Koalicionet/Loja politike për qeverinë e 2021-shit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Marrëveshja politike e arritur për reformën zgjedhore rrezikon të dështojë, nëse mazhoranca do të pranojë një amendament kushtetues nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare, për shmangien e koalicioneve parazgjedhore. Loja që po luhet sot do të ndikojë në konfigurimin e ri politik të 2021-shit. Çfarë rrezikon opozita PD-LSI  dhe PS-ja nëse futen të vetme në garë? Pse  Edi Ramës i intereson një garë pa koalicione dhe, a po ia shkel syrin Lulzim Bashës për bashkëqeverisje? Analizojnë për gazetën “Fjala”, Roland Qafoku, Lorenc Vangjeli dhe Alfred Lela.

Nga Blerina Gjoka

Një shkelje syri e Edi Ramës për atë që besohet se është kundërshtari i tij më i paepur, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit ishte një sinjal i ri që 2021 mund të na surprizojë me konfigurimin e tij politik. Ajo që duket më e pamundura, mund të ngjasë në politikën shqiptare. Aq më shumë kur e kemi një rast të freskët në kujtesë, atë të vitit 2017, kur një marrëveshje e arritur brenda natës mes Ramës dhe Bashës na solli për herë të parë një bashkëqeverisje disamujore mes tyre. Loja do të bëhej më interesante, nëse mazhoranca e kryesuar nga Rama, me një grup deputetësh që vijnë nga listat e PD-së të ligjërojë ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Hapat ligjorë kanë nisur për ta realizuar këtë gjë në një flirtim brenda Kuvendit,  në të njëjtën kohë kur jashtë tij, një tjetër marrëveshje politike mes palëve po shtron udhën ligjore për zgjedhjet e ardhshme. Nëse Rama dhe deputetët që kanë ardhur në Kuvend në vendet e lira që la opozita me vendimin për djegien e mandateve, do ta bëjnë realitet këtë nismë, marrëveshja e arritur me mund nga ndërkombëtarët do të hidhej në erë dhe bashkë me të edhe shansi për të nisur përmbushjen e kushteve të BE-së për negociatat. Por, Rama e ka paralajmëruar edhe këtë, duke deklaruar se një fije peri e ndan nga grisja atë marrëveshje të firmosur në nivel dytësor, për të cilën ai duket se nuk është fare i kënaqur, ndoshta edhe pse marrëveshjet i do vetëm në nivel kryetarësh. Rëndësia e koalicioneve është bërë e pashmnagshme për qeverisjen tashmë në disa mandate, që kur LSI-ja, një parti që lindi nga gjiri i PS-së, u bë king-maker i politikës. Me LSI-në qeverisi Sali Berisha për 8 vite e më pas Edi Rama për 4 vite. Në 4 vitet që pasuan Rama e nxori LSI-në nga tepsia, pikërisht falë një marrëveshjeje me Bashën, të cilën duket se po e lakmon përsëri. Ndërsa i avitet me mesazhe publike Bashës, nga ana tjetër Rama duket se nuk e do dhe kërkon ta shmangë me çdo kush një rimartesë me LSI-në e një tjetër aleati-kundërshtar, Ilir Metës, parti që tani e drejton bashkëshortja e tij.

Analistët e politikës besojnë se loja me koalicionet është ajo që do ta prodhojë realitetin e ri politik të pas një viti. Sipas Roland Qafokut, “PS-ja tashmë e kupton që koalicionet e opozitës e rrezikojnë fitoren e saj në zgjedhjet e vitit 2021 dhe po synon t’i bllokojë. Nuk besoj se mund ta arrijë, se kjo do të ishte një gjë e paimagjinueshme”. Ndërsa për Lorenc Vangjelin nuk duket çudi një bashkëqeverisje Rama-Basha, siç shprehet ai “Ramës i intereson më shumë një herë e parë me Lulin, sesa një rikthim për herë të tretë në rimartesën me LSI-në, sepse lufta brenda llojit është më e egër. Kurse Basha, për paradoks sërish, e ka më të lehtë. Por dilema për të zgjedhur mes Ramës dhe Kryemadhit dhe mungesa e koalicioneve, do ta lërë atë sërish në opozitë”. Ndërsa për Alfred Lelën, bllokimi i koalicioneve është më shumë një lëvizje për të shteruar energjitë mediatike sesa një mundësi reale. Nëse kjo ndodh, ai e quan një moment rreziku për demokracinë.

