“KOKSH-i ka punuar edhe me DigitAlb, edhe “online”, gafa e radhës nga Bezhani (VIDEO)

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, është një personazh që nuk ka ngurruar të dhurojë situata shpesh qesharake, sidomos në përdorimin që ai i bën kibernetikës dhe, më konkretisht, Internetit.

Vite më parë, u bë virale në Internet e në rrjete sociale gafa e tij, teksa, në traditën e publikimit në rrjetin social “Facebook”, të fjalimeve që ai mban në ceremoni të ndryshme, ai botoi gabimisht edhe fjalimin që ai supozohej të mbante në anglisht në një takim ndërkombëtar të Komiteteve Olimpike në Shqipëri.

Në atë rast, ai botoi gabimisht versionin në anglisht të fjalimit, por, duke qenë se ai nuk flet anglisht, stafi i KOKSH-it ishte detyruar t’ia shkruante atë të shqipëruar. Dhe miqtë e tij në Facebook lexuar në anglishten e shqipëruar të Bezhanit fjalimin që niste: “Dir frends end gests. It iz maj plezhër tu uellkom ju oll hir in Tirana…” etj., etj.

Por më së fundi, Bezhani ka dhuruar një tjetër gafë, teksa duke folur për punën që po bën KOKSH-i në këtë kohë epidemie, në vend që të thonte se “KOKSH-i ka punuar edhe në mënyrë dixhitale, edhe “online”,” tha se “KOKSH-i ka punuar edhe me DigitAlb, edhe “online”.

Për më tepër, klikoni videon e mëposhtme.