30-vjeçari që ka zgjedhur ta braktisë strehën e tij për rrugët e panjohura të botës, rrëfen vështirësitë dhe emocionet që i jep të jetuarit si nomad
Nga Alessia Selimi
Në pritje për të dëshmuar se koha është substanca e rrjedhshme nga e cila jemi të përbërë, një sërë automjetesh, zinxhir dhe krah njëra-tjetrës, kanë ndaluar në atë çka njihet në kryeqytet si rruga e “Shallvareve”. Dhe në vijat e bardha, një xhongler i Cirkut të Diellit (Cirque de Soleil) duket se personifikon të panjohurën. Me kokën në qiell, zemrën në dorë dhe këmbët në tokë, ai ofron shfaqje herë me birila dhe herë me topa të vegjël shumëngjyrësh. I pëlqen të shkaktojë të qeshura, emocione, si dhe të ndalë hapa të programuar. Pablo Kolombo, i cili ka udhëtuar në më shumë se 17 vende të botës, po performon tashmë prej tre muajsh në Tiranë. Nuk ishte pjesë e planeve të tij për të qëndruar kaq gjatë në një kryeqytet të vogël. COVID-19 ia ndaloi udhëtimin drejt Italisë, ku kishte planifikuar të ndiqte hapat e nevojshëm për një pasaportë evropiane. Sakaq, festivalet janë anuluar të gjitha këtë verë. Por fytyra e Pablos nuk mbart trishtim. Duket se kujtimet e ndërtuara në Shqipëri ia kanë vlejtur, përpos gjithçkaje, edhe përkundrejt fyerjeve dhe sharjeve të vazhdueshme nga drejtues zemërakë mjetesh. Ky argjentinas 30-vjeçar, i lindur në një zonë periferike të Buenos-Airesit, ndalet për gazetën “Fjala” në të shkuarën, kur vendosi të braktisë shtëpinë e tij për të panjohurat rrugë të botës. Më tej, Pablo nuk ngurron të flasë për të tashmen të përqafuar me multidisiplinë dhe të rrethuar me besimin se magjia ekziston në çdo derivat të artit. “Isha fëmijë kur u dashurova me teatrin dhe muzikën. Kësisoj, ndoqa studimet në këto dy fusha që në moshë të hershme. Në adoleshencë fillova të këndoj këngët e mia të para në rrugët e Buenos-Airesit. Në njërën dorë mbaja kitarën, në tjetrën një kapelë. Urreja varësinë, modelet, jetën luksoze dhe të rehatshme. Kështu, e hodha veten në pasigurinë e jetës së përditshme që shtrihet më së miri përtej kufijve”, thotë Pablo paksa i lodhur nga performanca e porsapërfunduar. “Në moshën 18-vjeçare, pas udhëtimeve të para, përqafova nomadizmin, dhe kështu u bëra pelegrin, duke marrë rrugë pa kthim me artistët e Cirkut të Diellit.” Pablo gëzon një trup të imët, mbushur me tatuazhe, dhe në veshin e majtë mban një vëth në formën e një çelësi, që të lë të mendosh se ndodhet në kërkim të dyerve ende të kyçura. “Të gjithë njerëzit që synojnë liri, nuk e kanë të lehtë në këtë jetë. Unë personalisht kam hasur mjaft probleme nëpër vende të ndryshme të botës. Madje, kam qenë për të disatën herë nëpër burgje. Për mungesë dokumentacionesh, kuptohet”, shprehet 30-vjeçari teksa për një çast skuqet i gjithi. Në tren, autobus, kamion dhe biçikletë, Pablo përballet gjithmonë me frikën se ndokund do t’i urojnë mirëseardhjen. “Nuk besoj në ndarjen e vendeve, aq më pak në nacionalizëm. Nëse kthehemi qindra vite pas, shtetet e sotme nuk ekzistonin. Kemi të njëjtën tokë nën këmbë dhe të njëjtin qiell mbi kokë. E urrej kur më trajtojnë si të huaj në një vend ku sapo kam shkelur. Unë jam qytetar i botës dhe shtëpia ime e vetme është lëkura me të cilën më mbulohet trupi”, thotë argjentinasi tashmë vetullngrysur. “Më kujtojnë për të çmendur, por mund të them se jam veçse një njeri i lumtur”, shton ai. Nuk i pëlqen të flasë për të ardhurat që përfton nga xhonglimet. Por, Pablo pohon se vendi ku ka fituar deri më tani më shumë para është Franca. “Jo për shkak të bujarisë, të jemi të qartë për këtë. Me njerëz të tillë jam hasur në Bolivi. Edhe pse është një shtet i varfër. Por, Franca operon me euro”, sqaron ai. Nisur nga kjo, e pyesim për atë se çfarë ka konstatuar për shqiptarët dhe Shqipërinë. “Njerëzit këtu janë shumë të çuditshëm. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur jam hasur me njerëz të dhunshëm, të fustruar, të cilët nuk duan të shohin askënd përpos vetes së tyre. Gjithashtu, kam përshtypjen se dalin në një konkluzion të gabuar kur shohin dikë si unë, duke performuar në rrugë. Unë nuk kërkoj para, thjesht jap shfaqje dhe ofroj art. Nëse më ofrojnë diçka, duhet të kuptojnë se thjesht po bashkëpunojnë për artin e rrugës”, thotë Pablo, i cili nuk shfaq kurrfarë tërheqjeje ndaj zgjedhjes që ka bërë. “Të jesh artist është sfidë më vete në të gjithë botën. Nuk ka rrugë të mesme! Ose je i famshëm, ose jeton në mizerje.” 30-vjeçari performon më së shumti në kryeqytet gjatë fundjavave, dhe për këtë ekziston një arsye.
Ai pretendon se njerëzit janë më të lumtur, më të paqtë e, për rrjedhojë, edhe më miqësorë. Megjithatë, xhonglimi kërkon përpos pasionit, përgatitje të vazhdueshme, disiplinë. Pablo beson se të gjithë njerëzit kanë të drejtë të argëtohen dhe të shohin shfaqje cirku. Për më tepër kur ky i fundit nuk po preferohet më si ngahera. “Magjia e akrobacive të jashtëzakonshme, temave si në ëndrra, ndriçimeve magjike, dhe elementeve që përmban një cirk i mirëfilltë, është venitur. Fatkeqësisht, bota është orientuar drejt teknologjisë. Unë refuzoj të jem pjesë e një sistemi ku mungon kreativiteti dhe dëshira për të bukurën, origjinalen. Dhe revoltën time e shfaq pikërisht me shfaqjet në rrugë”, thotë ai. Pablos i duhet të rikthehet në një tjetër rrugë, për të ndërthurur artin me gjimnastikën. Ndërkohë, pak para se të ndahet me ne, rrëfen se ndodhet në kërkim të një shtëpie diskografike. I pëlqen muzika. Ajo i tregon diçka, i shtron në tavolinë humbjet dhe fitoret, si dhe i zbulon dëshirën për të jetuar. Pa dyshim në rrugë, ku gjithçka është e paparashikueshme./Fjala.al/Ke.Ba