 

Roland Qafoku, drejtor i përgjithshëm i grupit mediatik “Fjala”

“PS-ja po i lufton koalicionet, pasi i rrezikohet fitorja e 2021-shit”

Reforma Zgjedhore, pikërisht kur mendohej se ishte përfunduar me një pakt politik, është futur në ujëra të turbullta. Një grup deputetësh nga listat e opozitës, me gjasë të mbështetur dhe nga PS-ja, po kërkojnë ndryshim sistemi dhe bllokim të koalicioneve parazgjedhore. Pse PS-së i intereson gara pa koalicione dhe çfarë matematike bëjnë PD-LSI për të “mposhtur” Ramën?

 Kur të gjithë e përshëndetën marrëveshjen e arritur më 5 qershor, askush nuk mendoi se i gjithë ai angazhim kombëtar dhe ndërkombëtar do të vijonte me një situatë të atillë që, nëse do t’i vinim një titull, do të ishte: Mosmarrëveshja e marrëveshjes. Nuk ka ndodhur në asnjë rast në këto 30 vjet postkomunizëm që vetëm pak ditë pas një marrëveshjeje politike, palët të mos bien dakord për teknikalitetet. Kjo, në fakt. lë për të kuptuar që marrëveshja ka qenë e sforcuar dhe e diktuar nga faktori ndërkombëtar dhe jo një vullnet natyral i përfaqësuesëve të Këshillit Politik. Diçka ka dalë gabim nga përllogaritjet që kanë bërë ustallarët e këtyre punëve dhe tashmë jemi në një situatë që u duhet të bëjnë ndryshime dhe të vendosin kushte që favorizojnë njërën palë në dëm të tjetrës. Dhe më e rëndësishme është se politika jonë nga tri polare është bërë katër polare. Pra, nga PS-PD-LSI jemi bërë në PS-PD-LSI-Opozita parlamentare. Sigurisht që PS-ja ka interferuar tek opozita në Parlament, por kjo nuk e bën atë ta quajmë taktikë të gabuar. Si uji që rrjedh, kur nuk ka pengesa, ajo përdor gjithçka për të arritur qëllimin e vet, derisa nuk ka pengesa juridike. Por, duhet thënë se nuk është faji i PS-së që PD-ja la mandatet dhe nuk është faji i PS-së që po organizon opozitën e paorganizuar në Parlament. E kam thënë edhe herë të tjera që Partia Demokratike ka bërë gabimin më të madh në këto 7 vjet në opozitë, duke lënë mandatet e deputetëve, duke bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2019, dhe duke e lënë pushtetin lokal të gjithë në duart e PS-së. Dhe për këtë nuk ia ka fajin kush, madje as PS-ja. Ajo tashmë e kupton që koalicionet e opozitës e rrezikojnë fitoren e saj në zgjedhjet e vitit 2021 dhe po synon t’i bllokojë. Nuk besoj se mund ta arrijë, se kjo do të ishte një gjë e paimagjinueshme. Por varka shpëtimi po bëhen deputetët e opozitës parlamentare. Është një lëvizje taktike nëpërmjet së cilës PS-ja mendon se mund t’ia arrijë qëllimit. Megjithatë, PD-ja po e kthen në kalin e ri të betejës këtë përpjekje.

 

Çfarë loje po luhet pas krahëve të opozitës jashtë Kuvendit, a do ta lejojnë ndërkombëtarët një votim të njëanshëm?

Do të ishte shumë normale që palët politike të dukeshin si në një lojë shahu. Fundja, politika është e tillë. Por, është e turpshme të mendosh që palët janë duke u angazhuar në një proces duke mos pasur fare besim te njëra-tjetra. PD-ja dhe LSI-ja nuk besojnë te PS-ja dhe PS-ja nuk beson te PD-ja dhe LSI-ja së bashku. Të dyja kampet mendojnë se kundërshtari mund t’ua ketë me hile në këtë angazhim dhe, si i tillë, ky proces është i destinuar të vuajë dhe të ketë probleme thelbësore. Për rrjedhojë, kjo krijon një situatë absurde që sjell mungesën e vullnetit dhe padakordësi. Këtu mund të ndërhyjnë ndërkombëtarët, të cilët, si gjithnjë, po lodhen me këto pirueta të një mentaliteti oriental otoman. A do ta arrijnë? Besoj që po.

