zona të ndryshme, si në atë të Kombinatit, Selitës, Tufinës, por edhe në zonën e Kasharit. Rasti më i fundit ishte ai i djeshmi, kur në zonën e Yrshekut, efektivët e komisariatit nr. 6 zbuluan një arsenal armësh. Sipas policies, këto armë dyshohet se i përkasin një grupi të fuqishëm kriminal që vepron në zonën e kryeqytetit. Plot 15 armë zjarri, si edhe një sasi e madhe municionesh u sekuestruan gjatë mesditës së djeshme nga policia në banesën e Gëzim Harokut. Ky i fundit u arrestua në flagrance, si posedues i armëve. Përveç granatave e kallashnikove, ajo që binte në sy ishte edhe sekuestrimi i një snaiperi. Policia ka zbuluar se banesa ku ishin fshehur armatimet përdorej dhe si bazë e një grupi të strukturuar kriminal. Krahas arrestimit të Harokut, strukturat e rendit shpallën në kërkim dhe shtetasin Erigers Mihasi, një personazh i njohur për autoritetet.
Kapja e arsenalit të armëve
Armët dhe baza e grupit kriminal u zbulua pas hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë në rrugën dytësore, Tiranë-Vorë, ku u qëllua në drejtim të kompleksit “Eiffel”, në pronësi të Enver Çaushit. Blutë shprehen se kjo ngjarje është dokumentuar. Autor rezulton të jetë Gëzim Haroku, dhe bashkëpunëtor Erigers Mihasi. Krahas armëve të përdorura për këtë ngjarje, është sekuestruar një automjet, si dhe motori me të cilin dy autorët e të shtënave me armë, u larguan nga vendi i ngjarjes. Sipas policisë, pak pas mesnatës të datës 15 qershor, Haroku, i arrestuar dhe Mihasi, i shpallur në kërkim, qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të kompleksit “Eiffel”. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:35. Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk pati viktima, por vetëm dëme materiale. Sipas informacioneve që “Fjala” ka siguruar, mësohet se armët janë dërguar në laboratorin e Policisë së Shtetit, ku po bëhen verifikime, nëse janë përdorur për ngjarje të tjera kriminale të regjistruara në vendin tonë. Gëzim Haroku, pronari i banesës ku u gjet ditën e djeshme arsenali i armëve, megjithëse është një emër i panjohur për policinë, pasi nuk rezulton të jetë i përfshirë në ndonjë ngjarje kriminale, është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që operon në kryeqytet. Sipas burimeve është mësuar se ky shtetas e kishte kthyer banesën e tij në debo armësh për llogari të grupit kriminal me të cilin ai bashkëpunon. Ndryshe nga Haroku, i shpalluri në kërkim, Erires Mihasi, është një emër i njohur për drejtësinë. Mihasi dyshohej si një nga personat që hynë në banesën e Elton Çiços, që u ekzekutua rreth 4 vite më parë në një lokal të njohur në zonën e ish-Bllokut. Mihasi, u lirua rreth një vit më parë nga prokuroria e Gjirokastrës, për mungesë provash. Gjithashtu, i shpalluri në kërkim njihet edhe si mik i ngushtë i ish-policit, Santiago Malko, i ekzekutuar në një atentat mafioz në gusht të vitit 2019.
Rastet kur janë sekuestruar arsenal armësh
Rasti i djeshëm nuk është i pari ku janë sekuestruar arsenal armësh të sofistikuara të grupeve kriminale, të cilat i përdorin ato për të eliminuar kundërshtarët e tyre. Rasti i djeshëm nuk është i vetmi, ku pas një ngjarjeje kriminale, policia zbulon armë të ndryshme dhe të sofistikuara. Në shkurt të vitit 2018 policia e Tiranës zhvilloi një operacion në zonën e Kasharit për goditjen e një grupi kriminal, anëtarët e të cilit akuzoheshin për ekzekutimin e Devi Kasmit. Operacioni u zhvillua në banesën e Aurel Hoxhallarit nga FNSH-ja në bashkëpunim me RENEA-n. Në vilën e Hoxhallarit, i cili është ende në kërkim, si personi që organizuar vrasjen e 40-vjeçarit Kasmi, u gjetën një mori armësh. Më konkretisht në atë kohë u sekuestruan: 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit; 4 automatikë; 2 snaiper; 4 pushkë automatike; 1 armë antitank me 2 predha; 1 bombë me telekomandim në distancë; sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol; 4 radiomarrëse; 1 dron; 110 kg kanabis dhe 2 maska. Gjatë këtij operacioni u arrestua greku, i akuzuar si personi që ekzekutoi Devi Kasmin, si dhe 4 persona të tjerë që, sipas policisë, bashkëpunuan në ngjarjen mafioze. E njëjta situatë ndodhi edhe në fshatin Papër të Elbasanit, në korrik të vitit të kaluar. 24 orë pas atentatit mafioz në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, që i’u bë vëllezërve Aldo dhe Klevi Baho, ku njëri prej tyre humbi jetën dhe tjetri mbeti i plagosur rëndë, forcat RENEA kanë zhvilluar një operacion në këtë zonë për kapjen e autorëve. Gjatë këtij operacioni Reparti Special mundi të zbulojë një arsenal armësh të sofistikuara. Nga kontrollet e kryera pranë rrugës nacionale në Papër të Elbasanit, në atë kohë u gjetën në një magazinë 7 kallashnikovë, 5 pistoleta dhe fishekë. Arsenali i armëve, pasi u sekuestrua u dërgua për ekzaminim, për të zbuluar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale apo jo. Kujtojmë se në atë kohë qyteti i Elbasanit ishte tronditur nga shumë ngjarje kriminale dhe atentate mafioze. Për këtë rast polica nuk arrestoi asnjë person, por pezulloi nga detyra katër efektivë, pasi u akuzuan për nxjerrje të sekretit hetimor. Pezullimi i tyre u bë pas publikimit në media të fotove të armëve që u sekuestruan.
Amnistitë për dorëzimin e armëve
Pavarësisht se në Shqipëri janë bërë disa herë amnisti për dorëzimin e armëve, përsëri numri i tyre në vend është i lartë. Pas vitit ’97, kur një pjesë e mirë e armëve ra në duart e popullit, qeveria hartoi edhe një ligj për grumbullimin e armëve. Amnistia e parë u artua në vitin 1998. Ndërsa e dyta në mars të vitit 2003. Sipas statistikave, niveli i grumbullimit me atë të marrjes nga depot në të dyja amnistitë ishte shumë i ulët. Në vitin 1997 u grabitën 893 milionë municione, 16 milionë eksplozivë dhe rreth 550 mijë armë. Ndërsa nga viti 2005 të grumbulluara nga amnistitë ishin 118 mijë municione, 1,53 milionë eksplozivë dhe 222 mijë armë. Ndërsa gjatë amnistisë së tretë, e cila u propozua nga ish-ministri Saimir Tahiri, në vitin 2017 u dorëzuan vullnetarisht në shkallë vendi: 1603 armë zjarri të ndryshme, 1558 granata dore dhe 580634 municione të ndryshme./Fjala.al/Ke.Ba