Zgjedhjet në UT/ Vazhdon sherri mes profesorëve, Koni nuk njeh procesin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Procesi zgjedhor në Universitetin e Tiranës vijon të shfaqë probleme, ku së fundmi rektori aktual Mynyr Koni, mohon zhvillimin e zgjedhjeve. Shkak, sipas tij për shtyrjen e procesit zgjedhor është fakti se ende nuk janë zgjedhur anëtarët e rinj të KIZ-it, duke theksuar se anëtarëve aktualë u ka mbaruar mandati. Ky reagim i Konit bie në kundërshtim me vendimin e Senatit Akademik të 21 majit, ku theksohet se KIZ aktual do të ndjekë procesin zgjedhor deri në përfundim.

Nga Ina Allkanjari

Megjithëse ministrja e Arsimit, Besa Shahini, përcaktoi datën 30 korrik, si ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet në universitetet publike, kriza në Universitetin e Tiranës vijon të thellohet.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, rektori aktual i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, theksoi se zgjedhjet në fund të korrikut nuk mund të mbahen, pasi nuk janë miratuar anëtarët e rinj të Komisionit Institucional Zgjedhor, si e vetmja strukturë për administrimin e procesit zgjedhor në UT.

“Në datën 30 korrik 2020, në Universitetin e Tiranës, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe për anëtarë të Senatit Akademik, në kushtet e pamundësisë së Senatit Akademik për të miratuar KIZ-in, dhe të kaosit dhe konfuzionit të shkaktuar nga 5 (pesë) ish-personel akademik i UT”, deklaron Koni.

Nga ana tjetër, në një letër drejtuar ministres së Arsimit, Besa Shahini, rektori në ikje i UT shprehet se ndonëse shpalli periudhën e vetëkandidimeve për anëtarë të KIZ-it të Universitetit të Tiranës dhe të Komisionit të Apelimit të UT, kjo gjë nuk u realizua për shkak të mungesës së aplikimeve nga personeli akademik i UT, ky komision nuk arriti të miratohet nga Senati Akademik.

Koni thekson se tashmë ky proces aplikimi nuk mund të hapet përsëri, duke pasur parasysh të gjitha procedurat që duhet të kryhen gjatë një procesi zgjedhor dhe afatet kohore për çdo procedurë, por kjo situatë, sipas rektorit, e vendos UT-në përballë pamundësisë për të zhvilluar zgjedhje dhe, rrjedhimisht, postin aktual të rektorit do të vijojë ta mbajë Mynyr Koni.

Vendimi, Shkencat e Natyrës futen në zgjedhje

Mësohet se Koni i dërgoi letër ministres së Arsmit një ditë pas shpalljes së vendimit të KZF-së të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, lidhur me listën e kandidatëve për drejtues të njësisë kryesore dhe drejtues të njësive bazë. Pra, një ditë pas përfshirjes në procesin zgjedhor edhe të këtij fakulteti, i cili duke shpallur kandidaturat e tij legjitimon procesin zgjedhor. Përfshirja e FSHN-së në procesin zgjedhor, shënon një hap të rëndësishëm për procesin, pasi ky ishte fakulteti i fundit në UT i cili shpalli kandidaturat. Konkretisht ka rikandiduar për dekan, prof.dr. Spiro Drushku, i cili garon i vetëm.

Gazeta “Fjala”, disponon vendimin e KZF-së, ku përcaktohen kandidaturat për dekan dhe shefa departamentesh. Nga 11 dapartamente që ka fakulteti i shkencave të natyrës vihet re se diku kandidon ose rikandidon një i vetëm, ashtu siç vihet re gara mes dy ose më shumë kandidatëve.

Përplasjet Koni-KIZ

Më herët, në një intervistë për gazetën “Fjala”, Majlinda Keta, kryetare e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve,  foli lidhur me përplasjet e vazhdueshme mes rektorit në ikje të Universitetit të Tiranës dhe KIZ-it. Keta u shpreh se KIZ është një nga shumë hallkat si autoritete udhëheqësie apo struktura të zgjedhura, me të cilat rektori në ikje është në konflikt deri në dyer gjykatash e prokurorish.

“Një gjë i them rektorit në ikje, KIZ-i ka qenë dhe është strukturë që bazohet në kolegjialitetin vendimmarrës që asnjë raport i KLSH-së, auditit të brendshëm të ndonjë ministrie, vendim prokurorie apo gjykate, të interesuari publik për UT-në, apo organizate jofitimprurëse, nuk ia ka cenuar ndonjëherë aktivitetin, dinjitetin institucional dhe rezultatet e punës”, shprehet kryetarja e KIZ-it.