 

Si mendoni se do të jetë konturimi politik pas zgjedhjeve të 2021-shit. A mund të kemi një ribashkim PS-LSI, në varësi të rezultatit?

 Nuk besoj që LSI-ja të kthehet në koalicionin me PS-në. Ka një logjikë që lidhet me zhvillimet e shumta në të dyja kampet. Për më tepër që e gjithë energjia dhe impenjmi i LSI-së ka qenë në PD në të gjithë këta tre vjet. Në fakt, që pas vitit 2007, si PS-ja dhe PD-ja kanë bërë koalicion me LSI-në dhe më pas kanë deklaruar se nuk bëjnë më koalicion me këtë parti. Por, kur ka ardhur problemi i votave, nuk kanë arritur fitore pa LSI-në. PS-ja bëri përjashtim në zgjedhjet e vitit 2017. PS-ja fitoi zgjedhjet e vetme, por timoni dhe tepsia aq triumfuese në fillim e kanë bërë atë të jetë e vetmuar dhe e braktisur gjithashtu. Ia ka nevojën LSI-së, por nuk ka as guximin dhe as moralin t’i kërkojë koalicion. Duke perifrazuar Gramoz Ruçin, i cili ka thënë shpesh që për të tilla gjëra, kurrë PS-ja nuk thotë kurrë, nuk është çudi që kjo parti ta kërkojë koalicionin. Por është e pamundur që LSI-ja t’i përgjigjet pozitivisht.

 

A mund të konsiderohen “të qëllimshme” përplasjet politike që e shkëpusin vëmendjen nga programet dhe alternativat që duhet të parashtrojnë subjektet politike në elektorat?

Nuk mendoj kështu. Politika shqiptare njihet për konfliktualitetin e saj. Madje një konfliktualitet që në vend se të vinte në ulje, vijon të rritet. Edi Rama dhe Lulzim Basha janë brezi i dytë i politikanëve shqiptarë. Ata janë pasardhës të Fatos Nanos dhe Sali Berishës, të cilët ne i quanim me mentalitet komunist. Por pasardhësit e tyre, Edi Rama dhe Lulzim Basha, kanë mbjellë aq shumë konfliktualitet, sa ua kanë kaluar paraardhësve të vet. Të dy mendojnë dhe e shprehin se faji është i tjetrit dhe vetë ata nuk kanë faj. Mjafton kjo për të kuptuar se baza e këtij konfliktualiteti është mosbesimi, vlerësimi për veten dhe mungesa e tolerancës. Kështu që teori të tilla se në Shqipëri ka përplasje politike për të tërhequr vëmendjen, nuk kanë vend. “Politikanët shqiptarë nuk janë të aftë t’i fshehin mendimet e tyre”, shprehej plaku i mençur Sabri Godo.

 

Somario:

Edi Rama dhe Lulzim Basha janë brezi i dytë i politikanëve shqiptarë. Ata janë pasardhës të Fatos Nanos dhe Sali Berishës, të cilët ne i quanim me mentalitet komunist. Por pasardhësit e tyre, Edi Rama dhe Lulzim Basha, kanë mbjellë aq shumë konfliktualitet, sa ua kanë kaluar paraardhësve të vet

Lorenc Vangjeli, analist i politikës

Rama më lehtë bashkëqeveris me Bashën sesa rimartohet me LSI-në

Reforma Zgjedhore, pikërisht kur mendohej se ishte përfunduar me një pakt politik, është futur në ujëra të turbullta. Një grup deputetësh nga listat e opozitës, me gjasë të mbështetur dhe nga PS-ja, po kërkojnë ndryshim sistemi dhe bllokim të koalicioneve parazgjedhore. Pse PS-së i intereson gara pa koalicione, dhe çfarë matematike bëjnë PD-LSI për të “mposhtur” Ramën?

