Konfirmojnë Franca dhe Gjermania: Shtyhet takimi Kosovë-Serbi

Ka përfunduar samiti i organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron ku mori pjesë dhe kancelaria gjermane Angela Merkel.

Në këtë samit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti paraqiti tre parime udhëzuese për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas Hotit, tre parimet do të jenë ato që do të drejtojnë procesin: e para integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, së dyti organizimi kushtetues i Kosovës nuk bën të preket pasi garanton funksionimin demokratik të autoriteteve dhe së treti marrëveshja me Serbinë duhet të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Bazuar mbi këto parime, Kosova do të angazhohet në dialog me synime të qarta, mbi të cilat duhet të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes mes saj dhe Serbisë, e cila të rezultojë me njohje reciproke. Pa një përmbyllje të tillë të këtij procesi, marrëveshja nuk mund të arrihet”, tha Hoti.

Ndërkohë takimi i Brukselit, i caktuar të mbahej në 12 korrik, është shtyrë në datën 16. sipas burimeve të ‘Koha ditore’ arsyeja e shtyrjes së takimit ka qenë mungesa e gatishmërisë së Hotit për të udhëtuar në Bruksel të dielën për tu takuar me Vuçiçin. Në 12 korrik, megjithatë pritet të  mbahet një video-konferencë, e organizuar nga Bashkimi Evropian.

“Pjesëmarrësit kanë diskutuar për hapat e ardhshëm në dialogun Prishtinë-Beograd të mbështetur nga BE’ja. Negociatat mes dy palëve do të fillojnë me një video-konferencë që do të mbahet më 12 korrik dhe me takimin e parë në Bruksel më 16 korrik”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e kancelares Merkel./Re.Gu/Fjala.al