Liverpool u ndal në një barazim pa gola nga rivalët e një qyteti, Everton në “Goodison Park”, duke mos arritur dot objektivin që i afronte me titullin, por gjithsesi kjo mbetet ështje kohe. Tom Davies tronditi shtyllën për Toffees duke iu afruar një goli që mund ti jepte armatës së trajnerit Carlo Ancelotti, një fitore të bujshme, por shifrat u ndalën në barazimin 0-0.
Ekipi i trajnerit gjerman Jurgen Klopp, i cili po afrohet ngadalë me titullin kampion në Premier League, e pati të vështirë të kalonte fortesën “Everton” pasi ekipi i Carlo Ancelotti u përmirësua në mbylljen e lojës, e madje rrezikoi edhe të fitonte. Liverpooli është 23 pikë para Manchester Cityt, i cili ka luajtur një ndeshje më pak dhe pret rivalët modestë të Burnley të hënën në mbrëmje.
Citizens duhet të humbasin pikë në atë ndeshje që Liverpool të ketë një shans për të fituar ligën kundër Crystal Palace. Por edhe nëse nuk ndodh kjo, vetëm matematika mban në lojë ekipin e trajnerit Guardiola, që është tashmë i dorëzuar.