Vendi në alarm/Koronavirusi agresiv në Shqipëri, 15 vdekje për një javë

113 563 lexime

77,317FansaPëlqeje

Rritja e fataliteteve prej COVID-19, si dhe shtimi i personave të shtruar dhe në terapi intensive në Spitalin Infektiv, ka ngritur alarm në vend.

Vetëm javën e fundit kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit 15 persona, ndërsa aktualisht ndodhen në terapi intensive 11 qytetarë. Problematike mbetet përhapja e virusit në institucione të ndryshme, si burgje, spitale, bashki, së fundmi edhe në universitete.

 Nga Ina Allkanjari

 Gjatë javëve të fundit vendi ynë po kap shifra rekord për sa u përket personave të infektuar me COVID-19, shtrimeve në spitale por, fatkeqësisht, me ritme shqetësuese, po shtohen dhe viktimat.

Gjatë një jave kanë humbur luftën me koronavirusin 15 persona, ndërsa në total janë 59 persona që janë ndarë nga jeta në Shërbimin Infektiv. Ritmet e larta të rasteve nuk po dëshmojnë asnjë tendencë rënieje.

Njëkohësisht vijon të rritet numri i të shtruarve në Spitalin Infektiv e, veçanërisht, ata në gjendje të rëndë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht në Spitalin Infektiv po trajtohen 84 pacientë,  11 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.

Mësohet se njëri prej presonave të intubuar është Arjan Pushi, 58 vjeç, ish-mjek në QSUT, në repartin e hematologjisë (sëmundjet e gjakut), aktualisht pedagog në universitet. Gjithashtu, bëhet me dije se është prekur nga COVID-19 kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.

Mësohet se Jaka është i shtruar në Spitalin Infektiv prej paradites së të dielës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve të Infektivit, ndërsa gjendja e tij është e qëndrueshme. “Për të katërtën javë të vijimit të epidemisë vazhdon një situatë serioze e rasteve të konfirmuara pozitive me COVID-19, e rasteve që kanë kërkuar shtrim në spital apo rasteve në terapi intensive.

Një tjetër trend në rritje janë edhe rastet që kanë pësuar humbje jete. Të gjithë këta indikatorë tregojnë që virusi po vijon me të njëjtin intensitet transmetueshmërie dhe po paraqet raste me shenja klinike”, deklaroi Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik. Në 24 orët e fundit, referuar shërbimit infektiv, një paciente 78-vjeçare nga Tirana, e transferuar nga një spital jopublik, ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv, me gjithë trajtimin intensiv në reanimacion.

Po ashtu, edhe një pacient 83-vjeçar nga Durrësi, në terapi intensive, i cili vuante nga hipertensioni. Pasditen e djeshme u konfirmua edhe vdekja e një pacienti 69-vjeçar nga Shkodra, i cili ndodhej i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë prej dhjetë ditësh.

Virusi prek universitetet

Ajo çfarë vijon të mbetet shqetësuese është edhe përhapja e virusit në institucione të ndryshme, si burgje, spitale, bashki, së fundmi edhe në universitete.  Dy ditë më parë dyshohet se është infektuar me koronavirus një prej studenteve të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Në një reagim për gazetën “Fjala”, rektori i këtij Univeristeti, Andrea Maliqari, u shpreh se bëhet fjalë për një studente të vitit të tretë të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit. “Ditën e diel, një studente e vitit të tretë ka dërguar një sms në adresën e dekanit të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit ku thotë:  ‘Unë dyshohet që jam e infektuar me COVID-19’.

Ishte e dyshuar potenciale, për shkak se e ëma është identifikuar me COVID-19 para disa ditësh”, tha rektori i UPT. Më tej Maliqari theksoi se për të izoluar rastin, duke qenë se studentja ka qenë ditën e mërkurë në provim, ditën e djeshme u anulua një prej provimeve që ishte planifikuar të realizohej.

“U anulua provimi i ditës së djeshme, jo sezoni i provimeve, sepse është thënë që po anulohet sezoni i provimeve. Kemi diskutuar në Dekanatin e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, që aty ku është e mundur që provimi të zhvillohet online, të realizohet në atë mënyrë.

