Zgjedhjet në prag/ Rama hap kantierët e ndërtimit, Basha nxjerr programin ekonomik

Politika shqiptare është përfshirë nga ethet e para të fushatës elektorale, edhe pse ndodhemi shumë muaj larg fushatës zyrtare për zgjedhjet e vitit 2021. Kryeministri Edi Rama po fokusohet tek investimet e qeverisë në infrastrukturë, ndërsa kryeopozitari, Lulzim Basha, te premtimet ekonomike.

Nga Blerina Gjoka

Shqipëria ndodhet në një fazë serioze të përhapjes së COVID-19, duke shënuar dje ditën më të keqe të epidemisë, me 3 vdekje brenda 24 orësh. Por, kryeministri Edi Rama, i cili në nisje të kësaj epidemie në vend, 4 muaj më parë, dilte çdo ditë në media për masat e marra ndaj saj, dje u ka kushtuar vëmendje vetëm investimeve të qeverisë, duke postuar foto nga kantierët e ndërtimeve në vend. Prej javësh tashmë fokusi i kryeministrit dhe qeverisë është te investimet në insfrastrukturë, projektin e rindërtimit pas tërmetit, investimet në mbështetje të privatëve në turizëm dhe agroturizëm. Nga ana tjetër edhe opozita nuk ka më fokus COVID-19, por demokratizimin e partisë, duke nisur një proces zgjedhjesh, ku për herë të parë do të përfshihet anëtarësia në zgjedhjen e kandidatëve për deputetë e kryebashkiakë. Po ashtu, nga selia blu ka nisur shpalosja e programit ekonomik, duke iu rikthyer premtimit për taksën e sheshtë. Në jetën e përditshme të politikanëve shqiptarë ethet e hershme të zgjedhjeve parlamentare që mbahen në pranverë të 2021-it kanë nisur. Ndryshimi i fokusit të politikës erdhi pas firmosjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore. Ky akt mirëbesimi, për të vendosur rregulluat e reja të lojës për zgjedhjet e ardhshme, më në fund arriti ta tejkalojë krizën e zgjatur politike, dhe palët kanë nisur të testojnë besimin te populli paraprakisht.

Qeveria hap kantierët e ndërtimit

Partitë që janë në pushtet kanë treguar se rruga më e lehtë për të përcjellë tek elektorati punën e qeverisë para zgjedhjeve të reja është prerja e shiritave të inaugurimeve në rrugë, shkolla e fabrika. Edhe qeveria Rama, e cila do të kërkojë një mandat të tretë në 2021-shin ka nisur përgatitjet për të prerë sa më shumë shirita projektesh infrastrukturore. “Programi i Rindërtimit, sot punohet në 33 kantierë shkollash të reja në zonat e prekura nga tërmeti dhe në kantierin e parë të lagjeve të reja të banimit (Fushë-Krujë), ku po ndërtohet infrastruktura nëntokësore. Javën e ardhshme e gjatë gjithë korrikut do të vijojë hapja e kantierëve të rinj dhe do të nisë pak nga pak edhe ndërtimi i banesave individuale”. Ky ishte njëri prej dy statusve të kryeministrit Rama gjatë ditës së djeshme, që i kushtohet punës së qeverisë për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Po ashtu, dje ai i bën jehonë me video nisjes së asfaltimit të bypass-it të Vlorës, për të cilin thotë se “do të bëhet i mundur transformimi epokal për krejt zonën dhe Shqipërinë Turistike 2030”. Ky bypass do të bashkohet me atë të Fierit nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, vijon me tunelin e Llogarasë, një tjetër projekt madhor infrastrukturor për qeverinë Rama, në mandatin e saj të dytë. “Janë 29 kilometra të cilat do t’i bashkëngjiten pjesës tjetër që lidhet me bypass-in e Fierit, tashmë i përfunduar, për të vazhduar më pas me segmentin e ri Orikum-Dukat (nga Marina në Urën e Shën Elizës) dhe së shpejti edhe me tunelin e Llogarasë” – sqaron Rama. Rruga e Arbrit, një tjetër premtim i kahershëm i Ramës, është po ashtu drejt përfundimit ku vetëm para 2 muajsh ai inspektoi Urën e Vashës që pritet të jetë ura më e lartë në rajon.

