Nga Alessia Selimi
Një tjetër rekord negativ është shënuar në Shqipëri, sa i përket rasteve të reja me Covid-19. Në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë 117 persona, ndërkohë dy persona kanë ndërruar jetë; një 70-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 66-vjeçar nga Shkodra, me sëmundje bashkëshoqëruese. Në një situatë të këtillë, dramatike dhe shqetësuese, e cila po vazhdon prej pesë muajsh tashmë, reporterëve u takon të mbulojnë fatkeqësitë në terren.
Teksa i qendrojnë besnik misionit për të informuar qytetarin, atyre u duhet të përballen me një sërë përgjegjësish: të mos shkaktojnë më shumë dëm se ata që janë prekur, si dhe të kujdesen për shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Sidoqoftë, ata e kanë të pamundur të menjanojnë ankthin dhe sfidat që u shtrohen përpara. Por edhe për gazetarët të cilët nuk mbulojnë terrenin, vlen e njëjta gjë.
Gazeta “Fjala” i është drejtuar gazetarit të televizionit News 24, Erjon Skendaj dhe gazetares së gazetës “Shëndet Plus”, Denisa Celamit për angazhimin e të vazhduarit nën ritmin e informacionit, në një kohë kur duket se institucionet shëndetësore po gëzojnë si kurrë më parë një qendrim hermetik ndaj numrit real të rasteve të shtruara dhe vdekjes së pacientëve dhe mjekëve të infektuar brenda ambienteve spitalore.
Erjon Skendaj: Frika e infektimit, refren i ditës
Si është të jesh gazetar terreni në kohën e koronavirusit?
Të jesh gazetar përgjatë pandemisë globale Covid-19 nënkupton bashkëjetesën me rrezikun e virusit në çdo moment. Personalisht nuk kam frikë se infektohem pasi kam 12 vite që mbuloj shëndetësinë dhe s’kam lënë korridor të Infektivit pa shkelur. Megjithatë, i druhem faktit se mund të infektoj të tjerët, familjen, të afërmit, kolegët.
Situata është rënduar tej mase në dy javët e para të korrikut dhe rreziku i infektimit sa vjen dhe shtohet. Ndaj dhe qëndrimi me orë të tëra bashke me kolegë para Infektivit, më shumë se lodhje, prodhon stres dhe pashmangshmërisht panik edhe në radhët e profesionistëve të medias. Prindërit e mi, të dy pensionistë që banojnë në Kavajë, munda t’i shoh pas 4 muajsh nga një distancë dy metra larg.
Doja shumë t’i përqafoja, por jo. U buzëqesha dhe vetëm kaq. Është vërtetë e dhimbshme të kesh pranë njerëzit më të dashur e të mos kesh mundësi t’i shprehësh dashurinë. Të dy kanë sëmundje kronike dhe një pakujdesi e imja mund t’i infektojë, çka do të më shkaktonte një peng të madh në jetë. Po kështu kam vendosur të mos shkel në median ku punoj, në Neës24, për aq kohë sa virusi do të jetë kërcënues.
Çfarë vështirësish ke hasur gjatë raportimeve të vazhdueshme nga vatrat që përbëjnë rrezik për jetën?
Vështirësia më e madhe është mundësia dhe rreziku i infektimit. Kontaktet e shpeshta me familjarë të pacientëve me Covid-19 të shtruar në Infektiv apo me mjekë të shumtë edhe jashtë ambienteve spitalore, ku virusi ka njohur përhapje, shton shkallën e rrezikut.
Nga ana tjetër, gazetarit në terren i duhet të presë me orë të tëra në shi ose në vapë para “gardhit” të karantinës për të kuptuar situatën dinamike të shtrimeve dhe daljeve në spitalin Covid.
Ndodh shpesh që ka edhe reagime të ashpra nga familjarë të personave të shtruar që indinjatën e tyre, për mungesën e informacionit nga të afërmit, drejtuesit dhe personeli i klinikës infektive në QSUT, e shkarkojnë mbi gazetarët dhe policinë që ruan perimetrin. Por këto janë vështirësitë e zanatit që çdo gazetar i ka marrë parasysh.
A je ndjerë ndonjëherë drejtperdrejt i rrezikuar nga Covid-19, dhe a e ke bërë testin?
Frika e infektimit është refren i ditës, por në disa raste ka qenë edhe më shumë se kaq. Më është dashur të intervistoj në të paktën tre raste familjarë tepër të afërt të të sëmurëve të shtruar që kishin disa ankesa thelbësore për referimin e vonuar me disa ditë të familjarëve në spitalin Covid. Dhe gjatë intervistave ku intervistuesit nuk mbanin maskë, mësoja se asnjë prej tyre nuk ishte testuar për Covid-19 nga ISHP-ja.
Pra, potencialisht, mund të ishin të infektuar. Imagjinoni stresin psikologjik ndërsa do më duhej që pas pune të rikthehesha në shtëpi, e ku në hyrje si gjithmonë më pret goca 11-vjeçe për të më përqafuar. Në këtë formë kam bashkëjetuar me Covidin për 4 muaj dhe paralelisht kam dhënë pa dëshirë lajme të trishta për dhjetra persona të mposhtur nga virusi vrasës.