Në një vështrim sipërfaqësor është pikërisht kështu. Gjithçka kishte mbaruar. Shampanja, e importit, Made in USA & BE ishte hapur dhe protagonistët e Këshillit Politik e kishin kryer detyrën e tyre. Pjesa që mbetej ishte një akt formal në Parlament. Por në Tiranë, asnjëherë nuk është ashtu siç duket. Dhe shpesh fillon aty ku të gjithë kanë larë duart, të bindur se kanë mbaruar punë. Kësaj here edhe për një arsye pothuaj legjitime: ranë dakord PS, PD e LSI, por votat e nevojshme mbajnë emra të tjerë të përveçëm. Firmosën me të drejtën morale dy partitë reale të opozitës, por opozita formale e Parlamentit ka ende tri ekuacione për të zgjidhur. E para, hesapi i secilit individ, të cilit duke i dhënë mandatin e deputetit, fati i ka dhënë një dhuratë të pamenduar dhe në shumicën dërrmuese të rasteve të pamerituar. E dyta, llogaria njerëzore e grupimeve brenda Parlamentit, për t’u faktorizuar. Dhe e treta, mundësia e artë për të marrë rëndësinë që të gjitha palët përtej tyre, ua mohojnë, qoftë duke i tallur, qoftë duke mos i marrë seriozisht, qoftë duke i anashkaluar. Ky është dhe një rast tjetër për të kujtuar se çfarë marrëzie ka qenë largimi i Bashës dhe Kryemadhit nga Kuvendi dhe sesa pa vend është “përbuzja e intelektuale” e të ikurve, ndaj atyre që u morën mandatet. Thirrja në apel e këtyre deputetëve, është vetëm një minimum shkaku që duhet llogaritur për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur. Rama, si asnjë kryeministër tjetër përpara tij, ka shanse të qarta për të pasur një mandat të tretë dhe për ta nxjerrë partinë e tij si parti të parë në zgjedhjet e vitit tjetër. Formula që do ta lejonte dhe do ta ndihmonte një gjë të tillë, është gara pa koalicione. Në një garë ku çdo parti do të garonte vetëm, shanset që PS-ja të jetë parti e parë dhe, si rrjedhojë, edhe partia që propozon kryeministrin, janë shumë të mëdha. Në këtë këndvështrim, Rama është i gatshëm të bëjë çdo koncension për të pasur këtë fushë loje përpara. Kjo logjikë shpjegon edhe mesazhin e të enjtes së kryeministrit në Parlament, për mundësinë e një qeverisjeje të përbashkët me Lulzim Bashën. Nuk ishte shkarje goje, nuk ishte as llogari momenti, por një projekt që Rama dhe Basha e kanë menduar bashkë dhe veç e veç, së paku gjashtë vjet më parë. Duke spekuluar pak, një ide që ka nisur ndoshta që në shtatorin e largët të vitit 2014, kur poli i së majtës, PS-ja e LSI-ja, ngjante i pamundshëm. Bashkëqeverisja mund të kishte ndodhur edhe mbas zgjedhjeve të 2017-s, kur detyra e vetme e Bashës ishte të humbte me dinjitet, për t’ia dhënë pakicën e tij shumicës së Ramës. I ndërdyshur edhe te portat e pushtetit, njëlloj si një burrë që nuk di të zgjedhë mes të dashurës së re dhe gruas së sprovuar, Basha i humbi të dyja në të njëjtën kohë. As në momentin e fundit ai nuk arrinte të ndante se çfarë priste nga zgjedhjet: të ishte kryeministër i shqiptarëve apo të ishte ministër i kryeministrit Rama? Dhe siç ndodh me gjithë të pavendosurit, humbi gjithçka, përveç dyshimit, nëse në në rast të ngjashëm, do të sillej sërish njëlloj apo jo.

Lexo edhe :  Berisha i drejtohet Ramës: “Nëse prek votën, s’do kesh vend mbi tokë”

Çfarë loje po luhet pas krahëve të opozitës jashtë Kuvendit, a do ta lejojnë ndërkombëtarët një votim të njëanshëm?

