Kushtetuta e Shqipërisë është në prag të ndryshimit për herë të 6-të që pas miratimit të saj me referendum, vetëm 22 vjet më parë. Ndryshe nga 5 herët e tjera, ndryshimet e radhës po kryhen pa konsensus politik.
Nisma e kryeministrit Edi Rama për të ndryshuar Kushtetutën pa pëlqimin e opozitës, që të mundësojë lista të hapura kandidatësh, ka hasur kundërshtimin e fortë të presidentit Ilir Meta.
Ai e cilësoi ilegjitim Parlamentin aktual dhe kërkoi që për Kushtetutën të vendosë populli. Reagon Komisioni Evropian: Të mos preket marrëveshja e 5 qershorit. PD-ja publikon faktet: Ja nenet që rrëzohen nga hapja e listave.
Nga Blerina Gjoka
Kushtetuta është ligji themeltar i një shteti dhe si i tillë ai synon të jetë një burim ligjshmërie për të gjitha institucionet e vendit dhe përçon vullnetin e popullit. Shqipëria arriti ta miratojë kushtetutën e re vetëm 7 vite pasi kishte rënë sistemi komunist, në një votim popullor në vitin 1998, pasi kishte dështuar një referendum i mëparshëm në vitin 1994. Por që prej 22 vitesh dokumenti që duhej të ishte “Bibla e ligjshmërisë” në vend, është kthyer në fakt në një bllok shënimesh për politikën.
Plot 5 herë në këto 2 dekada është ndryshuar me votat e deputetëve në Kuvend, shumicën e rasteve me një konsensus të gjerë politik ose, të paktën, me konsensusin e dy partive më të mëdha në vend, Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike.
Katër vite pas ndryshimit të fundit, ku u reflektua në Kushtetutë reforma e re në drejtësi, me dakordësinë 100 për qind të Kuvendit, Partia Socialiste në mazhorancë ka iniciuar ndryshime të reja që kanë krijuar debat të madh politik, dhe rrezikojnë të minojnë një marrëveshje politike të arritur me opozitën, në 5 qershor të këtij viti.
Këto ndryshime kanë hasur kundërshti nga opozita e bashkuar jashtë Kuvendit dhe, së fundmi, edhe nga presidenti Ilir Meta, i cili është përfshirë në replika në distancë me kryeministrin gjatë ditës së djeshme.
Kritika ndaj nismës ka pasur dhe Brukseli, ku një zëdhënëse e Komisionit Evropian bëri thirrje që të mos preket marrëveshja e 5 qershorit, që ka të bëjë me Kodin e ri Zgjedhor, një kod që u ndryshua bazuar mbi sistemin elektoral aktual, me lista të mbyllura.
Nëse ndryshimet bëhen realitet, gjasat janë që kriza politike në vend të thellohet, ndryshe nga pritshmëritë që kishte marrëveshja e qershorit, e bekuar edhe nga ndërkombëtarët. Ndryshimet e reja e gjejnë Kuvendin në një situatë të pazakontë, ku deputetët e mandatuar të opozitës në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë dorëzuar mandatet e tyre, duke dalë jashtë Kuvendit dhe një pjesë e tyre janë zëvendësuar me emra që vijnë nga listat shumemërore të partive opozitare.
I paprecedentë është dhe fakti që Parlamenti ka 120 deputetë nga 140 që është përcaktuar në Kushtetutë. Opozita që ka mbetur jashtë Kuvendit u frikësohet ndryshimeve në Kushtetutë, me argumentin se do të ndalohen koalicionet parazgjedhore për të dëmtuar mundësitë e saj për fitoren e zgjedhjeve të reja pas disa muajsh.
Meta apelon për referundum
Presidenti Ilir Meta është pozicionuar kundër nismës për ndryshime kushtetuese, duke e cilësuar marrëzi dhe ilegjitime. Po ashtu, ai ka bërë të qartë se me pushtetin e detyrës së kreut të shtetit nuk do t’i njohë këto ndryshime, duke apeluar Ramën që të përballet me referendum popullor.
Ai u përfshi në një sërë replikash me kreun e qeverisë gjatë ditës, duke treguar se niveli i konfliktit mes tyre ka arritur një kulm të ri, pas një paqeje që u duk se po vinte pas miratimit të kreut të ri të KLSH-së.
