Në prag të një takimi të nivelit të lartë Kosovë-Serbi, në Uashington, Prokuroria Speciale ka ngritur akuza për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe 9 ish-udhëheqësve të UÇK-së. Thaçi anulon udhëtimin në SHBA, ndërsa Brukseli kërkon të rimarrë rolin ndërmjetësues në dialog.
Nga Blerina Gjoka
21 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, njëri nga udhëheqësit e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përballet me akuzën për krime lufte. Zyra e Prokurorit të Specializuar në Prishtinë ka dorëzuar një aktakuzë ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ku ata dhe disa persona të tjerë dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 personave. Akuza u bë publike 3 ditë para një takimi të rëndësishëm në Uashington, mes Thaçit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për një marrëveshje të mundshme mes dy vendeve, të negociuar nga i dërguari special i presidentit Trump, Richard Grenell. Thaçi e anuloi pjesëmarrjen e tij menjëherë pasi akuza u bë publike, ndërsa takimi i nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë nuk është anuluar dhe do të jetë kryeministri i ri, Avdullah Hoti, ai që do të përfaqësojë Kosovën. Ndërkohë Bashkimi Evropian që ka udhëhequr bisedimet Kosovë-Serbi prej shumë vitesh, po kërkon të rimarrë rolin e protagonistit në këto negociata. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së do të presin sot në Bruksel kryeministrin Hoti dhe presidentin serb Vuçic, para se ata të nisen për në SHBA.
Akuza
Akuza e hartuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Thaçi, dhe kreut të PDK-së, Veseli, është ngritur që më datë 28 prill, por vetëm dje u bë publike me anë të një njoftimi zyrtar për shtyp. Thaçi dhe Veseli, sipas këtij njoftimi, janë të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në aktakuzë pretendohet se të dy ata dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara; shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Gjykatësi i procedurës paraprake po e shqyrton aktakuzën dhe do të marrë vendim, nëse do ta konfirmojë atë. “Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e prokurorit të specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm” thuhet në njoftimin e zyrës së prokurorit. Prokurori Special, po ashtu, akuzon Thaçin dhe Veselin se kanë tentuar të pengojnë dhe sabotojnë punën e Gjykatës së Posaçme. Sipas kësaj gjykate, besohet se zoti Thaçi dhe zoti Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe kanë penguar punën e saj në orvatje për t’iu shmangur drejtësisë. Akuza po shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme që më datë 28 prill, kur Prokuroria e Posaçme tha se “përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveç se kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”. Gjykata e Posaçme, e cila me emrin ‘Dhomat e Specializuara’ vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga Parlamenti i Kosovës dhe krijimi i saj u nxit nga hetimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili kishte bindjen se disa prej ish-drejtuesve të UÇK-së ishin përfshirë në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Veseli i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit për krime dhe ka ngritur dyshime se aktakuzat kanë qëllime politike. Lideri i PDK-së tha se në një veprim të paprecedentë, prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon.
Negociatat, do të drejtohen nga SHBA-ja apo BE-ja?!
Hashim Thaçi ishte nisur për në SHBA kur në Prishtinë u shpall i pandehur. Ai ka ndërprerë udhëtimin dhe sot do të kthehet në Kosovë – njoftoi zyra e shtypit e Presidencës. Negociatori amerikan Grenell nuk e anuloi takimin e ditës së shtunë, pavarësisht zhvillimeve të reja të rëndësishme në Kosovë që kanë mbushur tashmë faqet kryesore të mediave në botë. Pas një investimi disamujor në Beograd dhe Prishtinë, ai shpreson të finalizojë një marrëveshje mes dy vendeve. “E respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime, derisa të zgjidhen këto çështje. Presim diskutimet e së shtunës, të cilat do të udhëhiqen nga presidenti Vuçiç dhe kryeministri Hoti”, shkruajti ai në twitter. Bashkimi Evropian, në një reagim pas ngritjes së akuzave ndaj Thaçit, tha se mbështet punën e Prokurorisë Speciale. “Nuk i komentojmë procedurat e Zyrës së Prokurorit të Special dhe të Dhomave të Specializuara dhe të gjitha pyetjet në lidhje me punën dhe procedurat duhet t’u drejtohen atyre. Ato janë demonstrim i rëndësishëm i angazhimit të Kosovës për sundim të ligjit, që është një element thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit në BE dhe për angazhimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor në tërësi”. – ka komentuar zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano. Ndërkohë Brukseli nuk duket i kënaqur me rolin që po merr SHBA-ja në negociatat Kosovë-Serbi. Zyrtarët e lartë të BE-së kanë thirrur në takim kryeministrin e Kosovës dhe presidentin serb sot, para se ata të nisen për në SHBA, ndërsa media shtetërore gjermane Deutche-Welle bën të ditur se Berlini dhe Parisi përshpejtojnë hapat në dialogun Kosovë-Serbi. “Ftesa do t’u bëhet ndër te tjera si kryeministrit Hoti, ashtu edhe presidentit Thaçi, dhe homologëve të tyre serbë. Takimi i nivelit të lartë do të jetë real, jo virtual. Dhe pritet të bëhet në javën e dytë të korrikut. Kjo konferencë qe planifikuar të bëhej një vit më parë, po në korrik, kur e ngarkuara e Komisionit të BE-për Politikën e Jashtme ishte Federica Mogherini. Tani kemi një komision të ri, dhe një të ngarkuar të ri për bisedimet, pra, Miroslav Lajçak, i cili gëzon besimin e plotë si të Francës, ashtu edhe të Berlinit”- shkruan DW.
Reagimet në Prishtinë dhe Tiranë: Lufta ishte e drejtë!
Politika zyrtare shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë ka qenë gjithmonë në mbrojtje të luftës së bërë nga UÇK-ja sa herë ka pasur akuza nga Haga për ish-drejtuesit e saj.
Albin Kurti:
“Ajo që po shohim është pasojë e re e gabimeve të moçme. Nuk e di a është e qëllimshme, para nisjes së dialogut në Uashington, e di që lufta e UÇK-së është luftë e drejtë, është luftë kundër një agresori dhe okupatori që kishte kryer gjenocid dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët e invalidët e UÇK-së, edhe politikisht e historikisht janë në të drejtën e tyre. S’do mend që kjo ngritje e aktakuzave dëmton reputacionin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Besoj në pafajësinë e UÇK-së dhe mendoj që Kosova qysh moti është dashur ta ketë gjykatën e vet të pavarur, që t’i hetojë dhe t’i gjykojë krimet e luftës dhe të paqes e, mbi të gjitha, ato që janë shkaktuar nga Serbia”.
Ramush Haradinaj:
“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviçit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë”.
Ilir Meta:
“Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj evropiane dhe të rajonit tonë. Ne besojmë në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre. Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri.”
Edi Rama:
“Qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem por nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time! Jam e do të jem deri në fund në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta shprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Evropës! Rroftë Kosova dhe sot, më shumë se kurrë, nderim udhëheqësve të luftës çlirimtare”.
/En.Br./Fjala.al