Nëse Partia Demokratike do të zbatojë germë për germë udhëzimin e publikuar së fundmi për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për në kuvendin e ardhshëm, atëherë mund të thuhet qartazi se kemi të bëjmë me lëvizjen më të guximshme që një forcë politike ka bërë gjatë këtyre tri dekadave demokraci.
Edhe pse kjo mënyrë përzgjedhje teorikisht do të duhej të ishte një “rutinë partiake”, fakt i pakundërshtueshëm ka qenë dhe është ende, se për të shkuar në Parlamentin e Shqipërisë, më e pakta duhej të kishe përzemërsinë e kryetarit të partisë. Por me udhëzimin e nxjerrë Lulzim Basha ia ka hequr këtë “luks” vetvetes, duke bërë kështu një hap të madh drejt demokratizimit të kësaj partie.
A është ky një gjest largpamësie i kryetarit Basha, apo një lloj “mea culpa” fundore e asaj liste që vetë ai bëri në 2017-n, në të dyja rastet, demokratët fitojnë po aq shumë sa edhe shqiptarët, pavarësisht nëse këta të fundit janë apo jo votues të bindur të kësaj force politike.
Sipas udhëzimit, edhe pse nuk kemi të bëjmë me një “listë të hapur”, kandidatësh, mënyra se si do të filtrohen këta të fundit është edhe më bindëse dhe më e mira e mundshme. Kjo pasi eliminohet më së pari lufta brenda llojit. Listat e hapura vetvetiu lëshojnë istikame brenda partisë, ku kandidatët për deputetë do të yshten me të gjithë forcën e tyre që të marrin sa më shumë vota, kjo më së pari brenda “familjes së vet” ku aderojnë. Kjo gjë normalisht shton inatet e përbrendshme dhe në kushtet e Shqipërisë, pse jo edhe konflikte brenda së njëjtës listë të partisë.
Kështu, me lista të hapura çdo kandidat i PD-së apo i çdo partie tjetër, më shumë do të mendojë se sa vota do të marrë ai vetë brenda llojit, sesa të punojë që t’i marrë sa më shumë vota kundërshtarit politik (atij të Partisë Socialiste p.sh). Ndërsa udhëzimi i ri i PD-së, duket se shuan çdo konflikt apo pakënaqësi të mundshme brenda partisë, pasi çdo anëtar, nga njëra anë, e ka mundësinë e kandidimit dhe, nga ana tjetër, askush nga këta nuk do të mund të mbajë më shumë se një post.
Pra, nëse kryetari i degës “X” të PD-së dëshiron të vihet në listën e kandidimit, pavarësisht nëse ai do të mund t’i kalojë apo jo të gjithë filtrat e përzgjedhjes (janë 4 të tillë), do duhet që menjëherë të japë dorëheqjen nga posti që mban. Në këtë mënyrë, vihet në funksion, teorikisht dhe praktikisht, aksioma “i barabartë mes të barabartëve”.
Së dyti, edhe pse në pamje të parë nuk kemi të bëjmë me një hapje totale të partisë si në 2005-n, fakti që kemi të bëjmë një një lloj përzgjedhjeje, fiks si në “primaret” amerikane, i jep mundësi cilitdo anëtar ose jo që të pretendojë të përfaqësojë elektoratin blu në Kuvend.
Madje, hartuesit e udhëzimit kanë shkuar edhe më tej, teksa kanë parashikuar edhe një lloj “korrupsioni rajonal”, ku individë të caktuar mund të bllokojnë listen, duke votuar vetëm për vetveten ose “miqtë e tyre”. Në këtë rast është parashikuar që çdo kandidat është i lirë të paraqesë pranë sekretarit të përgjithshëm të PD-së një listë me 10 firma për t’u marrë në konsideratë si kandidat i mundshëm.
Kjo qasje i hap rrugë një numri të konsiderueshëm njerëzish me personalitet, të cilët jo domosdoshmërisht gjatë këtyre viteve kanë bërë “jetë partie”. Së treti, këto “primare” krijojnë në vetvete një lloj baze të gjerë të asaj që nesër mund të konsiderohet si qeverisja e re e vendit, gjithnjë nëse PD-ja do të mund të krijojë aq besim te votuesi, sa të përmbysë rezultatin katastrofik të 2017-s.
Fakti se lista paraprake mund të jetë me më shumë se 300 kandidatë, të gjithë këtë do të mund të konsiderohen si “armata blu” për zgjedhjet e prillit 2021 (gjasat më të mëdha janë që presidenti të dekretojë 18 prillin si datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare).
Si përfundim, PD-ja duket se ka vënë një “gur themeli” në ndërtimin e meritokracisë brenda vetvetes, çka me shumë gjasa nga njëra anë mund të sjellë jo pak fytyra të reja me integritet, që ndoshta për një mijë e një arsye nuk kanë qenë kaq mediatike dhe afër partisë dhe, nga ana tjetër, të nxjerrë “jashtë loje”, një grup burokratësh që prej vitesh ishin në krye të listës, por ndikimi i tyre në elektorat ka qenë thuajse inekzistent. Kësisoj “primaret”, vetvetiu “largojnë butësisht” këtë lloj kaste brenda PD-së, e cila nuk do ketë as shansin të lëshojë britma urrejtjeje ndaj Lulzim Bashës, për faktin se nuk janë në listë, sikundër ndodhi me disa nga figurat më të larta të kësaj partie (Topalli, Patozi, Imami etj), pas 2017-s.
Në rastin konkret, falë këtij udhëzimi, Basha “lan duart” me gjithkënd që më shumë i ka marrë nga çka i ka dhënë PD-së, sidomos gjatë viteve të fundit.ka.ta/Fjala.al/