Faktori ndërkombëtar vazhdon të ketë një peshë thelbësore në Shqipëri. Kjo peshë ka ardhur në rënie e rrudhje për shumë e shumë arsye, por forca, “këshilla e sugjerimi”, i tyre për rastin konkret, mund të jetë vetëm formal. Sepse ata e gjykojnë Shqipërinë si një rebus, zgjidhja e të cilit varet nga logjika. Nuk është kështu. Ka kaq pak vend për logjikën normale që ata kanë mësuar në manualet e tyre diplomatike apo që kanë në dosjet e tyre në sjelljen e individëve në Kuvend, sa çdo herë ata tani do të duhet të mësohen të pranojnë faktin e madh të kryer nga hilacakë të vegjël. Aktet politike të këtyre individëve, për shembull, që po marrin një rëndësi të posaçme sot, kushtëzohen nga një sërë variablash që ata as nuk arrijnë t’i kuptojnë. Nuk ka “kompjuter” që do të llogariste e parashikonte humorin dhe shtysat për të votuar kështu apo ashtu të nja dy dyzinave me budallenj të padobishëm që kanë mandat deputeti në sallë. Jo në kuptimin se ata që ikën nga salla kanë qenë në shumicë më të hajrit. As në kuptimin se një tjetër shumicë në anën tjetër të sallës kanë ndonjë kacidhe mend më shumë. Të gjithë së bashku, kjo kategori që nuk do ta gjente as me GPS rrugën drejt Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, nuk ka asnjë shans të kuptohet nga të huajt, që e shohin me gaz serioz dhe dëshpërim normal, konfiguracionin e tyre laraman. Por, në fund të fundit, ata janë si supë burgu: ofertë e vetme, merre ose lëre! Ata nuk ndryshojnë edhe për ca kohë.  Dhe një pakicë dëshpëruese grash e burrash me mend e dinjitet në Kuvend, që kanë të njëjtin mandat si ata, e bëjnë edhe më të thellë dëshpërimin për përfaqësimin katastrofik që ka Shqipëria në Parlament.

Si mendoni se do të jetë konturimi politik pas zgjedhjeve të 2021-shit. A mund të kemi një ribashkim PS-LSI, në varësi të rezultatit?

Shqipëria është një vend i paparashikueshëm pikërisht sepse mungojnë rregullat e qarta të lojës. Mungojnë edhe lojtarët që lëvizin në fushë sipas interesave dhe jo moralit. Fatkeqësisht, edhe interesat, edhe morali janë shumë të ndryshueshëm. Miqtë shndërrohen në armiq dhe anasjelltas. Në 2017-n, Lulzim Bashës i duhej një përpjekje titanike për të mos u bërë kryeministër. Ishte pothuaj e pamundur që ai të mos e nxirrte Ramën në opozitë dhe të ngjitej në zyrën e tij. Për t’u bërë kryeministër duhej të sillej vetëm minimalisht në mënyrë normale. Që do të thotë, të hynte në zgjedhje si opozitar, të lutej për koalicion me LSI-në dhe të parashkruante publikisht rregullat e qarta të bashkëqeverisjes së nesërme, si tranzicion drejt fundit të tranzicionit. Nuk e bëri. E pësoi! Damian Gjiknurit duket se i shkau në nervozizëm e sipër goja, kur pranoi se këshilla e vetme që i kishte dhënë kryeministri i tij për reformën zgjedhore, kishte të bënte me Lulzim Bashën. “Gjyko nga pozita e Lulit të nesërm dhe nga paranojat tona të djeshme në opozitë”, citoi Gjiknuri Ramën nga studioja e Java në RTSH, dy javë më parë, ndërsa ai vetë dy ditë më pas, foli sërish për Bashën. Kësaj here për një mundësi bashkëqeverisjeje. Nuk është e vërtetë që të fortit i ndihmon fati. Të fortët e bëjnë vetë fatin e tyre. Për këtë arsye, si kryetar i një partie të madhe si PD-ja, ai ka sërish fatin përballë: të jetë në qeveri ose me Ramën, ose me Kryemadhin. Ramës i intereson më shumë një herë e parë me Lulin, sesa një rikthim për herë të tretë në rimartesën me LSI-në, sepse lufta brenda llojit është më e egër. Kurse Basha, për paradoks sërish, e ka më të lehtë. Por dilema për të zgjedhur mes Ramës dhe Kryemadhit dhe mungesa e koalicioneve, do ta lërë atë sërish në opozitë. Dhe në atë ditë nuk duhet t’i bëjë hesapet me pushtetin, por me të vetët.

