Në tre muaj regjistrohen shtatë raste të abuzimit seksual ku kryesisht pre kanë rënë të mitur dhe të pamundur fizikisht e mendërisht. Rasti më i fundit i arrestimit të dy vëllezërve në Kukës, që zbuzuan me një 20-vjeçare me probleme fizike dhe mendore
Rastet e abuzimeve seksuale janë kthyer në një fenomen mjaft shqetësues për shoqërinë shqiptare. Fatkeqësisht, në muajt e fundit ngjarje të tilla tepër të rënda kanë ardhur në rritje, ku shpeshherë dhuna dhe abuzimet seksuale lënë pasoja fizike dhe psikolgjike tek të abuzuarat. Viktima dhe pre të abuzueseve shpesh herë kanë qenë të miturit, apo edhe persona me aftësi të kufizuara e probleme të shëndetit mendor. Titujt e portaleve, por edhe kanalet informative do të tronditnin opinionin publik mëngjesin e djeshëm, me raportimin një ngjarjeje sa monstruoze, aq edhe tragjike, ku dy vëllezër u vunë në pranga, pasi akuzohen se abuzuan seksualisht me një vajzë me probleme të shëndetit mendor. Sipas policisë, në pranga përfunduan dy vëllezër nga Lomja e Kukësit, të identifikuar me inicialet Xh. H., 31 vjeç dhe M. H., 24 vjeç. Dy të rinjtë u arrestuan pasi dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase kosovare, 20 vjeçe, duke përfituar nga pazotësia fizike dhe mendore e saj. E reja, nga fshati Kilen i Kosovës, kishte shkuar e vetme në Kukës mesditën e së premtes dhe prej tri ditësh kishte humbur kontaktet me familjarët e saj. Sipas burimeve zyrtare nga policia, vajza ka shkuar në Kukës me autobusin e linjës Kosovë-Morinë. Pasi ka mbërritur në Shqipëri ajo është gjetur nga dy vëllezërit, të cilët fillimisht i kanë premtuar ta ndihmonin, por duke parë gjendjen e saj kanë abuzuar seksualisht me të. Pas denoncimit të familjarëve të së resë për zhdukjen e saj, policia kosovare nisi kërkimet për gjetjen e 20-vjeçares. Pas shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve shqiptare dhe atyre kosovare, kërkimet për gjetjen e vajzës i nisi dhe policia e Kukësit, e cilaa e gjeti vajzën në fshatin Lomje, ku dhe banonin dy vëllezërit. Gjatë marrjes në pyetje, në praninë edhe të psikologut, vajza ka treguar edhe abuzimin seksual që kanë kryer ndaj saj dy vëllezërit. Pas kësaj dëshmie policia veproi në kohë, duke bërë të mundur arrestimin e dy të rinjve. Në orët e para të mëngjesit, më konkretisht rreth orës 02:00, vajza është dërguar në Kosovë, ku po merr edhe trajtimet e nevojshme, pasi, sipas informacioneve të siguruara nga gazeta “Fjala”, ajo është në gjendje të rëndë psikologjike. Këtë e ka konfirmuar edhe babai i 20-vjeçares. Në një prononcim për mediat, lidhur me ngjarjen e rëndë, ai është shprehur se vajza është në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa ndryshe nga policia pretendon se autori i kësaj ngjarjeje të rëndë nuk është arrestuar. “Gjendja e saj nuk është e mirë. E kanë marrë në Kukës. Dy i kanë burgosur dje edhe njëri është në kërkim. Ai që është kryesori, është në kërkim”, ka thënë Milazim Berisha, babai i vajzës. Gjithashtu, ai ka thënë se 20-vjeçarja është në gjendje të rëndë psikologjike, ku ka tentuar edhe t’i vërë flakën vetes. Ndaj dy vëllezërve të arrestuar nga policia e Kukësit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Kukësit. Ata akuzohen për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Në tre muaj 7 raste abuzimi
