Më shumë se 3,5 milionë ushtarët e rreshtuar në 190 divizione prisnin urdhrin e sulmit. Pakti për mossulmim territoresh ishte shkelur dhe Adolf Hitleri kishte urdhëruar nisjen e sulmit të forcave gjermane ndaj Bashkimit Sovjetik. Bëhej fjalë për “Paktin e mossulmimit” që u firmos në 23 gusht të vitit 1939, midis dy ministrave të jashtëm, Molotovit të BRSS-së dhe Von Ribentropit të Gjermanisë.
Në orën 04.00 të mëngjesit të datës 22 qershor 1941 forcat e Vermahtit nisën operacionin e koduar “Barbarosa”, një sulm rrufe nga tri drejtime të ndryshme. Qëllimi i Gjermanisë ishte eliminimi i përhershëm i kërcënimit të perceptuar të shtetit komunist dhe pushtimi i territoreve kryesore brenda Bashkimit Sovjetik, që kishte shënjestruar që nga vitet ‘20.
Për rastësi apo jo, në 24 qershor 1812, armata e madhe e Napoleon Bonapartit, e përbërë nga 650000 ushtarë, kishte kaluar lumin Niemen, i cili ishte kufiri midis dukatit të Varshavës dhe Rusisë. Në këtë mënyrë edhe Franca kishte filluar fushatën kundër Rusisë. Por nuk ia kishte dalë dot.
Armatimi
Përveç numrit të madh të trupave, të shtrira në vijën e parë të frontit, që kapte një gjatësi prej 2900 km, në luftë u përfshinë edhe kuaj, mjete motorike, si dhe aviacioni.
Gjermanët, për gjithsej 3500000 burra, kishin 19 divizione të blinduara dhe 14 të motorizuara, 3300 tanke, 600000 mjete të motorizuara (transport trupash, armë vetëlëvizëse dhe automjete antitank) mbi 7000 gryka artilerie, si dhe 2770 avionë dhe rreth 625000 kuaj.
Me gjithë forcat e shteteve aleate, sasia e përgjithshme për luftë kundër Bashkimit Sovjetik përbëhej nga 190 divizione me 3410 tanke.
Nga ana e tyre, sovjetikët vendosën 202 divizione në të gjithë frontin lindor. Ushtria e Kuqe kishte gjithsej 303 divizione me 4700000 ushtarë, përfshirë 2500000 të vendosur për të ruajtur frontin perëndimor; 20 korpuse të mekanizuara, secila me dy divizione të blinduara dhe një të mekanizuar, ishin pozicionuar në distanca që varionin nga 50 deri në 400 kilometra nga linjat e para. Disponueshmëria e armatimit të rëndë në Ushtrinë e Kuqe ishte shumë e madhe, me mbi 17000 automjete të blinduara, por automjetet moderne ishin vetëm 1475 midis T-34 dhe KV-1, ndërsa shumica ishin modele të lehta të tipit BT-5, BT-7, T- 26; për më tepër, organet e mekanizuara kishin mangësi serioze në trajnim, mbështetje logjistike dhe përgatitje teknike; kishte edhe divizione të shumta kalorësish që do të dëshmonin se qenë të dobishme në terrene të përafërta dhe kënetore dhe gjatë kundërsulmit dimëror. Më në fund, aviacioni kishte pothuajse 20000 avionë, por edhe në këtë rast inferioriteti teknik i mjeteve, stërvitja e dobët dhe përvoja modeste taktike do të shkaktonin humbje serioze krahasuar me ato të forca ajrore gjermane.
Operacioni “Barbarosa”
Operacioni i madh i gjermanëve kundër Rusisë sovjetike u quajt “Barbarosa”, për nder të Frederik Barbarosës, perandor i shenjtë romak dhe mbret i Gjermanisë (1152 – 1190), që kishte luajtur rol në bashkimin e fiseve gjermanike. Zbatimi i planit Barbarosa ishte autorizuar nga Hitleri më 18 dhjetor 1940, duke caktuar datën e fillimi më 15 maj 1941; por kjo datë u shty, për shkak se Gjermanisë i duhej t’i shkonte në ndihmë Italisë që pësoi humbje në luftën me Greqinë; kështu sulmi ndaj Rusisë u shty për më 22 qershor 1941 – shumë historianë thonë se kjo vonesë solli edhe disfatën gjermane; sikur operacioni Barbarosa të kishte filluar një muaj më herët (në maj dhe jo në qershor), ushtarët gjermanë nuk do ta kishin provuar dimrin e ashpër rus, dhe historia ndoshta do të ishte shkruar ndryshe.
Trupat gjermane nisën ofensivën ndaj BRSS-së në tri drejtime: në lindje (Grupi i Ushtrisë “Qendra”) për në Moskë, në juglindje (Grupi i Ushtrisë “Jugu”) për në Kiev dhe në verilindje (Grupi i Ushtrisë “Veriu”) deri në Leningrad. Ushtria e Kuqe që ndodhej në pjesën perëndimore të Bashkimit Sovjetik do të pësonte humbje të mëdha. Përballë kësaj situate sovjetikët u tërhoqën për në Urale, duke marrë atë që mund të merrnin dhe duke shkatërruar atë që nuk mund ta merrnin. Asgjë nuk duhet të binte në dorë të armikut (një strategji kjo që është përdorur edhe kundër Napoleon Bonapartit). Në Urale rusët do të mund të rigrupoheshin dhe furnizimi i Ushtrisë së Kuqe mund të bëhej i mundur.
Thyerja e Vermahtit
Së bashku me ushtritë gjermane, u rreshtuan dhe ushtritë e Italisë, Rumanisë, Hungarisë, Finlandës dhe formacioneve vullnetare nga Kroacia, Sllovakia, Spanja, Holanda, Norvegjia, Suedia, Danimarka dhe vendet e tjera evropiane që sulmuan BRSS-në. Në dhjetor të po atij viti, Trupat gjermane kishin arritur në dyert e Leningradit, dyert e Moskës dhe Rostov.
Arritja deri aty kishte qenë e mundimshme për gjermanët. Ata kishin humbur 23% të ushtrisë që kishte sulmuar në fillim. Megjithatë, gjermanët vazhdonin të avanconin. Dimri i fortë i Rusisë do të bënte që ata të ndaleshin. Në këto kushte ishte i pamundur realizimi i Blitzkrieg (sulm rrufe), sepse tanket nuk mund të manovronin aq thjeshtë në fushat e mbuluara me borë. Gjermanët e kishin nënvlerësuar numrin e madh të ushtarëve që Ushtria e Kuqe kishte nën dispozicion. Ushtarët gjermanë nuk ishin të pajisur mirë për një mot të tillë. Mungonin mjetet e transportit dhe makineritë nuk i bënin dot ballë motit të ftohtë, duke marrë parasysh teknologjinë e atëhershme. Trupat gjermane filluan të demoralizohen nga luftimet e pafundme dhe ardhja e trupave të reja nga Siberia. Këto trupa ishin të shumta dhe drejtoheshin nga gjenerali Zhukov, një gjeneral ky me përvojë nga Lufta e Parë Botërore.
Gjithashtu, ushtarët sovjetikë ishin mësuar me kushtet e ashpra të motit. Gjermania kishte avancuar shumë përpara, por kësaj radhe sovjetikët do të “kthenin përgjigje”. Më 5 dhjetor sovjetikët kundërsulmuan dhe i detyruan trupat gjermane të ktheheshin mbrapa rreth 150-250 kilometra. Kjo ishte thyerja e parë e gjermanëve në luftë.
Përgatiti për botim: Leonard Veizi