A mund të konsiderohen “të qëllimshme” përplasjet politike që shkëpusin vëmendjen nga programet dhe alternativat që duhet të parashtrojnë subjektet politike në elektorat?

Në 2017-n u krijua situata më absurde e një fushate elektorale. Sidomos në dy javët e para të saj, kush vinte për herë të parë në Tiranë, nuk kuptonte se kush luftonte kë dhe cili kërkonte çfarë. Katër vjet bashkëqeverisjeje të Ramës me Metën u harruan dhe Basha i kërkonte llogari Metës për çfarë kishte ndodhur, duke iu dukur se po qeveriste me Ramën. Publikut iu dha gallatë, por jo analizë. Iu dhanë batuta, por jo prognozë. Iu dhanë doza pafund helmi, por jo receta ilaçesh, iu tregua mozaiku e tepsia, por jo bilanci dhe faturat. Kurrë ndonjëherë ndonjë qeveri nuk kishte hyrë aq komode në zgjedhje: kishte aleate opozitën tradicionale dhe opozitë bashkëmëkataren e qeverisjes së saj. Shto këtu, edhe paqen sociale të krijuar nga armëpushimi PS-PD dhe, mbi të gjitha, epërsinë individuale të Ramës ndaj rivalëve dhe Metën që kishte hyrë gjithë dyshime e pendesa në kostumin e presidentit, si në këmishën e forcës, atëherë bëhej e qartë se qepallimi Rama – Basha natën e 17 majit, do të vazhdonte, por në një formë tjetër. Ai do të zëvendësohej me një p…llim barbar politik të humbësve. Një shkundje e frikshme, nga i cili as nuk e kanë marrë veten, as nuk e kanë nxjerrë objektin e huaj nga trupi dhe dhe as i kanë nxjerrë mësim pësimit.

 Alfred Lela, analist i politikës

“Jemi në një moment rreziku demokratik, Rama kërkon të pengojë rotacionin”

Reforma Zgjedhore, pikërisht kur mendohej se ishte përfunduar me një pakt politik, është futur në ujëra të turbullta. Një grup deputetësh nga listat e opozitës, me gjasë të mbështetur dhe nga PS-ja, po kërkojnë ndryshim sistemi dhe bllokim të koalicioneve parazgjedhore. Pse PS-së i intereson gara pa koalicione dhe çfarë matematike bëjnë PD-LSI për të “mposhtur” Ramën?

Së pari, PS-ja u druhet koalicioneve, sepse kërkoi ta kishte timonin të gjithin për vete dhe ta hiqte tepsinë nga duart e LSI-së asokohe. Tani që timoni u ka mbetur në dorë si rrotë hidraulike që nuk kthehet në asnjë drejtim veç drejt greminës, kërkojnë që tepsinë ta ndajnë, paradoksalisht, me litarin që ka mbetur jashtë nga marrëveshja me Bashën. Domethënë, fundshpinat e listës së PD-së dhe eksperimentin e një prove të paktit të 2017-s, po me Bashën, ku zgjedhjet u shtynë me një javë për të vrarë pikërisht mundësinë e koalicioneve. Rama vazhdon ta mjelë atë marrëveshje në mënyrë të poshtër, ndërsa Basha ka mbetur në të si viç i lëpirë politik në telat e gardhit. Jemi në një moment rreziku demokratik, sepse Rama kërkon të pengojë rotacionin, garën dhe bashkimin e episodeve politike e shoqërore përmes ‘kërpëratave’ të mediokritetit dhe kombinacioneve të vajmedetit. Mendoj gjithsesi se është një lëvizje për të shteruar energjitë mediatike, politike e shoqërore dhe jo një mundësi. Nuk e ka luksin të kthehet mbrapsht nga një marrëveshje me bekim euroamerikan. Veç kësaj, nuk do t’i hapë listat, sepse nuk i intereson, edhe pse kjo mund t’i dhembë Bashës. Në fund, mendoj se vetëm sa po argëton fundshpinën e vet me fundshpinat e listës së Luli Bashës.

Çfarë loje po luhet pas krahëve të opozitës jashtë Kuvendit, a do ta lejojnë ndërkombëtarët një votim të njëanshëm?