Ndërsa ku nuk është e mundur do të vazhdohet sipas organizimit që është bërë në bazë të programit dhe të rregullores së ndërtuar për këtë qëllim. Provimet do të vazhdojnë normalisht, siç ishin parashikuar”, theksoi rektori i UPT-së.

Situata e koronavirusit në vend

Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 64 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 15 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 7 në Durrës, 4 në Lezhë, nga 3 raste në Kukës, Pukë, 2 në Kurbin, dhe nga 1 rast përkatësisht në Korçë, Elbasan, Vlorë, Berat, Mat, Pogradec. Në vendin tonë aktualisht janë 970 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Pavarësisht rasteve ditore të identifikuara pozitive, lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 54 qytetarë, duke e çuar në 1438 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale. Ndërsa thekson se mbajtja e maskës është domosdoshmëri për të parandaluar përhapjen e infeksionit në ato ambiente ku nuk ruani dot distancën.

“Biznese, bar, kafe, restorante, zbatoni me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë. Kryeni shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik, sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore.

Të nderuar qytetarë, evitoni festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në këto ambiente, dhe për më tepër duhet të jenë të rrethit të ngushtë familjar”, deklaron Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë ditën e djeshme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, inspektoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kuadër të forcimit të njësive të terapisë intensive në spitalet universitare dhe rajonale.

Manastirliu u shpreh se flotës së aparaturave mjekësore në spitale u janë shtuar 265 monitorë, 50 prej të cilëve janë multiparametrikë, të cilat janë pajisje të rëndësishme jetëshpëtuese. Duke folur për strategjinë për përballjen e situatës, Manastirliu tha se po rriten kapacitetet spitalore për të përballuar nevojat sot dhe në të ardhmen.

“Strategjia është dinamike, po u përgjigjet nevojave aktuale, por edhe në të ardhmen, qoftë për testimet, kapacitetet në terren, gjurmimin dhe izolimin, për të kufizuar përhapjen e COVID-19”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo, deklaroi se po ofrohet maksimumi i terapisë intensive dhe u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, duke deklaruar se liria individuale përfundon aty ku cenohet shëndeti i tjetrit.

Sipas saj, shërbimi ka një fluks të shtuar dhe bëri apel për respektimin e rregullave nga qytetarët. “Kemi shtim të numrit të personave të shtruar dhe, natyrisht, kemi shtim të pacientëve që kërkojnë ndjekje në terapi intensive. Pikërisht pajisjet me këto aparatura që u ofrohen pacientëve në terapi intensive janë një ndihmesë e madhe që ofrohet për shtimin e përkujdesit.

Megjithatë, do të thosha diçka që, çfarë ne ofrojmë në terapi intensive, është maksimumi ynë nga ana profesionale, por popullata duhet të jetë shumë e ndërgjegjshme që liria e një personi shkon deri aty sa nuk cenohet shëndeti i tjetrit. Ju siguroj që virusi tani ka filluar të përzgjedhë çdo grup moshe dhe duke agravuar situatën shëndetësore të tyre”, tha Çomo.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se me financim nga buxheti i shtetit, drejtoria e QSUT-së po përfundon rekrutimin e stafit mbështetës prej 50 mjekësh, infermierësh për të përballuar fluksin e mundshëm të COVID-19 në spitalin COVID 3 (ish-kirurgjitë), e cila do të hapet, nëse do të ketë shtim të rasteve në Spitalin Infektiv, paralelisht me spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, nëse do të ketë shtim të rasteve në terapi intensive që kanë nevojë për trajtim të specializuar. Sipas strategjisë së miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, janë katër spitale të parashikuara për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID-19, me një kapacitet prej 550 shtretër.

Lexo edhe :  Coronavirusi në Shqipëri, 4 dyshimet e para rezultojnë negative

COVID-19 – Statistika (29 qershor 2020)

Testime totale                         26663

Raste pozitive                          2466

Raste të shëruara                      1438

Raste aktive                             970

Humbje jete                              58

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë     358

Durrës     198

Shkodër   155

Vlorë     100

Fier         47

Lezhë     39

Korçë     28

Kukës     18

Elbasan     13

Gjirokastër 7

Berat      6

Dibër    1

COVID-19/Eksperti: Infektimet në spital, burim i formave të rënda klinike

Agresiviteti i virusit COVID-19 duket se është rritur ditët e fundit, kjo për shkak të rritjes së numrit të vdekjeve prej këtij virusi, e shoqëruar me rritje në numrin e personave të shtruar në Spitalin Infektiv. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, tregon arsyet pse po ndodh një situatë e tillë, dhe a ndodhet vendi ynë në  prag të një vale të dytë të virusit.