Duke iu rikthyer frymës së demostratës së 2 marsit, Meta ka qenë i prerë dhe paralajmërues për një dekret për shpërndarjen e Kuvendit. “Ndryshimet kushtetuese mund të bëhen vetëm me një dakordësi totale, siç u bënë kur ishte presidenti me dakordësi totale, me 140 vota.
E ka thënë qartë edhe ‘Venecia’, nëse duhen ndryshime për çështje që kanë të bëjnë me prekjen e paketës së reformës në drejtësi, dhe për çdo çështje tjetër të rëndësishme, kjo duhet bërë në mënyrën më konsensuale, siç e thotë raporti i Venecias. Ajo platformë u injorua, se ju i dini zhvillimet me teatrin dhe estradat e tjera, por presidenti punon në rrethana që nuk i ka krijuar presidenti.
Populli ishte aty në 2 mars, nuk më ikin thirrjet ‘shpërndaje parlamentin’, ndaj është moment që t’i thërrasin mendjes. Duan pa koalicione ta vendosin me referendum, patjetër, por ta vendosë populli është thelbësore për demokracinë.
Sovraniteti i përket popullit, e keni në pikën 6 të Kushtetutës. Nuk do zgjedhim asnjë model lindor, e kemi demokracinë tonë një herë e mirë, e kemi rrugën të përcaktuar, jemi anëtarë të NATO-s dhe jemi drejt BE”- tha Meta.
Presidenti i Republikës ishte i prerë në kundërshtimin e tij ndaj kësaj nisme dhe tha se do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndryshimet e njëanshme kushtetuese. “Do të ushtroj të gjitha funksionet e mia kushtetuese për ta parandaluar një veprim të tillë të paprecedentë në 3 dekada pluralizëm.
Një akt i tillë nuk do të njihet nga presidenti i Republikës”, theksoi Meta. Por i pyetur nga gazetarët, se cili do të jetë hapi i radhës i ai tha: “Nëse të tjerët çmenden, do të bëj detyrën time!” Ai tha se do të qëndrojë përkrah popullit, të majtëve e të djathtëve, apo dhe atyre pa parti.
“Mos u merrni me hapat e radhës së presidentit. Presidenti ka treguar se për interesin e demokracinë dhe interesat kombëtarë të vendit, se këtu cenohet integrimi i vendit, që është aspiratë e partive shqiptare, se është e popullit shqiptar, cenohet rëndë garancia e komunitetit, që është Kushtetua.
S’do t’ju them unë se çfarë do të bëj unë, në rast se të tjerët çmenden. Unë do të bëj detyrën time me të gjithë popullin shqiptar, me të majtë e të djathtë, pa parti, me gjithë ata që nuk e lënë vendin të zbrazet e të mbushet me gjëra të tjera”, paralajmëroi kreu i shtetit.
Sipas tij, nëse nisma për ndryshimin e Kushtetutës bëhet realitet, ajo e zhbën marrëveshjen politike të arritur me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, si një mundësi për plotësimin e njërit prej kushteve kryesore për çeljen e negociatave me BE-në. “Marrëveshja i hap rrugën përmbushjes të të parit prej 15 kushteve.
Këto ndryshime kushtetuese janë në kundërshtim me parimet e Komisionit të Venecies dhe janë udhërrëfyesi i vetëm në zgjedhje demokratike. Edhe OSBE-ja në Tiranë ka bërë me dije se është shumë vonë për ndryshime.
Propozimi për ndryshimet kushtetuese, zeron përpjekjet 9-mujore për gjetjen e një konsensusi. Është e domosdoshme që palët politike t’i qëndrojnë besnike marrëveshjes, aq më tepër që janë investuar dhe ndërkombëtarët”.
Një tjetër argument që ai solli kundër ishte dhe legjitimiteti i Kuvendit. “E theksoj në mënyrë të përsëritur se Kuvendi s’e ka legjitimitetin kushtetues për t’i realizuar këto ndryshime. Kuvendi ka vetëm 82 deputetë legjitimë që e kanë fituar mandatin nga procesi zgjedhor, ku përfshin dhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan me të drejtë që të dorëhiqeshin.
Kuvendi ka formalisht 122 deputetë nga 140 deputetë, që është detyrim kushtetues. Jo vetëm kaq, të gjitha procedurat e parashikuara nga Kushtetuta, nuk janë plotësuar. Kodi Zgjedhor nuk është respektuar në zëvendësimin e mandateve.
