KLSH/ Saga e një lufte politike, që për herë të parë zgjodhi një kryetar apolitik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

KLSH është drejtuar nga viti 1992 vetëm nga kryetarë që vinin nga një karrierë e mëparshme politike me Partinë Demokratike. Për herë të parë në krye të këtij institucioni vjen një jurist apolitik

Nga Blerina Gjoka

Arben Shehu si kryetar i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka shënuar në fakt disa rekorde për drejtimin e këtij institucioni. Ai është kryetari i parë i KLSH-së që nuk ka një CV politike në karrierën e tij, edhe pse votimi ndaj tij ishte një betejë politike mes mazhorancës socialiste dhe presidentit Meta që konsiderohet në opozitë me këtë mazhorancë. 40-vjeçari Shehu ka vetëm një CV vetëm profesionale si jurist dhe si profesor i së drejtës. Duket se pikërisht mungesa e një përvoje politike ka bërë që të votohet dje emri i Shehut, në një institucion të pavarur kushtetues të cilin e kanë drejtuar gjithmonë njerëz që kanë ardhur nga politika. Edhe pse ka pasur një marrëveshje mes palëve që kreu i këtij institucioni t’i përkasë opozitës, ky kriter nuk është zbatuar gjithmonë gjatë emërimeve. Kryetari i parë i KLSH-së ka qenë Blerim Çela, anëtar kryesie i Partisë Demokratike dhe deputet, i cili e drejtoi KLSH- në vitet 1992-1997. Pas tij erdhi Mustafa Kërçuku, kryetar i Ballit Kombëtar, aleat i PD-së, në vitet 1997-2004. Në vitin 2004, këtë detyrë e mori Robert Çeku, zëvendësministër Financash, dhe qëndroi në krye të KLSH-së deri në vitin 2011, kur u zgjodh Bujar Leskaj, ish-ministër dhe deputet i PD-së.

Kandidaturat e Metës

Presidenca solli emrin e Shehut, i panjohur për publikun e gjerë, pasi kishte tentuar me 3 kandidatura të tjera të cilat u rrëzuan nga socialistët. E para ishte ajo e gjyqtares Vitore Tusha, një gjyqtare karriere që prej vitit 1992. Vitore Tusha njihet si një nga gjyqtarët që kanë shpallur si jokushtetuese çështje me ndjeshmëri të lartë publike, siç ishte marrëveshja e detit, e arritur nga qeveria Berisha. Po ashtu, ajo është gjyqtarja që ka shqyrtuar një nga çështjet më të bujshme, atë ndaj ish-kryeministrit Fatos Nano. Në nëntor të vitit 1995, Tusha rrëzoi kërkesën e Nanos, i cili kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu, pasi ishte dënuar me 12 vite heqje lirie. Por Kuvendi e refuzoi Tushën, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për shkak të mungesës së formimit në fushën e financave, një kriter bazë për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Pas rrëzimit të kandidaturës së Vitore Tushës, propozimi i radhës nga Meta ishte ai i Bahri Shaqirit, i cili ka drejtuar institucionin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe aktualisht është këshilltar i Metës. Por, gjithashtu, CV-ja politike e tij, si i angazhuar politikisht me Lëvizjen Socialiste për Integrim, si dhe puna si zëvendësministër i Transporteve në vitin 2016,  ishin disa nga argumentet e rrëzimit të tij nga socialistët. Ashtu si për Tushën, edhe për Shaqirin u argumentua se nuk kishte përvojë në fushën e financave.

Në vijim Meta solli për votim emrin e prof. dr. Petraq Milo, një personalitet me një eksperiencë, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë. Por emri i tij nuk e kaloi dot filtrin e mazhorancës socialiste, për shkak të angazhimit të tij politik me Partinë Demokratike, pasi ai rezultoi që të ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike gjatë kohës kur u propozua në krye të KLSH-së. Po ashtu, mazhoranca argumentoi se mënyra si u soll emri në Kuvend me shpejtësi, ndërkohë që emri i tij nuk kishte qenë pjesë e listës së kandidatëve të vetofruar për këtë pozicion që iu përgjigjën thirrjes së presidentit më herët.

Pas dy vitesh ngërç, kur KLSH-ja vijonte punën me kryetarin në detyrë Bujar Leskaj, ish-ministër i PD-së, Meta propozoi Arben Shehun, duke theksuar se i plotëson të gjitha kushtet për të kandiduar në KLSH dhe si një nga njohësit më të mirë të së drejtës penale, me një eksperiencë mbi 16-vjeçare në jetën akademike. “Mosplotësimi i pozicionit të drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike.  Veçanërisht kur bëhet fjalë për institucionin kushtetues më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar, secili institucion që ka atributet e tij në procesin e zgjedhjes së drejtuesit të këtij institucioni, ka përgjegjësinë që të përmbushë detyrën në respektim të Kushtetutës. Ndaj dhe dekreti i presidentit të Republikës dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature iu përcoll sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim, me kërkesën specifike që këtë herë që kjo kandidaturë të vlerësohet nën frymën e parimit të luajalitetit kushtetues dhe jashtë interesit politik.” – thuhej në sqarimin e Metës për kandidaturën e Shehut.

