Klimë paqeje? Rama dhe Meta zgjedhin kreun e KLSH-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas 2 vitesh bllokimi mazhoranca i hap rrugë një kandidature të presidentit Ilir Meta, si kryetar i ri i KLSh-së. Si u tërhoq nisma e deputetëve socialistë për t’i kufizuar të drejtën e propozimeve, duke pasur një kandidat socialist në ‘sirtar’?  A po vijon udha e një paqeje mes Ramës e Metës, me largimin e Dvoranit nga KED dhe tërheqjen e PS-së nga nisma për shkarkimin e presidentit?

Nga Blerina Gjoka

U deshën plot dy vjet dhe 3 kandidatura të rrëzuara që mazhoranca socialiste në Kuvend t’i hapë udhë zgjedhjes së kreut të ri të KLSH-së, një emër që propozohet nga presidenti i vendit. Juristi Arben Shehu, do të jetë kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi Kuvendi dje ka miratuar kandidaturën e tij me 108 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenim. Ky votim do të ishte një zhvillim normal i punës së Kuvendit, por, në fakt, është shumë më tepër, është një tregues i qartë i rënies së agresivitetit të marrëdhënieve mes mazhorancës qeverisëse dhe kreut të shtetit Ilir Meta. Më parë, po ky Kuvend ka rrëzuar 3 kandidatura të Metës për të drejtuar KLSH-në, një institucion që vijon të drejtohet nga Bujar Leskaj prej dy vitesh në tejkalim të mandatit të tij. Ngërçi i zgjedhjes së një drejtuesi të ri nisi pas krisjes së marrëdhënieve mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, të dy ish-aleatë në qeverisje në mandatin e parë të PS-së. Por, prej kohësh një paqe politike po formësohet mes tyre dhe shenjat për këtë janë të forta. Gjatë ditëve të izolimit nga epidemia e COVID-19 me inciativë të Metës po konturohej dhe një marrëveshje politike që do të prekte reformën në drejtësi, marrëveshje që mbeti në tentativë, pasi  u “demaskua” nga ambasadorja amerikane Yuri Kim. Por gjithsesi një pakt i heshtur u arrit për konfliktin e madh Rama-Meta që kishte të bënte me këtë reformë. Ardian Dvorani, kreu i Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i shpallur hapur si një pengues i procesit të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese nga presidenti Meta, u largua nga skena. Pak javë më parë KLGJ-ja e shkarkoi Dvoranin si kryetar të KED, duke i dhënë frymëmarrje procesit të emërimeve të reja në sistemin e drejtësisë, ku presidenti ka një rol kyç dhe për të cilin ai ishte konfliktuar me Dvoranin. Meta ndërkohë gjatë izolimit, në mënyrë të papritur firmosi ndryshimet në Kodin Penal, ku parashikohej dënimi për thyerjen e karantinës, ndryshime që ngjallën shumë debat në opinionin publik.

Një përshëndetje me bërryla mes Ramës dhe Metës në një tryezë për integrimin dhe buzëqeshja e batutat që e shoqëruan këtë takim sërish u komentua si një afrim mes tyre pas një periudhe të gjatë pa kontakt. Kësaj fryme të re marrëdhëniesh iu përshtat edhe tërheqja e PS-së nga nisma e ndërmarrë nga mazhoranca në Kuvend për shkarkimin e Metës, nismë e cila u cilësua e pabazuar ligjërisht edhe ana e Komisionit të Venecies. Por, pavarësisht shenjave të forta për qetësimin e ujërave politike mes Ramës e Metës, pikëpyetja e madhe që shtrohet disa muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare është ajo mbi mundësitë e një aleance të re politike mes tyre. Partia e themeluar dhe e drejtuar nga Meta, që sot drejtohet nga bashkëshortja e tij, është në koalicion politik me Partinë Demokratike në opozitë. Pavarësisht mohimit që i kanë bërë publikisht palët një aleance të re qeverisëse në vitin 2021 mes tyre, LSI-ja vjen në opozitë pas një 4-vjeçari bashkëqeverisjeje me PS-në.