Nga Ina Allkanjari

“Infektimet që ndodhin në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe në familje, kanë më tepër gjasa për të zhvilluar më tepër forma klinike të rënda”. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik, tregon se aktualisht mund të flasim për një transmetim të virusit në biznese apo institucione, por jo për një valë të dytë. Sipas tij, përpos shtimit të rasteve, sistemi shëndetësor është larg kolapsit dhe shumë larg zënies së kapaciteteve. Megjithatë, eksperti shprehet se duhet të kemi parasysh që, nëse do të kemi rritje eksponenciale të rasteve, nuk përjashtohet mundësia e një situate dyndjeje në spitale.

Ditët e fundit, agresiviteti i virusit COVID-19 në Shqipëri duket së është rritur, kjo pasi kemi 5 humbje jete në 2 ditë dhe 11 persona në intubim.  Pse po ndodh kjo gjë?

Shpjegimi që unë mund të jap si specialist i shëndetit publik, ka të bëjë me rrethanat se ku mund të jenë infektuar këta persona. Dihet se infektimet që ndodhin në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe në familje, kanë më tepër gjasa për të zhvilluar më tepër forma klinike të rënda. Kjo, jo e provuar tërësisht nga kërkimet shkencore, por një informacion dhe një ide e hedhur nga shumë mjekë klinicistë, sidomos në Itali dhë në vendet e tjera ku ka pasur përhapje të madhe të COVID-19. Megjithatë, do të jenë studimet e mjekëve klinicistë ato që do të hedhin dritë mbi këtë fenomen.

A jemi në prag të një vale të dytë, siç e ka parashikuar edhe OBSH-ja?

Kjo puna e valëve është bërë pak qesharake do të thosha. Nuk mund të flasim ende për valë, për pikë, për ecuri, sepse ecuria e COVID-19 në të gjithë botën ka qenë e përcaktuar nga masat parandaluese që janë marrë nga të gjitha vendet. Kështu që ne kemi një situatë, ku për një kohë rreth 2 muaj e gjysmë ishim në karantinë dhe, natyrisht, nuk kishim transmetim të virusit. Tashmë jemi kthyer në një model që do ta quaja të ngjashëm me atë suedez, madje duke pasur edhe më pak masa mbrojtëse sesa ato që rekomandohen në Suedi. Ndaj, natyrisht, që do të kemi transmetim të virusit, ashtu sikurse edhe po e hasim. Gjithashtu, kemi transmetimin në disa biznese, fason, Call Center, kemi transmetimin në institucionet e kujdesit shëndetësor, pra nuk mund të themi që është një valë e dytë. Por mund të themi që kemi një transmetim të virusit, kryesisht në mjediset që përmenda më sipër.

A mund ta çojë kjo situatë në kolaps sistemin tonë shëndetësor, duke qenë se është shtuar numri i shtrimeve në spital?

Shqipëria ka rreth 8000 shtretër dhe ka rreth 200 shtretër reanimatorë. Do të thosha që me 80 raste që janë të shtruar sot, dhe me diçka më shumë se 10 shtretër reanimator të zënë, jemi shumë larg kolapsit dhe shumë larg zënies së kapaciteteve. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që, nëse do të kemi rritje eksponenciale të rasteve, nuk përjashtohet mundësia e një situate dyndjeje në spitale. Por do të thosha që me shifrat që shohim deri më sot, jemi larg kësaj. Personalisht besoj se nuk do ta arrijmë, por ekspertët klinicistë mund të na tregojnë si i shohin këto projeksione dhe parashikime.

A është kjo situatë e ngjashme si në vendet e tjera të BE-së, të cilat janë rihapur gradualisht?

