Pandemia në Shqipëri, si ndryshoi kurba e të infektuarve në 4 muaj

Prej muajit mars deri në ditët e sotme, kurba e të infektuarve me COVID-19 ka pësuar ndryshime, ndërsa vihet re se piku i shënuar në muajin prill, është tejkaluar në fund të qershorit, e në fillim të korrikut.

Shqetësuese në këtë situatë mbetët 3-fishimi i personave të infektuar, të cilët kanë nevojë për hospitalizim, si dhe rritja e numrit të fataliteteve, e shoqëruar me uljen e moshës.

Nga Ina Allkanjari

Më 9 mars u shënuan 2 rastet e para me COVID-19 në Shqipëri, çfarë lëshoi kambanën e alarmit në vend dhe marrjen e menjëhershme të masave për parandalimin e përhapjes së virusit. Pavarësisht izolimit total të vendit, në një periudhë të shkurtër, kurba e të infektuarve me koronavirus filloi të pësojë rritje, duke shënuar çdo ditë gjatë muajit mars, nga 10 – 20 raste të personave të infektuar.

Shifrat arritën pikun gjatë muajit prill, ku numri total i të infektuarve shkoi në 773, gjithashtu në dy spitalet COVID figuronin 36 pacientë të shtruar, ndërsa rezultonin 31 qytetarë të cilët ndërruan jetë prej virusit, ndonëse vuanin nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Përpos panikut të përhapur në masë në shoqërinë tonë, masat e marra gradualisht sollën rënien e numrit të të infektuarve në vend.

Gjatë kësaj periudhe shënoheshin 1-2 raste fataliteti në ditë, ndërsa vihej re se mosha mesatare e personave që humbnin betejën me virusin ishte 68-71 vjeç. Gradualisht vendi po shënonte një fitore në mposhtjen e virusit, ndaj dhe masat izoluese filluan të zbehen, duke shënuar datën 1 qershor si hapjen totale të Shqipërisë për sa u përket masave izoluese. Numri i ulët i të infektuarve dhe izolimi për një periudhë disamujore, solli një ulje të vigjilencës në vendin tonë nga ana e qytetarëve.

Hapja e madhe u shoqërua me mungesë të theksuar të masave që qytetarët duhet të zbatonin për të parandaluar transmetimin e virusit, dhe rikthimin e shifrave të larta të të prekurve me COVID-19. Për një periudhë të shkurtër, thuajse rreth 3 javë pas rihapjes, vendi filloi të përballej me rritje të numrit të infektuarve, kësaj here në shifra më të larta, e shoqëruar me rritje në numrin e personave të shtruar në spital, të personave që kanë nevojë për intubim, si dhe, fatkeqësisht, me rritje të fatalitetit, kësaj here edhe me ulje të moshës së personave që u mposhtën nga virusi.

Fundi i muajit qershor dhe fillimi i muajit korrik arriti të shënonte pothuajse çdo ditë rreth 3 humbje jete prej COVID-19. Prej muajit mars deri në datën 23 qershor, 45 persona kanë humbur jetën prej virusit, ndërsa nga data 24 qershor deri më 7 korrik, pra për një periudhë 2-javore, kanë ndërruar jetë 36 persona.

Në krahasim me muajin prill, ku shtrimet në spital kapnin shifrën rreth 30 të hospitalizuar, ky numër sot rezulton të jetë pothuajse 3-fish më i lartë. Aktualisht janë 81 pacientë të shtruar në spital me COVID-19, mes tyre edhe mosha të reja. 7 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 2 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Situata epidemiologjike

Gjatë 24 orëve të fundit 2 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID-19.  Një qytetare 45-vjeçare nga Berati dhe një 82-vjeçar nga Kruja, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, me gjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 409 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 74 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 37 raste në Tiranë, 10 në Durrës, 5 në Shkodër, nga 3 raste në Korçë, Kavajë, nga 2 raste në Fier, Lushnjë, Mirditë, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Pukë, Berat, Kamëz, Gjirokastër, Pogradec, Sarandë, Vau i Dejës, Dibër, Malësi e Madhe.

