Milan arriti të bëjë një hap të madh për herë të parë në këtë sezon dhe fundos Romën dy me zero. Skuadra kuqezi ishte më e mira në fushë në stadiumin “San Siro” dhe tani përmirëson renditjen që duket se vjen “aromë” kupash kontinentale.
Ndeshja e cila foli më së shumti pjesën e parë për ekipin mik të trajnerit Fonseca, pati një tablo të ndryshme në fraksionin e dytë kur Milan arriti të shënonte dy herë, duke siguruar rezultatin. Rebic dhe Callhanoglu me penallti, firmosën golat. Ky sukses lançon një verdikt mjaft të qartë: Kuqezinjtë kanë të gjitha kredencialet për të pushtuar një vend “në diell”, një kualifikim në Europa League që do të përmbushte disi objektivat sezonale.
Ndërkohë Roma dhe Liga e Kampionëve bëhen diçka gjithnjë e më e largët. Nëse jo në mënyrë aritmetike, të paktën për atë që është parë në San Siro, me një gjysmëloje të dytë të dorëzuar pothuajse tërësisht te kundërshtarët, ekipi i trajnerit Fonseca nuk do arrijë dot kupën “me veshë të mëdhenj”.