Abuzimet seksuale dita-ditës po rriten me një bilanc të frikshëm, ku në tre muajit e fundit, sipas burimeve zyrtare të policisë, janë shënuar plot 7 raste. Abuzuesit përfitojnë në mënyrë çnjerëzore, kur personat e abuzuar nuk kanë mundësi fizike për t’u mbrojtur, si rasti i djeshëm, apo edhe duke i shantazhuar ato në forma të ndryshme. Gjithashtu, nuk kanë munguar as ngacmimet seksuale ndaj të miturve, ku rasti më i rëndë ishte ai i disa ditëve më parë në Berat, ku një 48-vjeçar, u arrestua pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 5-vjeçare. Ky rast mori përmasa edhe më tragjike, ku Sokol Kapinova, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, ka pranuar krimin e rëndë, duke mos shfaqur asnjë shenjë pendese. Ai tregoi përballë gjykatës edhe se si e kishte mashtruar të miturën. Gjatë dëshmisë së dhënë në sallën e gjyqit, Kapinova ka treguar se ishin dy vajza që ai ka futur në banesë, 5 dhe 7 vjeç. 48-vjeçari është shprehur se i ka mashtruar vajzat me ëmbëlsira, teksa ishin duke luajtur në oborrin e pallatit. Pasi i ka futur në banesë, ai ka ngacmuar seksualisht 5-vjeçaren. Në këtë moment vajza tjetër ka nisur të bërtasë, duke kërkuar ndihmë. Pas kësaj Kapinova i ka nxjerrë fëmijët nga shtëpia e tij, por 7-vjeçarja u ka treguar prindërve në lidhje me ngjarjen e rëndë. Ngacmimi seksual ndaj 5-vjeçares është vërtetuar edhe nga analiza mjekësore. Autori ishte fqinj me familjen e dy vajzave të mitura dhe nga banorët e lagjes ai njihej si përdorues i rregullt i alkoolit.
Abuzimi i 15-vjeçares nga roja
Në fund të muajit maj një ngjarje e rëndë tronditi mbarë opinion publik, ku një skandal seksual do të zbulohej në në periferi të Tiranës. Roja i shkollës 9-vjeçare Babrru, Abaz Doga, 65-vjeç, prej gati një viti kishte abuzuar seksualisht me një 15-vjeçare. Për këtë ngjarje policia e Tiranës arrestoi edhe tre djem të rinj, me akuzën e marrëdhënies seksuale me dhunë me të mitur. Roja i shkollës i kishte bërë video intime të miturës, të cilën më pas ua kishte shpërndarë disa të rinjve. Përmes shantazhit dhe nën kërcënimin se do ta shpërndanin videon intime, shtetasit K. P., 20 vjeç, R. O., 16 vjeç dhe F. B., 15 vjeç, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën. Sipas dosjes hetimore, një pjesë të së cilës gazeta “Fjala” e disponon, ka qenë e mitura e cila rreth një javë përpara se të arrestoheshin katër personat e lartpërmendur, së bashku me nënën e saj ka shkuar në komisariatin nr. 5, në kryeqytet, ku ka denoncuar abuzimin e rojës së shkollës dhe tre të rinjve. Në dëshminë e saj minorenia ka rrëfyer se ka kryer marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj, ku Abaz Doga e ka detyruar herën e parë të kryejë marrëdhënie intime me të, duke e kërcënuar se e kishte fotografuar me një djalë dhe imazhet do t’ua tregonte të gjithëve. Sipas saj, abuzimi kish nisur rreth një vit më parë, qëkur ajo ka qenë në shkollën fillore, ku i moshuari punonte si rojë.