Kodi Zgjedhor e ndalon heqjen në bllok të mandateve dhe asnjë nuk u thirr në KQZ, për të hequr dorë nga mandati”, tha Meta.
Mbrojtja e Ramës
Kryeministri Edi Rama ka shkaktuar jo pak habi javët e fundit, kur doli publikisht pro listave të hapura, një argument për të cilin më parë ishte shfaqur skeptik, ndërsa përfaqësuesi i tij në Këshillin Politik nuk kishte shprehur asnjë interes për diskutim gjatë negociatave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Por nga foltorja e Parlamentit kreu i qeverisë ka mbrojtur “listat e hapura” si një e mirë për demokracinë dhe një kërkesë që vjen prej votuesve. Rama ka hedhur poshtë akuzën që i bëhet nismës se po bllokon mundësinë e koalicioneve parazgjedhore dhe po shkel marrëveshjen politike të 5 qershorit.
Ndërkohë kreu i qeverisë nuk ka shfaqur tërheqje pas deklaratës së numrit dy të CDU-së në Bundestag, duke e cilësuar deputetin gjerman, Johann David Wadephul, si më shumë mik me Bashën. Rama këmbënguli te respekti për votën opozitare në Kuvend.
“Opozita parlamentare dhe joparlamentare nuk e nderojnë veten, duke e fyer Parlamentin dhe duke i trajtuar parlamentarët si dy kategori; një kategori legjitime dhe një ilegjitime. Kjo është e ulët dhe e padenjë.
Askush nga ne këtu nuk është ilegjitim. S’do ta pengojë Parlamentin e Shqipërisë që pa u mbyllur ky sesion, të votojë një ndryshim që u shërben zgjedhësve shqiptarë”. – tha Rama. Duke cituar një nga nismëtarët e ndryshimeve ai shtoi se “siç thotë Myslym Murrizi, shqiptarët duhet të zgjedhin, dhe jo vetëm të votojnë”.
Për marrëveshjen e 5 qershorit, kreu i qeverisë tha se “Parlamenti i Shqipërisë është sovran dhe do të vendoset saktësisht siç mendojnë përfaqësuesit e popullit shqiptar këtu në këtë sallë, në respekt të marrëveshjes së 5 qershorit dhe në respekt të më shumë se 80% e shqiptarëve që duan të zgjedhin jo vetëm deputetin, por dhe partinë”.
Duke iu referuar kritikave që erdhën nga Budenstag-u gjerman, Rama tha se “mjegulla e përhapur përmes dezinforimit, përmes gjysmë të vërtetave dhe përmes klithjeve dhe lotëve të atyre që janë jashtë, do të shpërndahet më shumë herët se vonë”.
Më tej ai garantoi se nuk do t’i ndalonte koalicionet hapja e listave. “Ne thjesht po bëjmë atë që bën Gjermania; ajo që shoh e dëgjoj është se po ndalojmë koalicionet; kjo është qarja e fundit e Lulit, në kohë.
Ne nuk do t’i ndalojmë koalicionet, por do t’i bëjmë si në Gjermani, dhe do t’ju isha mirënjohës, nëse më tregoni një shtet demokratik që i ka koalicionet si në Shqipëri. Të më sjellin një. Italia i ka si do t’i bëjmë ne. Koalicionet janë program dhe listë e përbashkët“. – u shpreh Rama.
PD-ja këmbëngul: Ja nenet që shkelen në marrëveshjen e 5 qershorit
Partia Demokratike reagoi përmes sekretarit të saj të përgjithshëm, Gazmend Bardhi, lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama në seancën plenare të mbajtur sot. Në një deklaratë për mediat, Bardhi listoi sipas tij, faktet që ndryshimet njëanshme kushtetuese zhbëjnë marrëveshjen e 5 Qershorit.
”Edi Rama gënjeu prapë sot. Ndryshimet e tij të njëanshme kushtetuese i eliminojnë koalicionet dhe prishin marrëveshjen e 5 qershorit. Nuk ka asnjë mënyrë që Edi Rama të miratojë këtë marrëveshje pa e ndryshuar, siç gënjeu edhe sot. Duke eliminuar koalicionet, siç parashikohen sot me Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, Edi Rama e zhbën këtë marrëveshje.” – tha Bardhi.
