Shefki Karadaku, poeti që ka hyrë me dinjitet në letërsinë shqipe

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shefki Karadaku, një nga krijuesit e vërtetë të letërsisë shqipe, ndihet tejet i nderuar që në 79-vjetorin e lindjes është plot vitalitet krijues. Në fondin krijues të këtij autori gjen një mori veprash që përcjellin emocione të freskëta, me origjinalitet të këndshëm e të besueshëm, plot humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore.

Nga Leonard Veizi

Me një karrierë krijuese prej më shumë se gjysmë shekulli, ai u lind në Elbasan, më 9 qershor të vitit 1941, në një lagje tradicionale dhe studioi për letërsi. Në të vërtetë për poetin dhe shkrimtarin e njohur Shefki Karadaku janë bërë studime, artikuj studimorë, edhe nga të huajt, si studiuesja gjermane Erika Beerman.

Ai portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës. Një studim më konkret për krijimtarinë e tij e gjejmë te libri “Absurdi mbretëror” – (Shënime kritike, ese, këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut), në të cilin autori i 38 veprave letrare në prozë e në poezi, portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës së tij. I sigurt në temën e tij letrare, i pajisur me talent dhe dije, Karadaku vërshoi në shtypin letrar të viteve ’65-‘70 i gatshëm estetikisht për të rivitalizuar, midis të tjerash, lirikën shqipe të dashurisë.

Karadaku erdhi në letërsinë shqipe me poezi të lirikës së ngrohtë dhe frymëzuese, jo aq në kuptimin social të fjalës, sesa në atë të rebelimit gjuhësor dhe tematik. Përqafimi i modernes, me respektimin e mjeteve poetike të gjithëkohshme, gradualisht e bëri poezinë e tij të kthjellët në strukturat e saj, të ndjeshme ndaj formave poetike të tilla, si ndaj vargut, rimës, kadencës.

Kështu, respekti ndaj një tradite poetike shqiptare e botërore u gërshetua me risitë, duke u dhënë kristalizim të dyja prirjeve të tij rinovuese, asaj në gjuhë dhe asaj në përmbajtje. Ndër të paktët poetë që refuzuan ta shkruajnë poemën sintezë – një hibrid letrar i diktuar dhe promovuar zyrtarisht – Karadaku preferoi të shkruajë lirika të lidhura me fije tematike, duke i bërë vëllimet e tij, nga pikëpamja kompozicionale, poema fragmentare.

Te organizimi gjuhësor dhe begatia e imazheve, vlerësoi atë që quhet stil, një mënyrë e re e të vështruarit të botës, në mos, krijimin e një realiteti të ri, krejt origjinal, krejt vetjak. Me këtë prirje moderne lidhet prania e elementeve specifike formale të vjershërimit në krijimtarinë e tij, me vargun e lirë e të shpenguar, me dendurinë e figurave të befta e deri ekstravagante, me tendencën pothuaj obsesive për një ligjërim jostandard, jotradicional.

Lexo edhe :  Slayer – spektakël, gjak, kaos dhe disa nga këngët më të mëdha të metalit

Ky modernitet, do të gjejë shprehjen e vet, veçanërisht në zbulimin multidimensional të psikikës dhe shpirtit të njeriut, pra, duke e parë atë në mënyrë komplekse, ku gërshetohen racionalja dhe irracionalja, të njohurat dhe misteret, ana sociale dhe biologjike e njeriut. Janë metafora të atilla, që, siç thotë një teoricien i sotëm i shquar, “qëndrojnë pikërisht në pikën ku prodhohet kuptimi në të pakuptimtën”.

Karadaku është një nga përfaqësuesit më të spikatur për gjininë e lirikës ku absorbohen përvojat e poetikave tradicionale me ato moderne e avangardiste evropiane dhe realizohet kundërvënia ndaj traditës letrare. Tipare të futurizmit, ekspresionizmit, surrealizmit, madje dhe krepuskolarizmit janë përthithur dhe pasqyruar në poetikat e këtij autori.

Ndërthurja e tyre me përvojat individuale ka sjellë një poezi të re që u përgjigjet ndryshimeve të shoqërisë shqiptare, si dhe kërkesave të vetë sistemit letrar shqiptar.  Nga veprat e tij më të njohura përmendim: “Një mijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, “Garderoba e ofiqarit gri”, “Puthja e ngrirë”, “Apokalipsi i gjetheve”, “Argonautët ose 100 ditët shqiptare që tronditën botën”, “Sagë mbretërore” etj. Karadaku është poet i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore, poet i problemeve historike dhe shoqërore.

Vëllimi poetik më i fundit “Trokas” përshkohet nga një fill i hollë lirike dhe malli prekës për vendlindjen e tij Elbasanin. Ai u vendos në Tiranë që kur ishte ende në vitet shkollore dhe, pas studimeve, filloi punë si redaktor në revistën prestigjioze “Ylli”, e cila, për koicidencë të një sensi supersticioz, i kishte zyrat e redaksisë në Rrugën e Elbasanit, pranë Urës së Tabakëve. N’asnjë libër poetik, të cilët ai i krijoi dhe i botoi njëri pas tjetrit, nuk mungon Elbasani; Karadaku është ajo kumria që s’e tradhtoi kurrë…

Do të dal në rrugë/ Të kap një makinë çfarëdo/ Të hidhem në vendlindje/ Që zemërohet kur s’më sheh…

Poeti grish lexuesin për humanizëm në emër të dashurisë, mirësisë e urtësisë. Shkrimtarë si Karadaku, të cilët kanë sjellë risi të padiskutueshme në letërsinë tonë, meritojnë gjithmonë vëmendje. Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera evropiane.ka.ta/Fjala.al/

Të fundit

Korrik 1995/ Masakra e Srebrenicës, një nga kapitujt më të errët të Evropës moderne

Në korrik të vitit 1995, në përfundim të Luftës së Bosnjës (1992–1995), ndodhi një prej krimeve më të rënda...

Izraeli sulmon nga ajri Gazën, raportohet për të paktën 33 viktima

Sulmet ajrore izraelite i kanë vrarë të paktën 33 palestinezë në Gazë, thanë zyrtarët shëndetësorë të dielën, ndërsa ushtria izraelite njoftoi se ka goditur...

‘Largohem pa pengje’, Dhurata Çupi: Partia Demokratike kërkon reformim, por…

Të enjten që lamë pas, Kuvendi mbylli dyert. Për disa deputetë për t’u rikthyer në shtator, e për 83 të tjerët seanca e 3...

Tragjedi në Mirditë/ 47-vjeçari humb jetën, dyshohet se helmoi veten

Një 47-vjeçar nga Mirdita ka humbur jetën në spitalin e Rrëshenit. Paraprakisht dyshohet se 47-vjeçari ka helmuar veten. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin...

Policia Bashkiake ‘zgjohet nga gjumi’, liron hapësirat publike, gjoba për automjetet

Vijojnë kontrollet për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës pas kritikave të kryeministrit Edi Rama. Policia bën me dije se gjatë 24...

Lajme të tjera

Web TV