Lexo edhe :  Të gjithë treguesit e punësimit dhe papunësisë me rënie në prill-qershor

Ndërkohë vijon të ketë shtrime në Spitalin Infektiv ku aktualisht janë 81 pacientë në spital, mes tyre edhe mosha të reja. 7 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 2 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në 24 orët e fundit janë shëruar 42 qytetarë, duke e çuar në 1744 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1213 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Përmes një deklarate për mediat, Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të distancimit fizik. “I drejtohemi me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, pasi virusi është mes nesh, por të respektojnë masat e vendosura: distancimin fizik, maskën në ambientet e mbyllura e kudo ku nuk ruhet distanca dhe higjienën vetjake e kolektive. Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, shprehet Rovena Daja.

Testet

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në Institutin e Shëndetit Publik bëri të ditur ditën e djeshme se janë mbi 90 mijë teste në dispozicion për identifikimin e rasteve të reja me COVID-19. Ministrja e Shëndetësisë tha se do të vijojë fuqizimi i kapaciteteve laboratorike në vend.

Ndërkohë në Institutin e Shëndetit Publik pritet që së shpejti të instalohet një aparaturë e re testimi. “Më shumë se 90 mijë teste janë të disponueshme në Institutin e Shëndetit Publik dhe do të vijojë fuqizimi i kapaciteteve laboratorike, qoftë nëpërmjet numrit të testeve, kiteve të laboratorit, gjithashtu dhe fuqizimit me aparatura të reja për ta fuqizuar këtë laborator për të përballuar atë që mund të vijë nesër.  Çfarë është e rëndësishme është që ne kemi një plan, kemi një strategji për forcimin e laboratorit të ISHP-së, por edhe për fuqizimin e laboratorit të QSUT-së. Gjithashtu, kemi dhe një plan më afatgjatë në raport me testimin edhe në raport me gjurmimin dhe hetimin epidemiologjik”, tha Manastirliu.

Duke thënë se së shpejti fillon punën dhe laboratori i dytë në QSUT për testimet molekulare, Manastirliu tha se strategjia e përcaktuar nga ekspertët ka rezultuar e suksesshme deri tani, por që të vazhdojë të jetë e tillë kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve.  “Është shumë i rëndësishëm në këtë fazë bashkëpunimi i qytetarëve. Është një strategji që ka rezultuar shumë efikase deri tani, por është një strategji që kërkon bashkëpunimin e të gjithëve”, u shpreh Manastirliu.

Manastirliu tha se ndërkohë që qeveria shqiptare është e angazhaur për të vijuar me fuqizimin e kapaciteteve spitalore dhe laboratorike, paralelisht do të vijojë dhe komunikimi me qytetarët në mënyrë që ata të respektojnë masat e vendosura. “Ne përgatitemi për më të keqen, duke shpresuar për më të mirën. Dhe më e mira është në dorën tonë, është në dorën e gjithë qytetarëve, duke zbatuar masat. Do të vijojmë me komunikimin e riskut me qytetarët, në mënyrë që ata, mbi të gjitha, ata të dinë që, nëse mbrohen vetë, sigurisht që mbrojtja e tyre individuale ndikon gjithashtu edhe në mbrojtjen e atyre që kanë afër”, apeloi ministrja.

COVID-19 – Statistika (7 korrik 2020)

Testime totale         29669
Raste pozitive          3038
Raste të shëruara     1744
Raste aktive         1213
Humbje jete         81

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë                477
Durrës                221
Shkodër            167
Vlorë                   115
Lezhë                     63
Fier                         49
Korçë                    30
Elbasan               25
Kukës                  24
Berat                   16
Gjirokastër     15
Dibër                  11

/En.Br./Fjala.al