Nga ISHP-ja, tamponi më është bërë vetëm pak ditë më parë. Rezultova negative, por as kjo nuk më qetëson aspak, pasi si gazetar i shëndetësisë e di mirë se vërtetësia e tamponit është në masën 60%.
Sa e vështirë ka qenë për ty marrja e informacionit? A ka pasur transparencë dhe si ka qenë komunikimi i autoriteteve me mediat?
Marrja e informacionit është një dramë më vete për gazetarët e Covidit. Është pak të thuash që qeveria është bërë hermetike, ku nga njëra anë jep lajme me pikatore, ndërsa nga ana tjetër përpiqet të fshehë situatën reale të Covid-19, duke u bërë presion mjekëve të Infektivit që të mos guxojnë të nxjerrin informacione jashtë mureve të spitalit .
Por, edhe me këtë valë të re censure të prodhuar nga maja e piramidës së shëndetësisë e deri brenda spitalit Covid, ia kam dalë që falë burimeve besnike ndaj medias së lirë të publikoj lajme të pa raportuara, ose më keq, të fshehura me shumë kujdes nga komiteti teknik, që nga numri i rasteve të shtruara, tentativa për të fshehur vdekjet e pacientëve dhe mjekëve të infektuar brenda QSUT-së, deri tek vdekjet e cilësuara si asiptomatikë apo të pa raportuara fare brenda spitalit Covid 1. Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë për lajmet ka qenë zero, që nënkupton pranimin në heshtje të fakteve të publikuara përmes burimeve brenda spitalit.
Denisa Celami: Gazetarët, totalisht në errësirë informacioni
Si është të jesh gazetare në kohën e koronavirusit?
Së pari, duhet thënë që media jonë është e dedikuar në çështjet e shëndetësisë, dhe në këtë kontekst kemi punuar me shumë intensitet. Sfida më e madhe ka qenë marrja e informacionit të saktë. Përveç shifrave dhe komunikimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, apo institucionet e tjera shëndetësore, njerëzit kërkonin informacion për çdo gjë që lidhej me përditshmërinë e tyre dhe rrezikun për infektim nga Covid-19.
Ka patur informacione kontradiktore edhe nga vetë ekspertët e shëndetësisë sepse të gjithë, përfshirë edhe ata vetë që po përballeshin me një të panjohur që po rrezikonte jetën e të gjithëve. Kështu që ka qenë e vështirë të përçoje tek qytetari çdo informacion në mënyrë të thjeshtë dhe të saktë.
Nuk kemi njohur orar pune, kemi punuar për të përcjellë informacionin dhe të qartësojmë “dilemat” e tyre, përmes hulumtimit në faqet e huaja dhe serioze, apo përmes komunikimit me ekspertët e shëndetësisë. Gjithashtu jemi munduar të sensibilizohemi dhe të bëjmë qendër të raportimeve tona edhe punën e palodhur të personelit shëndetësor.
Çfarë vështirësish ke hasur punës së vazhdueshme për të përcjellë tek lexuesi informacion korrekt?
Vështirësitë kanë qenë të shumta, duke nisur që nga mungesa e informacionit për atë që po ndodh. Çdo gazetar, kur vihet përballë përgjegjësisë për të raportuar një lajm, gjëja e parë dhe më e rëndësishme është që të jetë i përgatitur dhe të ketë disa njohuri sado të përgjithshme për temën për të cilën do të raportojë. Në këtë rast, ne kemi qenë totalisht në errësirë informacioni.
Sa e vështirë ka qenë për ty marrja e informacionit? A ka pasur transparencë dhe si ka qenë komunikimi i autoriteteve me mediat?
Marrja e informacionit nga autoritetet shëndetësore ka qenë shumë e vështirë. Ne kemi bërë disa kërkesa për informacion. Po përmend të fundit, që kemi bërë më datëë 12.06.2020, për numrin e personelit shëndetësor të infektuar me Covid-19, pasi nuk ka patur një informacion të saktë që nga prilli që: sa është numri total i mjekëve dhe infermierëve të infektuar me Covid-19.
Pra, jepen shifra për qytetarë të infektuar, jepen rastet e reja dhe nuk ka një raportim specifik për personelit. Përgjigja e ministrisë, përmes ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, ishte që: duhet të konsultojmë informacionin që publikohet në ëebin zyrtar të ministrisë.
Dihet që Shqipëria e vuan shumë mungesën e mjekëve, kemi një raport dëshpërues, 1.2 mjekë për 1000 banorë, ndërkohë vitet e fundit me largimet masive të bluzave të bardha, situata është përkeqësuar.
Në këtë kontekst, ne, si media e dedikuar për shëndetësinë, jemi të interesuar gjithë kohës të kemi informacion për situatën, dhe kjo “mbyllje” e Ministrisë së Shëndetësisë sigurisht që vështirëson edhe punën tonë si gazetarë, veçanërisht kur duam të thellohemi në problematikë.
la.mi/Fjala.al