Fokusi këtë vit është Europa League pasi Champions është “vite dritë” larg por edhe pse pa synime primare, Milan po bën të pamundurën të ringrihet në një sezon të copëtuar nga pandemia. Për këtë shërbeu dhe fitorja e thellë këtë të hënë.
Lecce-Milan doli 1-4 në stadiumin Via del Mare. Kampionati i Milan filloi kështu përsëri me një fitore të jashtëzakonshme larg San Siros, me kuqezinjtë të cilët pa të dëmtuarin Zlatan Ibrahimovic, janë mbështetur në cilësinë e pjesës së mbetur të ofensivës, që nuk zhgënjeu.
Avantazhi i Castillejo në minutën e 26-të në pjesën e parë ishte goli i vetëm deri në pushim dhe pastaj Milan u duk sikur u shfrenua pas frikës që mori në barazimin e Mancosu. Kapiteni i Lecce transformoi në gol një penallti. Një minutë më vonë Bonaventura përfitoi nga gabimi i Gabriel duke i dhënë epërsinë sërish miqve, e pastaj golat e Rebic dhe Leao mbyllën çdo diskutim.
Ndeshja në Via del Mare nuk ka më histori… Milan lë veronën e Kumbullës pas krahëve dhe lë Lecce të trajnerit Liverani mes një mijë e një halleve.