Premtimi i Sekretarit të Brendshëm në Britaninë e Madhe, ose i ministres se Brendshme Britanike, për të goditur kriminelët e huaj deri në dëbimin e tyre, është vënë në dyshim nga dështimet e njëpasnjëshme.
Kështu ka pretenduar ‘Daily Mail’, teksa ka dhënë edhe shembuj të qëndrimit të shkelësve të ligjit në Britaninë e Madhe.
Daili Mail ka zbuluar dy raste që demonstrojnë nevojën urgjente për legjislacionin e ri të dëbimit të shpejtë, të të huajve, premtuar muajin e kaluar nga vetë ministrja Priti Patel.
Në njërin rast, bëhet fjalë për një gangster shqiptar, i burgosur për gjashtë vjet, i cili i iku policisë më makinën e tij por u kap më pas me një sasi kokaine që shkonte në vlerën e mbi 1 milion eurove.
Ai e shmangu dëbimin duke argumentuar se do të rrezikohej nga gjakmarrja, nëse do të rikthehej në Shqipëri.
Rastet nxjerrin në pah pengesat ligjore me të cilat përballen autoritetet britanike kur përpiqen të dëbojnë kriminelët e huaj.
Tre javë më parë, zonja Patel u tha Commons: “Pozicioni i qeverisë është, nëse abuzoni me mikpritjen tonë dhe bëni krime në Mbretërinë e Bashkuar, ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’ju larguar”.
Megjithatë, numri i shkelësve seriozë të dëbuar ka rënë me gati 40 për qind në katër vitet e fundit – nga 5,218 në 2015 në 3,225 vitin e kaluar.
David Spencer, drejtor i hulumtimit në Qendrën për Parandalimin e Krimit, tha: “Është skandaloze që ka mijëra kriminelë të huaj që jetojnë lirshëm në komunitetet tona kur duhet të ishin deportuar prej kohësh.”
Një shkelës i tillë është Resul Rahova, një shqiptar i dënuar si tregtar i drogës. Pasi arriti këtu në tetor 2011, atij iu dha statusi i refugjatit me leje të kufizuar për të qëndruar deri në shkurt 2017.
Atij iu dha një dënim me burg për 6 vite për veprat penale të drogës në vitin 2016, por ai ia dol me sukses të shmangte dëbimin duke pretenduar rrezikun e gjakmarrjes në Shqipëri.
Me gjithë përpjekjet e mëtejshme për ta larguar nga Britania, atij i është lejuar të qëndrojë në bazë të Ligjit për të drejtat e njeriut. Ndërkohë, refugjati irakian dhe tregtari i dënuar i drogës Serook Saeed, 33 vjeç, shmangi dëbimin pasi u lirua herët nga burgu gabimisht.
Ai shfrytëzoi lirinë e tij për t’u bërë një shef i drogave në rrethe. Saeed, i cili argumentoi se jeta e tij do të ishte në rrezik në Irak, tani është përsëri prapa hekurave pasi u dënua për drejtimin e një bande që drejtonte heroinë dhe kokainë nga Londra për në Kent.
Mbrëmë, Zyra e Brendshme tha: ‘Dëbimi u ndoq me këmbëngulje ndaj të dy këtyre personave … Ne do të konsiderojmë një veprim të ri të dëbimit. Sekretari i Brendshëm është duke kërkuar reformimin e sistemit për të siguruar që ata që vijnë në këtë vend dhe kryejnë krime mund të dëbohen më shpejt”.
Sekretari i Brendshëm Britanik është duke kërkuar reformimin e sistemit për të siguruar se, ata që shkojnë në Britani, dhe kryejnë krime, mund të dëbohen më shpejt./Bl.Ba/Fjala.al