Pse u tërhoq PS-ja nga nisma për KLSH-në

Deputetët socialistë e morësh vesh vetëm disa ditë më parë që kandidati numër 4 i presidentit Meta për kryetar të KLSH-së do të votohej prej tyre. Deri në ato momente ata po hartonin një projektligj që synonte ndryshimin e procedurave për emërimin e tij, duke tentuar t’i kufizojnë kompetencat presidentit.  Por kjo nismë të cilën gazeta “Fjala” e publikoi e para, mbeti në sirtarët e Kuvendit, me sa duket, për shkak të ndryshimit të marrëdhënieve politike. Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij dje në Kuvend e ceku sërish këtë çështje, duke deklaruar se procedurat e emërimit të kryetarit të KLSH-së duheshin rishikuar. Ai gjithashtu akuzoi Metën për “karshillëk kushtetues” ndaj mazhorancës. “Në rastin e zëvendësimit të kryetarit të KLSH, për fat të keq, bashkëpunimi kushtetues, u zëvendësua nga presidenti me karshillëkun kushtetues, duke sjellë si pasojë jo vetëm bllokimin për gati 2 vjet procesit të zëvendësimit të kryetarit të KLSH. Për shkak të sa më sipër, në funksion të zgjidhjes së problemit dhe ngërçit institucional, përveç votës pro për kandidaturën, shqyrtimi i rastit duhet të na çojë te rregullimi i situatës ligjore për të ardhmen, sa herë që situata të ngjashme mund të përsëriten.”- deklaroi Balla. Sipas tij, procedurat e emërimit të kryetarit të ri të KLSH, ecën dhe ngecën disa herë, sipas vullnetit të presidentit, edhe për shkak të mungesës së rregullave, afateve dhe procedurave ligjore për sa i takon zëvendësimit. ”Është fakt që as Kushtetuta dhe as Ligji organik, nuk detajon afate në ushtrimin e kompetencave të lidhura me propozimin e kandidaturave për kryetar të KLSH-së në rastet kur përfundon afati i emërimit të kryetarit në detyrë. Për vendimmarrjen në lidhje me kandidaturën, neve na duhet të arsyetojmë edhe në lidhje me gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet institucioni, edhe për shkak të sjelljes presidenciale dhe faktin që një rrëzim i kandidaturës do të zgjaste midis të tjerave situatën e drejtimit të KLSH, që është e paqartë edhe nga këndvështrimi i ligjit.”- theksoi ai duke iu referuar ngërçit të krijuar me Bujar Leskajn. Balla paralajmëroi një inciativë të mazhorancës për të bërë këto rregullime ligjore. “I kërkoj Komisionit për Ekonominë dhe Financat që në bashkëpunim me Komisionin për Çështjet Ligjore, të analizojnë jo vetëm veprimet e ndërmarra deri tani nga gjithë individët, institucionet dhe organet e angazhuara me detyrime dhe të drejta lidhur me zëvendësimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por edhe shqyrtimin dhe propozimin e zgjidhjeve, qoftë edhe nëpërmjet ndryshimeve ligjore në ligjin për KLSH-në, duke konsideruar situatën e paprecedentë dhe, sidomos, rolin e KLSH-së si institucion kushtetues unik në funksionet që ndjek. Në funksion të zgjidhjes së problemit dhe ngërçit institucional, shqyrtimi i rastit duhet të na çojë te rregullimi i situatës ligjore për të ardhmen.”- tha ai në Kuvend para votimit të Shehut.

Lexo edhe :  “Do sekuestrohet çdo objekt i pabanuar”, Rama jep paralajmërimin e fortë

Nisma ligjore që kishin inicuar ndërkohë një grup deputetësh socialistë dhe që mbeti pa u futur në procedurat e Kuvendit parashikonte shfuqizimin në ligjin aktual të normativës që mban në detyrë dy vjet pas përfundimit të mandatit të Bujar Leskajn, deri në zgjedhjen e pasardhësit. Socialistët kërkonin të fusnin postin e zv/kryetarit të KLSH-së.  Në dukje, drafti i ri i PS-së (i cili mbeti vetëm “draft-dëshirë”) parashikonte që kreut të shtetit nuk do t’i hiqeshin kompetencat për të propozuar kandidatin e KLSH-së, por mbi bazën e rregullave që do t’ia përcaktonte mazhoranca nëpërmjet ndryshimeve ligjore. “Zëvendëskryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit emërohet për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje më shumë se një herë dhe ushtron funksionet e kryetarit, në të gjitha rastet kur vendi i kryetarit mbetet bosh, për shkak të mbarimit të mandatit ose shkarkimit.”- thuhej në këtë projektligj të cilin e siguroi gazeta “Fjala”.  Përmes një dispozite tranzitore mazhoranca parashikonte që t’i delegonte Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të drejtën për amendime në ligjin për funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. ‘Komisioni për Ekonominë dhe Financat, brenda 15 ditëve vijuese i propozon Kuvendit kandidaturën që do të komandohet në postin e zëvendëskryetarit të KLSH-së dhe do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e emërimit dhe plotësimit të vakancës së kryetarit të KLSH-së.’- thuhej në draftin paraprak. Nëse do të miratohej kjo dispozitë ligjore, mazhoranca do të emëronte de facto një kandidat në drejtimin e KLSH-së si zv/kryetar deri në gjetjen e gjuhës së përbashkët me presidentin, i cili kishte të drejtën kushtetuese të kandidatutës së kryetarit. Përplasja 2-vjeçare mes presidentit dhe Kuvendit u rindez më 2 qershor, kur kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i kërkoi presidentit Meta të propozojë kandidaturat për kryetar të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Një muaj më pas vendi ka një kryetar të ri KLSH-je, votimi i të cilit reflekton dhe zbutjen e marrëdhënieve politike mazhorancë-president.

/En.Br./Fjala.al

 

 

Të fundit

A e ka menduar ndonjëherë t’i futet politikës?/ Linda Rama flet hapur

Në intervistën e saj për "Inside Albania", Linda Rama u ndal tek roli i grave në politikë dhe në...

Zjarr i madh në Parkun Kombëtar të Prespës

Një zjarr i madh ka përfshirë Parkun Kombëtar të Prespës, me flakët e shfaqura mbi fshatin Pustec. Forcat zjarrfikëse dhe forcat pyjore, bashkë me banorët,...

Luciano Spalletti pas shkarkimit nga Italia: Futbolli më shkatërroi jetën

Ish-trajneri i kombëtares italiane, Luciano Spalletti, ka rrëfyer një anë tjetër të vetes në një intervistë të sinqertë për 'La Repubblica', ku foli për...

Muçaj takohet me Presidentin e CAA/ Shqipëri–SHBA, vizion i përbashkët për rajonin

Ambasadori Genci Muçaj, përfaqësues i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, zhvilloi një takim zyrtar në Washington, D.C., me Ambasadorin Philip Hughes, Presidentin e sapozgjedhur të...

Edhe Kosova nën pushtetin e flakëve, raportohen 29 vatra në tetë orët e fundit

Pas Shqipërisë, edhe Kosova po vuan problematikën e zjarreve që po gllabërojnë hektarë të tërë me pyje e kullota, edhe si pasojë e temperaturave...

Lajme të tjera

Web TV