Më tej ai solli argumentet nen për nen për mënyrën se si ndryshimi i Kushtetutës do të kërkonte logjikisht ndryshimin e marrëveshjes. Bardhi argumentoi se Neni 68 i Kushtetutës aktualisht parashikon se: “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit.”
Ndërsa, nga ana tjetër, sipas nismës së re, Komisioni I Ligjeve e riformulon nenin 68 të Kushtetutës, si më poshtë: “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit.” “Është fare e qartë se ndërhyrja e njëanshme në Kushtetutë prej Edi Ramës e prish marrëvëshjen e 5 qershorit”, – pohoi Bardhi.
Më tej ai sqaron se drafti i dakordësuar mes partive politike parashikon se “partitë pjesëtare të koalicionit të garojnë me lista shumemërore të veçanta”. Pra, marrëveshja, jo vetëm lejon koalicionet parazgjedhore, por u jep mundësinë partive politike brenda një koalicioni të garojnë me lista të veçanta.
“Për partitë pjesëtare të koalicionit që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy.” Por, sipas Bardhit, ndryshimet e reja i detyrojnë partitë të garojnë me një listë të përbashkët dhe jo siç është dhënë dakordësia në marrëveshjen e 5 qershorit.
Sipas Bardhit, një tjetër nen i dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit që zhbëhet nga ndryshimet kushtetuese është neni 36. Aty thuhet shprehimisht se “Në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.”
Pra, faktet tregojnë se Edi Rama ka rënë dakord dhe Partia Socialiste ka firmosur më 5 qershor, që jo vetëm të vazhdohet me koalicionet parazgjedhore, por gjithashtu që një parti politike, pjesë e një koalicioni parazgjedhor, të paraqesë listën e vet të veçantë.
“Me prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit, ai po kërcënon rëndë stabilitetin e vendit dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndrimet e qarta të sekretarit amerikan të Shtetit, përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, komisionerit për Zgjerimin dhe Bundestag-ut, si dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të dakordësisë së 5 qershorit.”- theksoi përfaqësuesi i selisë blu.
Sipas tij, nëse Partia Socialiste është vërtet e interesuar për ta rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga marrëveshja e 14 janarit dhe nga marrëveshja e 5 qershorit t’i parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik.
Tabela
Ndryshimet kushtetuese:
1998 Kushtetuta votohet me Referendum
2007 KQZ shtohet me dy anëtarë (LSI+PDK) 81% Në Kuvend
2008 Mandati i pushtetit vendor nga 3 në 4 vjet 81% Në Kuvend
Presidenti, zgjedhje nga 84 me vetëm 71 vota 82% Në Kuvend
KQZ (si kapitull) hiqet nga Kushtetuta 82% Në Kuvend
Mandati pa përcaktim i kryeprokurorit bëhet 5 vjet 82% Në Kuvend
Vendoset mocioni konstruktiv i mosbesimit për KM 82% Në Kuvend
Zgjedhjet me sistem proporcional rajonal 82% Në Kuvend
2012 Kufizimi i imunitetit për deputetë/ gjyqtarë 93% Në Kuvend
2015 Paketa mbi Dekriminalizimin 94% Në Kuvend
2016 Paketa e Reformës në Drejtësi 100% Në Kuvend
Komisioni Evropian:
“Është thelbësore që marrëveshja e 5 qershorit për reformën zgjedhore në Shqipëri të ruhet, duke pasur parasysh domosdoshmërinë për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, një kusht i vendosur nga Këshilli marsin e kaluar para IGC. Çdo ndryshim legjislativ shtesë nuk duhet të rrezikojë këtë qëllim parësor.”
Ilir Meta
“Së pari, Kuvendi nuk e ka legjitimitetin për të realizuar ndryshime kushtetuese. Kanë vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe 3 deputetët e opozitës. Së dyti, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor e ndalojnë që Kushtetuta të ndryshojë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe kërkesa e opozitës parlamentare është bërë gjatë kohës së pandemisë, kur në fuqi ishte akoma gjendja e jashtëzakonshme.”
Edi Rama:
“Ilir Meta thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum! Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do të ndryshojë, as koalicionet s’do të ndalohen, por listat do të hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton!”
Gazmend Bardhi:
“Edi Rama gënjeu prapë sot. