Gazeta “Fjala” mëson se Prokuroria Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur pesë letërporosi drejt vendeve të BE-së për të dhëna hetimore në lidhje me katër grupe të dyshuara kriminale në trafikun e kokainës dhe një rast për terrorizëm. SPAK-u dorëzon në gjykatë dhjetëra kërkesa për përgjime
Institucioni më i ri i drejtësisë shqiptare duket se ka zgjeruar hetimet për goditjen e grupeve kriminale që e kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal jashtë kufijve. Prokuroria Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), ka kërkuar bashkëpunimin e disa vendeve të Bashkimit Evropian, për shtetas shqiptarë që janë të implikuar në trafikun ndërkombëtar të drogës. Burime nga SPAK-u thanë për gazetën “Fjala” se autoriteteve të vendeve, si Gjermania, Holanda, Spanja dhe Belgjika u janë dërguar kërkesa për bashkëpunim për identifikimin e shtetasve shqiptarë që merren me trafik droge në këto shtete. Sipas informacioneve, mësohet se me anë të letërporosive, këtyre vendeve u janë dërguar 5 kërkesa për të dhënë informacion për 5 dosje që SPAK-u po i heton. Gazeta mësoi se autoriteteve të huaja u është kërkuar ndihmë juridike për dosjet dhe personat që ka vënë nën hetim. Burime nga organi i akuzës bënë me dije se dosjet për të cilat është kërkuar material i hollësishëm nga vendet e lartpërmendura, kanë të bëjnë me trafikun e drogës. Më konkretisht janë katër dosje për trafikun ndërkombëtar të drogës, ku dyshohen të përfshirë grupe kriminale të fuqishme që e kanë shtrirë aktivitetin si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Referuar burimeve mësohet se letërporositë janë dërguar për të mësuar rreth aktiviteteve të paligjshme, ku janë implikuar disa grupe kriminale, që veprojnë në Durrës, Shkodër, Elbasan dhe në kryeqytet. Sipas burimeve, ka të dhëna se në bashkëpunim edhe me shtetas të huaj, të hetuarit kanë trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Ndërsa një dosje ku kërkohen dokumente shtesë për hetimin ka të bëjë me akte terroriste. Më konkretisht, për dosjen e akteve terroriste është kërkuar ndihma e autoriteteve gjermane. Nuk dihet se për cilën dosje bëhet fjalë dhe kush janë personat apo personi që dyshohet për terrorizëm, pasi burimet janë treguar të rezervuara.
Dosjet që varen nga përgjigjja e autoriteteve të huaja
SPAK-u është duke hetuar disa dosje të nxehta, ku janë të përfshira disa grupe të organizuara kriminale shqiptare. Një nga dosjet për të cilat SPAK-u kërkon informacion është edhe ajo e rrëmbimit dhe zhdukjes të Jak Prengës, ngjarje e ndodhur më 11 janar të këtij viti. Hetimet për rrëmbimin dhe vrasjen e Jak Prengës shtrihen edhe në Angli. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se palës angleze i kërkohet bashkëpunim. Me anë të një letërporosie hetuesit shqiptarë kërkojnë nga autoritetet e Britanisë së Madhe, dosjen e Astrit Prengës, vëllait të viktimës, i cili u rrëmbye dhe u vra për shkak se Astriti nuk dorëzoi një sasi të konsiderueshme kokaine. Mosdorëzimi i një sasie prej 283 kg kokaine është bërë shkak i pengmarrjes dhe më pas eliminimit të Jak Prengës. Hetues anglezë janë duke bashkëpunuar me policinë shqiptare për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë që janë të dyshuar për përfshirjen në pengmarrjen e babait të 5 fëmijëve në Kamëz. Ndërkohë, nga burime brenda strukturës së SPAK-ut, të dhëna hetimore u janë kërkuar edhe autoriteteve greke për të mësuar rreth personave që kanë bashkëpunuar me Aleksandër Pemën. Ky i fundit u arrestua në fillim të muajt janar, ku autoritetet greke kapën një sasi rekord kokaine, që kapte vlerën e rreth 50 milionë eurove. Pas kapjes së drogës dhe arrestimit të disa personave të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm, autoritetet greke deklaruan se shkatërrimi i kësaj organizate kriminale i dha një goditje të fortë trafikut të kokainës në zonën e Ballkanit. Hetimet lidhur me këtë organizatë ishin nisur prej të paktën 6 muajsh, pas informacioneve të marra nga autoritetet amerikane, se një sasi e madhe droge do të nisej nga Republika Domenikane me destinacion Greqinë, dhe në vazhdim do të shpërndahej në Shqipëri dhe Spanjë. Pasi u bë i mundur identifikimi i të dyshuarve, policia greke, në bashkëpunim më policinë spanjolle, atë shqiptare dhe autoritetet doganore greke, i vunë nën survejim 24 orë në 24 personat e përfshirë në këtë aktivitet. Hetimet për këtë rast u shtrinë edhe në vendin tonë, si dhe në Spanjë. Mësohet se SPAK-u u ka kërkuar informacion për këtë dosje strukturave hetimore të vendit fqinj, por edhe atyre spanjolle, për personat e përfshirë në vendin tonë në këtë aktivitet kriminal. Gjithashtu, mësohet se në Holandë dhe Belgjikë, SPAK-u ka kërkuar informacion për disa persona që janë pjesë e një grupi kriminal që operon në kryeqytet.
SPAK-u nis luftën me krimin, dorëzon në gjykata dhjetëra kërkesa për përgjime
Dhjetëra kërkesa për përgjime janë dorëzuar në Gjykatën Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga ana e SPAK-ut. Hetime të shumta janë duke u kryer nga ana e prokurorisë për goditjen e krimit të organizuar. Nga burime konfidenciale gazeta “Fjala” ka mësuar se SPAK-u, pas përfundimit të pandemisë dhe daljes së vendit nga izolimi, ka dërguar në GJKKO dhjetëra kërkesa, ku kërkohet vënia në përgjim e personave që dyshohet se merren me veprimtari kriminale. Gjashtë muaj pas ngritjes së këtij institucioni, prokurorët e SPAK-ut kanë vendosur të vënë në punë një nga “armët” më të fuqishme, atë të përgjimit. Me ndryshimet e reja ligjore që janë bërë, të drejtën për të autorizuar përgjime nuk e ka më Prokurori i Përgjithshëm, por e ka Gjykata e Posaçme e Apelit. Sipas burimeve, kreu i SPAK-ut, ka dërguar në gjykatë dhjetëra kërkesa ku ka kërkuar autorizim për të nisur përgjimet, kryesisht për disa grupe kriminale. Po ashtu, mësohet se është kërkuar dhe zgjatja e afateve për përgjimet që janë në proces, duke qenë se gjatë pandemisë ka pasur vonesa. Bashkimi Evropian një ndër kushtet kryesore për negociatat ka vënë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe SPAK-u është institucioni i vetëm që mund ta realizojë këtë kusht. Për sa i takon ligjit për përgjimet, risia është se ka ndryshime kompetencash. Deri në 2016 ishte Prokurori i Përgjithshëm ai që vendoste gjithçka, pasi kishte bërthamën e pajisjes së përgjimit. “Prokuroria kompetente paraqet kërkesën për përgjimin e komunikimeve me anë të pajisjes elektronike të komunikimit ose videosurvejimeve të fshehta në vende publike dhe private te kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose, në mungesë të tij, te zëvendëskryetari. Kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose, në mungesë të tij, zëvendëskryetari pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim për përgjim, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikimeve me anë të pajisjes elektronike të komunikimit”, thuhet në ligj.
/En.Br./Fjala.al