Lexo edhe :  Edmond Llabani emërohet drejtor i komanduar i burgut të Peqinit

Shtatë arsyet e zgjidhjes së “ngërçit KLSH”

1-Presidenti Ilir Meta në kohën e pandemisë dekreton ndryshimet e mazhorancës në Kodin Penal

2-Presidenti përmbahet në deklaratat e ashpra ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, ndonëse më 2 mars mbajti një miting

3-KLGJ vendos shkarkimin e kreut të KED-së, Ardian Dvorani, i cili ishte në konflikt të hapur me Metën, për çështjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

4-Largimi i tij, edhe pse një proces në dukje juridik, u komentua si marrëveshje Rama-Meta

5-Afrimi Rama-Meta u duk edhe në disa “propozime” të kreut të shtetit që për ligjet që lidheshin me çështjet e Reformës në Drejtësi, duhet të kishte një dakordësi nga “Këshilli Politik”. Kjo nismë u pre në mes pas deklaratave të ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim për një “marrëveshje prapa krahëve për ta vrarë reformën në drejtësi”

6-Mazhoranca tërhiqet nga qëndrimi për të shkarkuar presidentin Ilir Meta, duke e kthyer thuajse në nul punën e Komisionit Hetimor Parlamentar

7- Pas rrëzimit të tri kandidaturave të Metës për kreun e KLSH-së, krejt papritur deputetët e PS-së votojnë Arben Shehun dhe heqin dorë nga drafti për ndryshimet ligjore

Beteja e gjatë e Metës për KLSH-në:

5 nëntor 2018 -Presidenti propozon për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit Vitore Tushën, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese

21 janar 2019 – Përmes një njoftimi nga zyra e Presidencës mësohet se është përzgjedhur Bahri Shaqiri si kandidat për kreun e KLSH-së

17 korrik 2019 – Presidenti i Republikës vendosi t’i propozojë Kuvendit si kandidat për postin e kryetarit të KLSH-së, prof. dr. Petraq Milo

4 qershor 2020 – Presidenti Ilir Meta i ka dërguar Kuvendit propozimin për zgjedhjen e dr. Arben Shehut si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Drejtuesit e KLSH-së ndër vite:

Blerim Çela, anëtar kryesie i Partisë Demokratike, deputet, e drejtoi KLSH-në në vitet 1992-1997

Mustafa Kërçuku, kryetar i Ballit Kombëtar, aleat i PD-së, në vitet 1997-2004

Robert Çeku, zëvendësministër Financash, deputet i PD-së, në vitet 2004-2011

Bujar Leskaj, deputet i PD-së, ish-ministër Kulture, nga 2011 e në vazhdim.

Kriteret e zgjedhjes së kreut të KLSH-së:

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet nga Kuvendi, me propozim të presidentit të Republikës, për një mandat shtatëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.  Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet të zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kushtet e mëposhtme:

  1. a) ka arsim të lartë në ekonomi, financë ose drejtësi;
  2. b) përvojë profesionale në çështje financiare;
  3. c) ka kualifikime të larta profesionale dhe përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet;

ç) gëzon integritet të lartë moral dhe profesional;

  1. d) nuk është dënuar më parë për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë.

/En.Br./Fjala.al

 

Të fundit

Tregjet botërore të aksioneve rikuperojnë gjysmën e humbjeve

Java e kaluar solli një rimëkëmbje të fortë të tregut global të aksioneve pasi presidenti amerikan Donald Trump zbuti...

Studimi/ Ngrohja globale do të na bëjë (shumë) më të varfër

Modelet ekonomike deri më tani kanë nënvlerësuar ndikimin e ngrohjes globale në kursimet tona. Një studim i botuar në Environmental Research Letters , zbulon se situata...

Cilat ishin drogat psikotrope që përdornin paraardhësit tanë?

Në të kaluarën, luftërat, konfliktet sociale, krizat ekonomike kanë vepruar shpesh si nxitës për çrregullime mendore në shkallë të gjerë. Dhe ilaçi "bëje vetë" ka qenë...

Pensioni mesatar 400 euro nëse PS fiton zgjedhjet/ Balla tregon se kush del garant

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, gjatë një takimi me qytetarë deklaroi se Partia Socialiste gjatë mandatit të ardhshëm do ta bëjë...

“Gjushi me fustan” s’pyet për ligjin…!”/ Berisha denoncon asfaltin elektoral në Durrës

Këtë të hënë, me anë të një reagimi të fortë në llogarinë e tij perosnale në “Facebook”, lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha,...

Lajme të tjera

Web TV