Dy të rinj përdhunuan të renë në banesë
Më 13 maj të këtij viti pre e abuzimit seksual ka rënë një vajzë 23-vjeçare. Sipas denoncimit që ajo bëri në polici, dy të rinj i kanë shkuar në banesë dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me forcë me të. Më pas ata i kanë kërkuar që vajza t’u japë të gjitha paratë që kishte, ndryshe do ta vrisnin. Ishte vajza ajo që denoncoi ngjarjen dhe autorët janë arrestuar. Për këtë ngjarje policia vuri në pranga shtetasit me inicialet M. G., 26 vjeç dhe O. A., 25 vjeç, të dy banues në Fier.
72-vjeçari abuzon seksualisht me adoleshenten
Në muajin prill një tjetër rast pedofilie u zbulua në qytetin jugor të Sarndës. Më 21 prill uniformat blu vunë në pranga një 72-vjeçar, pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur 17-vjeçare. I moshuari, i cili ishte mik me babanë e vajzës, ka abuzuar sistematikisht dhe në kohë të ndryshme me të miturën. Pas ndalimit nga policia, ai ka pranuar kryerjen e aktit të rëndë, duke u shprehur se nuk ka ushtruar dhunë, pasi vajza ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirën e saj.
I dashuri detyron 19-vjeçaren të kryejë marrëdhënie me shokët
Në muajin mars një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar në Këlcyrë. Një 19-vjeçare u abuzua seksualisht nga disa gjimnazistë të moshës 17-18-vjeçare. Vajza e abuzuar ishte në një lidhje me njërin prej djemve, i cili e kërcënonte vazhdimisht me një video intime për ta detyruar që të kryenin raporte seksuale, derisa përfundoi duke e përdhunuar së bashku me shokët e tij. Ka qenë vetë 19-vjeçarja ajo që ka bërë denoncimin e përdhunimit.
Marshimi kundër dhunës e abuzimit seksual, që i dha shpresë shoqërisë
“Për fëmijërinë e vjedhur”, “Mbroni vajzat, jo pedofilët”, ”Pse nuk raportojmë”, “Marshoj për vajzën dhe mbesat e mia”, ”Mos përdhuno”, “Vajza jote nuk ka asnjë faj”, “Motra jote nuk bëri asgjë gabim”, e shumë pankarta të këtij lloji, ishin disa nga sloganet e marshimit të datës 5 qershor, kundër dhunës ndaj të miturve dhe abuzimit seksual. Reagimi i qytetarëve erdhi pas denoncimit të abuzimit seksual të së miturës nga mosha 12 deri në 15-vjeç, nga një 65-vjeçar, ish-rojë e shkollës “Azem Hajdari” në Babrru. Ngjarja e cila tronditi opinion publik solli një reagim të fortë, ku mijëra qytetarë u solidarizuan dhe mbushën sheshin pasditen e së enjtes të datës 5 qershor. Gra, vajza, gjimnazistë, studentë dhe shumë aktivistë marshuan me pankarta në duar për t’i thënë stop dhunës seksuale në Shqipëri, e cila kohët e fundit ka marrë përmasa të frikshme. Duke marrë shkas nga rasti i abuzimit kundër dëshirës së saj të 15-vjeçares nga roja i shkollës, ku ajo kishte shkuar për të mësuar, aktivistët dhe protestuesit kërkuan rritjen e masës së dënimit ndaj abuzuesve dhe një rol më aktiv të shkollës në parandalimin dhe trajtimin e këtyre rasteve. Por, marshimi i datës 5 qershor kundër këtij fenomeni u shpërnda dhe në qytetet të tjera. Dhjetëra të rinj marshuan në Durrës, Korçë, Vlorë, Elbasan dhe Lezhë, ku me pankarta në duar dhanë mesazhe kundër abuzimit seksual të vajzave e grave dhe heshtjes së shoqërisë. Gjithashtu, protestuesit e vendosën theksin edhe te puna jo e frytshme e Policisë së Shtetit dhe gjykatave të vendit, ku sipas tyre në shumë raste vendimet për abuzuesit kanë qenë minimale.
/En.Br./Fjala.al