Ngjashmëria është me ato vende që nuk kanë pasur një strategji të saktë të rihapjes. Pra, me vendet që nuk e shfrytëzuan periudhën e karantinës, për të ndërtuar strategji në lidhje me testimin, me parandalimin në mjediset e institucioneve shëndetësore, në lidhje me parandalimin në mjediset e biznesit, në administratë, në transport etj. Mendoj se kjo i dallon vendet e suksesshme, si Italia, Gjermania, Spanja, Belgjika, Holanda, të cilat një situatë tepër të rëndë arrinin ta kthenin në një situatë të favorshme, në krahasim me vendet që periudhën e karantinës nuk e shfrytëzuan ashtu siç duhej, për të ngritur një strategji të mirëfilltë parandalimi.

Kontributi gjatë pandemisë, Global Humanitarian Award vlerëson Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, themeluar nga akademik, prof. dr. Anastas Angjeli, u vlerësua dje me një çmim ndërkombëtar, për kontributin e dhënë gjatë situatës së shkaktuar në muajt e pandemisë së koronavirusit. Çmimi u akordua nga Organizata Ndërkombëtare me qendër në Angli, “World Humaniatarian Drive” për Ekselencë në Edukim dhe Kërkim Shkencor.

Çmimi Ndërkombëtar për Humanizëm u dha gjatë ceremonisë së zhvilluar nga organizata e cila ka vleresuar ndër vite politikëbërës, liderë të ndryshëm botërorë, personalitete të artit, shkencës, kulturës dhe institucione të njohura nga e gjithë bota.

Sipas drejtuesve të kësaj organizate, iniciativa “Yjet e COVID”, nisi në maj të këtij viti për të nderuar të gjithë ata persona dhe institucione që nëpërmjet kontributit të tyre kanë frymëzuar mijëra njerëz në mbarë botën gjatë periudhës së vështirë që izoloi gjithë botën. “Ky kontribut i ka dhënë shpresë gjithë njerëzimit”, u shprehën drejtuesit e organizatës.

Me rreth 1600 të nominuar nga 35 vende të botës, në 12 kategori të ndryshme Universiteti Mesdhetar ishte njëri prej të përzgjedhurve në kategorinë e “Ekselencës në Edukim dhe Kërkim Shkencor”, për të cilën u ndanë 10 çmime. Gjithashtu, çmime u dhanë edhe për ekselencë në shërbimin mjekësor, e cila ishte dhe kategoria më e rëndësishme me misionin e saj humanitar.

Kategori të tjera të vlerësuara ishin ato për ekselencë në shërbimin, publik, mediatik, social etj. Pa ndaluar asnjë ditë me sensibilizimin e të rinjve, analizat e thella ekonomike për krizën e shkaktuar, duke ofruar edhe zgjidhje nga ekspertët e ekonomisë, Universiteti Mesdhetar dëshmon edhe një herë që është një institucion i arsimit të lartë që ka si mision jo vetëm edukimin e brezit të ri, por zhvillimin social e ekonomik të gjithë shoqërisë.

la.mi/Fjala.al

 

Të fundit

Kandidati për President Joe Biden mbështet dialogun Kosovë-Serbi

“Marrëveshja duhet të përfshijë njohjen reciproke, por duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të dy shteteve,” thotë ish-zëvendës-presidenti amerikan...

FOTO/ Ish-futbollisti bën gjestin e veçantë për bashkëshorten

Ish-lojtari i skuadrës së Fenerbahçes dhe i kombëtares së Turqisë, Semih Senturk ka bërë një gjest shumë të veçantë për t’i shprehur partneres së...

Mëdyshje dhe rezistencë për vaksinën kundër virusit të frikshëm

Ekonomia nuk do të rikthehet në aktivitet të plotë deri kur të vihet në përdorim një vaksinë kundër COVID-19, thonë ekspertët. Por kur të jetë...

Maqedonia e Veriut/ Shënohen 8 viktima nga virusi në 24 orët e fundit

Vetëm gjatë një dite në Maqedoninë e Veriut kanë humbur jetët nga Covid-19 8 persona. Mësohet se një 24-vjeçare është viktima më e re në...

Paralajmërimi i Fleckenstein: Kujdes, marrëveshja për reformën zgjedhore mund të shkatërrohet

Ish-raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin e BE, Knut Fleckenstein deklaroi se opozita në parlament duhet të merret seriozisht, pasi përfaqësojnë popullin shqiptar. Po ashtu këshilltari...

Lajme të tjera

Web TV