Mbyllet pa konsensus takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe katër përfaqësuesve të deputetëve të opozitës parlamentare. Hapja e listave, kushti i opozitarëve në Parlament. Rama: “I gatshëm ta diskutojmë me takim tripalësh, nuk trafikoj vota”. PPE-ja i “tërheq vëmendjen” Partisë Socialiste
Nga Alessia Selimi
Takimi mes opozitës parlamentare dhe kryeministrit Edi Rama ka mbetur pa një rezultat përfundimtar. Disa prisnin një dakordësi të mundshme, por në fund nuk ka dalë as tym i bardhë dhe as i zi, duke mbajtur ende pezull çështjen më të rëndësishme politike të momentit. Për rreth një orë e gjysmë, deputetët Myslim Murrizi, Rudina Hajdari, Nimet Musai dhe Edmond Stojku, kanë këmbëngulur kryesisht në ndryshimin e sistemit, gjë e cila nuk është pranuar nga kryeministri Rama.
Në fjalën e tij, pas takimit, kreu i qeverisë u shpreh se mazhoranca është e gatshme të pranojë një hapje listash, por duhet një konsensus tripalësh. “Ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë hapjeje të listave, jemi të gatshëm të diskutojmë për ta formalizuar gjatë procesit të diskutimeve dhe për të arritur në konsensus tripalësh. Në një konsensus të tillë askush nuk do të marrë gjithçka që dëshiron, të tria palët do të duhet të pranojnë diçka që nuk dëshirojnë, por është shumë e rëndësishme që të gjithë të kenë zë në proces”, tha kryeministri.
Nga ana tjetër, ai shtoi se nuk ka ndër mend të bëjë trafik votash në Parlament, për të arritur në një votim prej 84 votash, që kërkon miratimi i Kodit Zgjedhor. “E para, kemi nevojë për një mazhorancë të gjerë në Kuvend, e dyta PS-ja nuk do të angazhohet në procese kapjeje të një vote këtu e një vote atje, për të bërë një ligj kaq të rëndësishëm për të gjitha partitë. Unë nuk kam ndonjë respekt më të madh për ata që janë jashtë, sesa për ata që janë brenda, por askush nuk ka asnjë privilegj, dhe dua të jap një mesazh të qartë se sot është e vërtetë që shumica e shqiptarëve duhet të kenë zë në proces.” – tha Rama.
Opozita parlamentare, e vendosur…
Deputja Hajdari u shpreh në fjalën e saj se ideja e tyre për ndryshimin e sistemit ka mbështetjen e 75% të qytetarëve. Hajdari tha se askush s’e ka të sigurt nëse do të fitojë një mandat në zgjedhjet e ardhshme apo jo, por Shqipëria s’mund të mbetet peng i tre njerëzve.
“Nuk tërhiqemi nga listat e hapura dhe nuk do të mbetemi peng i 3 politikanëve. Duhet të kemi zgjedhje me standarde dhe cilësi. Listat e hapura janë të dobishme për zgjedhjet. Duhet të kemi mbështetjen edhe të qytetarëve. Ne sot kemi edhe kontrollin e Parlamentit, sepse Rama nuk i ka votat për reformën zgjedhore. Pa pasur lista të hapura, nuk ka shans që të miratohet reforma zgjedhore”, u shpreh Hajdari.
Në të njëjtën linjë ka qenë dhe deputeti tjetër i opozitës parlamentare, Muslim Murrizi, kur tha se nuk do të votohet reforma zgjedhore e miratuar nga PD-PS-LSI, pa u prekur neni 68 i Kushtetutës që flet për sistemin zgjedhor, pasi kanë mbështetjen e shumicës së shqiptarëve. Një kërkesë tjetër e shtuar nga ana e opozitës parlamentare është dhe depolitizimi i administratës, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR, por kjo do të thotë të cenosh drejtpërdrejt Kodin Zgjedhor, të miratuar nga forcat e mëdha politike në vend.
Kërkesa për një sistem të hapur listash, ka qenë një kërkesë e kahershme e opozitës parlamentare, deputetët e së cilës shpresojnë që me këtë sistem të kenë një vend në parlamentin e ardhshëm. Ndërkohë që Kodi Zgjedhor mund të miratohet me 84 vota, mazhoranca aktualisht ka 78 vota në Kuvend. Pra, i duhen vetëm gjashtë vota për të kaluar marrëveshjen për Kodin Zgjedhor.
Krahas kërkesës për ndryshim sistemi, opozita parlamentare ka kërkuar dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, dhe rritjen e pragut elektoral në 5%, që penalizon partitë e vogla. Kjo kërkesë penalizon më shumë opozitën jashtë parlamentit. Krah PD-së janë rreshtuar parti të tilla si LSI, PDIU apo PAA që në zgjedhjet e kaluara kanë marrë vota të konsiderueshme.
Paralajmërimi i PPE-së
Çdo deklaratë e PS-së për ndryshime të njëanshme, kundër konsensusit
Ndërsa në Tiranë bëheshin gati për të mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, kryeministri Edi Rama dhe deputetë të opozitës parlamentare, Partitë Popullore Evropiane dolën me një qëndrim për t’i “paraprirë” ndonjë ndryshimi kursi të orëve të fundit mbi paktin e Reformës Zgjedhore. PPE-ja i bëri thirrje mazhorancës të mbështesë deri në fund konsensusin e arritur për marrëveshje në Këshillin Politik, si dhe kërkon miratim dhe zbatim sa më të shpejtë të paketës së ndryshuar për Kodin Zgjedhor.
Kjo thirrje vjen fill pas komunikimit të një takimi të përbashkët të kryeministrit Edi Rama me opozitën parlamentare në Kuvend, me subjekt reformën zgjedhore. Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler, shkruan në rrjetin social facebook se mazhoranca nuk duhet të tentojë kurrsesi të bëjë deklarata për ndryshime të njëanshme që dëmtojnë konsensusin mes palëve, duke marrë parasysh se tashmë ka në dorë miratimin me mbi 84 vota në Kuvendin e Shqipërisë.
PPE-ja rikujton se konsensusi mes palëve është kusht kryesor i Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave, si dhe i mëshon kërkesës së Këshillit Evropian në mars: Shqipëria të sqarojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019. “Ne përshëndesim konsensusin e qëndrueshëm të partive që përfshijnë Partinë Socialiste në pushtet dhe Partinë Demokratike (anëtare e PPE-së), si dhe presim miratimin e shpejtë zyrtar të kësaj pakete. Çdo deklaratë nga partia në pushtet për ndryshime të tjera të njëanshme shkon kundër konsensusit të arritur, i cili është kusht kyç për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE”, shkruan Gahler.
Eurodeputeti këmbëngul në nisjen e procedimit penal për blerjen e votave në zgjedhje, sidomos për akuzat te dosjet 184 dhe 339, që përkatësisht kanë të bëjnë me përgjimet e fushatës zgjedhore për Bashkinë e Dibrës më 2016-n dhe zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Ai thotë gjithashtu se fakti që qeveritë lokale në Shqipëri drejtohen nga një parti e vetme, e cenon nocionin themelor të një demokracie pluraliste.
Partitë Popullore Evropiane bëjnë thirrje edhe për zbatimin e propozimeve të fundit të Komisionit të Veneacies, për lirinë e medias dhe gjyqësorit, që të shmangen efektet frenuese të ligjit për antishpifje të cilat mund të pengojnë fjalën e lirë në Shqipëri. “Opinionet e fundit të Komisionit të Venecies për lirinë e mediave dhe gjyqësorit duhet të zbatohen plotësisht, në mënyrë që të korrigjohen devijimet e mëparshme dhe të ecin përpara”, shkruan Gahler teksa bën të qartë se grupi parlamentar i PPE-së do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Ndryshimet ligjore për reformën zgjedhore, zbatimi sa më parë i të cilave do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin e shpejtë nga puna të KQZ-së për implementimin e identifikimit biometrik, u firmosën në ambasadën amerikane në Tiranë prej përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili, opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, dhe prej përfaqësuesit të mazhorancës, Damian Gjiknuri.
Por, duket se ekziston frika që marrëveshja e shumëpritur, dy vjet pas ndërprerjesh e rifillimesh të tryezave politike, si dhe pas ecejakesh të faktorit ndërkombëtar, të cenohet. Më herët tre kryetarët e grupeve parlamentare Murrizi, Stojku dhe Musai kanë deklaruar se deputetët e opozitës në Parlament nuk do ta votojnë draftreformën zgjedhore, nëse nuk plotësohen kërkesat e saj, për hapje të listave të kandidatëve për deputetë.
/En.Br./Fjala.al