Lexo edhe :  GJKKO i zgjat ditët e burgut ish-të dashurës së Safet Bajrit

Opozita me program ekonomik

Opozita, po ashtu, ka nisur fushatën e saj disa muaj para se të vijë fushata zyrtare e zgjedhjeve parlamentare. Ajo ka nisur punën në dy fronte; së pari në demokratizimin e brendshëm të partisë, duke hapur dyert për të larguarit e të pakënaqurit apo për demokratë të rinj që synojnë të bëjnë karrierë në Partinë Demokratike nëpërmjet zgjedhjeve të kandidatëve politikë drejpërdrejt nga anëtarësia dhe, së dyti, me nxjerrjen e një programi të ri ekonomik. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka zbuluar planin ekonomik të PD-së, që ka për synim të vendosë vetëm taksimin e sheshtë 9%, i cili, sipas tij, do të bënte të mundur që të përfitojnë të gjithë punonjësit, si në sektorin privat, edhe në atë publik. Gjatë ditës së djeshme Basha ka publikuar një video ku duken shembujt se si taksimi i sheshtë do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e punonjësve, teksa akuzon Ramën për taksimin e tij në 7 vite. Lideri demokrat shprehet se në 7 vite Rama rriti taksat dhe çmimet, falimentoi bizneset dhe largoi qindra- mijëra shqiptarë në Shqipëria. Sipas planit që paraqet PD-ja, për çdo punonjës të privatit dhe publikut, duke bërë dhe krahasimin me qeverinë e PS-së, në qeverinë e Bashës punonjësit do të paguajnë më pak taksa dhe jo siç pretendon Rilindja, që në planin e PD-së nuk do të ketë fasha përjashtuese të tatimit mbi të ardhurat. “Taksimi Rama” zbrazi xhepat e shqiptarëve, rriti çmimet, uli fuqinë blerëse, falimentoi bizneset dhe solli shkatërrimin e ekonomisë në çdo hallkë të saj. “Raporti i FMN-së mbështet atë që PD-ja do të bëjë realitet: taksimin e thjeshtë dhe transparent. Taksa e sheshtë 9% dhe plani ynë ekonomik do të inkurajojë investimet e brendshme dhe të huaja, do të nxisë punësimin dhe do të rrisë fuqinë blerëse. Shqipëria në punë, mirëqenia për shumicën dhe jo një pakicë, do të jetë realitet i prekshëm për të gjithë.” – shkruan Basha. Në videon e publikuar prej tij shpalosen me shembuj konkretë premtimet e PD-së, krahasuar me premtimet e qeverisë dhe realitetin e taksimit. “Rilindja gënjen duke thënë se punonjësit do të paguajnë më shumë gjatë qeverisjes Basha, pasi ata thonë se në planin e PD-së nuk do të ketë fashë përjashtuese të tatimit mbi të ardhurat. Fakti është që plani i PD-së ruan fashën përjashtuese nga TAP për 30-mijëlekëshin e parë të të ardhurave, dhe tatohet me 9% vetëm diferenca mbi këtë vlerë. Shembull konkret: nëse paga është p.sh. 40 mijë lekë të rinj, atëherë me planin PD do të paguhet 9% të (40000-30000) = 9% e 10000 lekë = 900 lekë në muaj. Ndërkohë që sot me taksën Rama paguhet 13% të (40000-30000) = 13% të 10000 = 1300 lekë. Realiteti sot: 13% tatim mbi të ardhurat (TAP) nga paga duke përjashtuar nga tatimi 30-mijëlekëshin e parë” – sqaron Basha.

/En.Br./Fjala.al