Federica De Bastiani, Italiania që e sheh shqipen si gjuhë amtare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Me një shqipe të kulluar, si në të folur, ashtu edhe në të shkruar, 25-vjeçarja italiane, e cila jeton dhe studion në Kozencë të Italisë, rrëfen për gazetën “Fjala” se si i lindi dëshira për ta mësuar këtë gjuhë indoeuropiane. Ajo tregon po ashtu format e ndjekura, që e kanë ndihmuar në përvetësim

Nga Alessia Selimi

Urë mbi të cilën ngrihen marrëdhëniet njerëzore, plot e përplot bëma, zhvillime, gjendje, arritje, mistere, të fshehta kode dhe histori. Kjo është gjuha, dhe ajo e jona, shqipja, rrebesheve të kohës, pushtimeve mizore, përpjekjeve për asilim, ka arritur t’u bëjë ballë më së miri. I ka mbetur pronë të vetit popull me origjinë të lashtë, frymë e shpirt, teksa përthith dhe ushqen atë çka cilësojmë identitet. Gjuha shqipe është e vetmja në të gjithë Ballkanin që u ndalua gjatë pushtimit gjysmëshekullorotoman. Dhe, pa frikë, sot është ndër gjuhët që shihet si ekzotike, sfiduese, në fonetikë e fonologji.

Federica De Bastiani gjendet mes atyre që e kanë marrë përsipër ta përvetësojnë, ndonëse në damarët e saj rrjedh një tjetër gjuhë. Kjo italiane, e cila jeton dhe studion në Kozencë (Kalabri), gëzon një interes tashmë disavjeçar për shqipen, ndoshta edhe për shkak të tolerancës së vendit fqinj për t’u lejuar minorancave historike të ushtrojnë gjuhën amë.

Në Kozencë, mes citofonëve të kësaj qyteze, rastisen lehtë mbiemra arbëreshë. Ndërsa rrugëve kryqëzuese, jo rrallë të ndodh të dëgjosh gjuhën e këtyre të fundit. Duket se, Federica e ka pasur të pamundur të hiqej si indiferente.

25-vjeçarja flet një shqipe të kulluar, me elokuencë befasuese, si dhe shkruan me një saktësi që të habit dhe të bën të mendosh se me patjetër ke të bësh me një shqiptare.

“Interesi im për gjuhën shqipe lindi spontanisht, në moshën 15-vjeçare. Por kam qenë e interesuar për gjuhë të huaja që e vogël, kam një pasion të vërtetë për to. Unë, gjithashtu, jam rritur e rrethuar nga një komunitet shqiptar, dhe ka qenë e zakonshme t’i dëgjoja në përditshmëri me të tyren gjuhë tek flisnin e debatonin tërë pasion“, thotë Federica për gazetën “Fjala” teksa shton se për të ka qenë mbi të gjitha një mision, i vështirë, shumë i vështirë.

Shqipja është një gjuhë indoeuropiane jo lehtësisht e zbërthyeshme. Ndonëse më ishte rrahur veshi me të, nuk ishte e njohur për mua. Por kureshtja bëri të vetën”, shprehet Federica duke qeshur.

I lexohet në sy se është një vajzë këmbëngulëse, dhe rrëfimi i saj se e ka mësuar shqipen vetvetiu, nuk shkakton çudi.

I kisha vendosur vetes si qëllim që ta mësoja këtë gjuhë çdo mbasdite, pas detyrave të shkollës. Dhjetë vite më parë nuk kishte shumë burime në internet. Kështu, bleva fillimisht disa libra italisht-shqip dhe pastaj falë një librarie në qytet mbaja në duar edhe libra nga Shqipëria, ku tregohej asgjë më shumë se sa realiteti juaj. Dëgjoja pambarimisht biseda mes arbëreshësh, kudo me të cilët mund të hasesha. Por, jam ushtruar shumë edhe në të shkruar”, thotë Federica paksa e skuqur tashmë, e vetëdijshme në fund të ditës se përgjimi nuk është një akt i hijshëm.

Për të nuk ka gjuhë të ngjashme me shqipen. E cilëson pa ngurruar unike. Teksa vijon të ndjekë emisione, sidomos ato me tematikë historike, apo të lexojë romane ose artikuj, si dhe të studiojë striktazi gramatikën, Federica bindet çdo ditë e më shumë se në një të ardhme nuk përjashtohet mundësia që ta flasë shqipen si gjuhë amtare.

“Më pëlqen shumë tingulli i saj”, thotë 25-vjeçarja me të vetmen lidhje, atë shpirtërore. E ka vizituar Shqipërinë pesë herë deri më tani, dhe çdo herë i duket si e para.

Lexo edhe :  A do ta pranosh rezultatin? Berisha ngurron të japë përgjigje: "Jam këtu..."