Një lojë nervash sigurisht, por ka pak gjasa që ‘marrëveshja të griset’. Investimi po bëhet për të futur në sistem gjysmën e sistemit, d.m.th. Rama kërkon të rilegjitimohet për zgjedhjet e radhës. Ai nuk mund të shkojë i vetëm në zgjedhje edhe një herë të dytë, edhe sikur t’i hapë listat, të shpikë vaksinën antiCovid, të ndalojë protestat BLM, dhe të kthejë Krimenë në territor ukrainas. Grisja e marrëveshjes do ta shtynte opozitën drejt një kërcënimi të ri bojkotues, ndërsa Ramën në legjitimues të këtij akti. Topi, politikisht, do të kalonte në fushën e tij. Ndërkombëtarët? A thua të jenë kaq të papërgjegjshëm sa të shohin t’u shkruhen nën hundë dy palë reforma zgjedhore dhe dy pakte nga tri palë të ndryshme? Nuk e di. Nuk vë dot më baste për common sense-in e të huajve. Di vetëm se ata po bëhen gjithnjë e më të huaj për realitetet e këtushme.

Si mendoni se do të jetë konturimi politik pas zgjedhjeve të 2021-shit. A mund të kemi një ribashkim PS-LSI, në varësi të rezultatit?

Pyetja sugjeron se Rama do t’i kalojë ndryshimet që nuk i lejojnë koalicionet. Kjo e zbraz enën e komunikimit dhe hedh në erë përgjigjet e mëparshme. Unë përfytyroj një koalicion apo bashkim të gjerë të të gjithëve kundër Ramës. Quajeni po deshët edhe “Aleanca e Qelbësirave 2” ose “Aleanca kundër Qelbanikut Numër 1”. Di vetëm që Ilir Metës i duhet t’i heqë nga goja dhe duart atë që i dha Ramës në vitin 2013. Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka rënë. Sepse, 7 vjet më vonë ja ku jemi z. Meta: pa Aleancë, pa Shqipëri, pa Evropë. Sigurisht, nëse Meta 2, Monika, ia rizgjat jetën Ramës 3, punë për gjumin, ndërgjegjen dhe fytyrën e saj.

A mund të konsiderohen “të qëllimshme” përplasjet politike që shkëpusin vëmendjen nga programet dhe alternativat që duhet të parashtrojnë subjektet politike në elektorat?

Që nga ‘perëndimi politik’ i Berishës partitë politike në Shqipëri janë kthyer në enë boshe që përplasen nga era dhe ndërrojnë vend në sobën që ndizet nga gazrat sulfurore të premtimeve boshe. Berisha, i mirë a i keq, e kishte një ide për shtetin. Në shumë raste nuk ishte estetike, por qëllonte të qe etike, të paktën. Basha e sheh si biznes politikën dhe PD-në, kurse Rama si ‘delirium tremens’ të përjetimeve dhe përjetësimeve të vetes./Fjala.al/Ke.Ba

Të fundit

Stuhitë godasin veriperëndimin e Italisë, moti i keq krijon kaos në disa zona (VIDEO)

Rajoni veriperëndimor italian i Piemonte është sot në alarm të kuq, pasi një valë moti ekstrem vazhdon të godasë...

VIDEO/ Pamje dramatike, qëndron i varur në helikopter pasi piloti nuk e lejoi në bord

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Kenia, ku një burrë është kapur pas një helikopteri ndërsa ky po ngrihej nga një dasmë, duke rrezikuar...

“Nga USA zgjodhëm PD-në. Fitore!”/ Topalli publikon foton e votuesit nga diaspora

Drejtuesja politike e PD për Diasporën Jozefina Topalli ka postuar në rrjetet sociale foton e një shqiptari i cili jeton jashtë vendit, të cilit...

Zuckerberg: Snapchat do ishte rritur më shumë nëse do ta pranonte ofertën time të blerjes

CEO i Meta Mark Zuckerberg tha se Snapchat do të ishte rritur më shpejt nëse do të pranonte ofertën e kompanisë së tij për...

CNN: SHBA synon mbylljen e afro 30 ambasadave dhe konsullatave

Administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton plane për të mbyllur gati 30 ambasada dhe konsullata amerikane në mbarë botën, si pjesë e një...

Lajme të tjera

Web TV