Lexo edhe :  Përmbytjet në Durrës/ Kryebashkiakja Sako: Ka filluar vlerësimi i dëmeve

Kujtojmë se rektori në detyrë, Mynyr Koni, më herët shkarkoi 5 anëtarë të KIZ, vendim i cili është cilësuar i kundërligjshëm nga Senati Akademik në një vendim të posaçëm në 21 maj 2020. Në vendim deklarohet se shkarkimi i anëtarë të KIZ-it është i pavlefshëm, gjithashtu në pikën 2 të këtij vendimi theksohet se zgjedhja e KIZ-it të ri do të bëhet mbas përfundimit të procesit zgjedhor në UT.

“Për shkak se procesi zgjedhor në UT ka filluar, zgjedhja e KIZ-it të ri do të bëhet mbas përfundimit të këtij procesi për Autoritetet Drejtuese dhe Organin Drejtues në Universitetin e Tiranës”, thuhet në vendimin e Senatit Akademik. Ndërkohë më 30 korrik, datë kur është përcaktuar zhvillimi i procesit zgjedhor në universitete, pritet të votojnë 760 personel akademik dhe 30 mijë studentë.

Kryetari i Studentëve në Senatin Akademik të UT-së

Në një prononcim për gazetën “Fjala”, Kristian Kina, kryetar i Studentëve në Senatin Akademik, në Universitetin e Tiranës, tregon se duke marrë parasysh situatën e COVID-19, nuk mund të shtyhen më zgjedhjet, ky është momenti i duhur që ky proces të zhvillohet.

“Në kushtet ku jemi, nëse zgjedhjet nuk realizohen tani, nuk mund të përcaktohet se kur mund të zhvillohen. Kjo do të sillte kaos në universitetet publike, sepse nuk mund të parashikohet ecuria e virusit. Ndaj është momenti që këto zgjedhje të realizohen. Gjithashtu, do të mundësohet që studentët të angazhohen në ditën e votimit”, shprehet kryetari i studentëve në Senatin Akademik të UT.

Për sa i përket pjesëmarrjes së studentëve në zgjedhje, Kina tregon se viti i tretë bachelor dhe viti i dytë master mendohet që të jenë pothuajse të gjithë. Teksa thekson se do të shihet mundësia që edhe vitet e tjera të jenë pjesëmarrës, pasi, sipas tij, tashmë që është hapur edhe transporti publik, gjithçka do të jetë më e thjeshtë. Lidhur me peshën e studentëve në këtë proces zgjedhor, Kina shprehet se duke u bazuar në ligjin e Arsimit të Lartë, studentët nuk kanë peshë të madhe në këtë proces, por vota e tyre ka rëndësi simbolike dhe morale. Ndaj, ai beson se studentët do të bëjnë zgjedhjen e duhur në votime.

Vendimi i MASR-së

Në 30 qershor ministria e Arsimit, Besa Shahini, informoi se zgjedhjet në universitetet publike do të mbahen më 30 korrik të këtij viti. Ministrja theksoi se vendimi vjen pas takimit me rektorët e universiteteve shtetërore, në të cilin rektorët, sipas saj, “shprehën pamundësinë e vazhdimit të udhëheqjes së IAL-ve me mandat të përfunduar”.

Zgjedhjet, sipas ministers, janë të mundshme, pasi ka përfunduar gjendja e jashtëzakonshme dhe sigurohet prania e studentëve në korrik, e lehtësuar nga rikthimi i parashikuar i transportit publik. “Urdhri nr. 108, i datës 08.05.2020, që shtyu pa afat zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në IAL, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ngarkonte IAL-të të vijojnë me përgatitjet për zgjedhje dhe rektorët konfirmuan se të gjithë universitetet janë gati. Në këtë kuadër, i ftoj studentët të ushtrojnë të drejtën e tyre për përfaqësim në strukturat drejtuese të universiteteve ku studiojnë”, thuhet në deklaratën e ministres.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Pasojat janë të rënda, Kanadaja hakmerret pas vendimit të Trump për tarifat

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka vënë në jetë premtimin e tij për vendosjen e tarifave të gjera për...

Netanjahu niset në Uashington: Trump mund të riformojë Lindjen e Mesme

Kryeministri izraelit Netanyahu u nis sot për në Uashington, ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington, DC të martën. Lajmi...

G Bani i shpreh pëlqimin, Danja: Këtë situatë mbaje ti mbi supe…

G Bani ka shprehur pëlqim për Danjën, situatë e cila u diskutua këtë mbrëmje. I pyetur gjatë Primes, banori ka pranuar se ka krijuar...

Ekzekutoi të birin me thikë, arrestohet babai në Tiranë, zbardhet dinamika e ngjarjes

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Tiranë. Një 37-vjeçar i identifikuar si Asim Gjoni është goditur për vdekje me thikë...

Lot dhe emocione, Livia sheh babanë për herë të parë pas 22 vitesh

Livia ka përlotur me rrëfimin emocionues dhe më pas takimin e parë me të atin, plot 22 vite pasi dyshja nuk kishin pasur asnjëlloj...

Lajme të tjera

Web TV