Kur zbres në tokën tuaj jam gjithmonë plot me emocione dhe entuziazëm. Më duket sikur shkel në vendin tim, jo në një vend të huaj. Shqipëria është një thesar ende i pazbuluar, dhe unë nuk lodhem kurrë. Nga veriu në jug, jam magjepsur me natyrën e saj dhe bukuritë që ka. Po ashtu edhe me traditat, që më zhvendosin në një kohë të largët e plot vlera. Për sa u takon njerëzve, janë mikpritës dhe të buzëqeshur; gjithmonë të gatshëm për bashkëbisedim ose për të të ndihmuar. Pra, thënë ndryshe: Në Shqipëri nuk ndihesh kurrë vetëm”, shprehet Federica.

Me një çiltërsi thuajse fëminore, ajo tregon se kur flet me shqiptarë, fytyra e tyre vijëzohet nga të qeshurat. “Më pëlqen që kanë reagim të këtillë. Mendoj se është mënyrë për të shprehur kënaqësinë e përftuar”, thotë Federica me dëshirën për t’u mos keqkuptuar rreth asaj çka tha pak më sipër.

Por, a është hasur me pengesa të një lloji tjetër kjo vajzë italiane, si për shembull me kundërshtinë dhe mospëlqimin e familjarëve apo të miqve për t’iu përkushtuar një gjuhe siç është shqipja?

“Në fillim dukej pak e çuditshme, për të qenë e sinqertë. Po flasim për dhjetë vite më parë. Por kush vendos për rrugën që zgjedhim në jetë? Mund të them me krenari që sot shoqëria ka lënë pas shumë paragjykime. Sot shqiptarët janë një pjesë e shoqërisë italiane, një pjesë shumë e rëndësishme. Ata kanë ditur të fitojnë respektin që meritojnë për sakrificat që bëjnë jashtë kufijve, si dhe për aftësitë e talentin që zotërojnë”, thotë Federica ndërkohë që pohon se njeh shumë shqiptarë si në Shqipëri, edhe në Itali. “Disa prej tyre janë shumë specialë për mua”, shprehet ajo.

Federica aktualisht po mëson gjuhën angleze dhe gjermane në Universitetin e Kalabrisë, dhe po ndjek gjithashtu leksione për shqipen. Sipas saj, pedagogët shqiptarë kanë merita të pamohueshme për nivelin e tanishëm që gëzon për gjuhën shqipe.

Dhe kur e pyesim për katedrën e posaçme, se çfarë duhet të aplikojë në mënyrë që të përftojë më tepër të huaj kureshtarë rreth gjuhës shqipe, krahas brezave të rinj, Federica jep një përgjigje që i atribuohet më shumë interesit të studentëve.

“Katedra e gjuhës shqipe ka shumë burime në opinionin tim. Biblioteka e saj është ndër më të pasurat. Profesorët janë shumë të gatshëm dhe kurset janë vërtet interesante. Italianët po interesohen gjithnjë e më shumë për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Në opinionin tim, gjërat kanë premisë për të ndryshuar. Por mendoj se problemi qëndron te studentët, te frika që ata përjetojnë teksa përballen me një gjuhë të vështirë, si shqipja.”

Federica mban rreth qafës një varëse fine me një shqiponjë të gdhendur në flori. Pikërisht mbi lëkurë dhe pranë zemrës, si për të shumëzuar me zero çdo pohim, e si për të lënë të kuptohet se dashuria e saj për Shqipërinë shkon përtej mësimit të gjuhës, e pak më larg simbolikave.

https://www.youtube.com/watch?v=znNyms_abas

Fjala.al

Të fundit

Sa rriten rrogat dhe pensionet? Rama tregon planin për mandatin e katërt

Në fjalimin e tij të fitores para mbështetësve në sheshin Skënderbej, Kryeministri Edi Rama listoi të gjitha prioritetet për...

Hulumtimi që habit: Në këtë moshë, pesha juaj flet për jetëgjatësinë tuaj

Një studim i ri vjen për të përcaktuar se si pesha dhe mosha luajnë një rol, në jetëgjatësinë e një personi. Akumulimi i peshës para...

“Putin ka frikë të takohet me mua”, Zelensky lëshon provokimin e radhës

Një takim personal me Vladimir Putinin nuk do t’i zgjidhte të gjitha problemet, por mund të jetë një fitore politike në gjetjen e një...

“Europa, mbarë nga nesër në Tiranë!” Rama zbulon detaje për Samitin

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje ekskulzive këtë të mërkurë, teksa mbante fjalimin e fitores, për Samitin e Europian që do të mbahet në...

Votat në Tiranë, Kapri i merr mandatin PD-së! Tabaku 400 vota para Alimehmetit

Vijon në Tiranë numërimi i votave preferenciale të kandidatëve ku deri tani nga raportimet zyrtare të KQZ-së janë numëruar 603 nga 1282 kuti votimi. PS-ja...

Lajme të tjera

Web TV