Aktakuzat/ Osmani: Kosovës i duhet drejtësi, por Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet

Ish-kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani shkruan se Kosovës i duhet drejtësi dhe ajo duhet të kryhet në mënyrë të pavarur e pa presion. Më tej ajo shton se Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet ndaj civilëve të Kosovës, duke e quajtur Serbinë shtet gjenocidal.

“Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi. I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion.

Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë.“/Re.Gu/Fjala.al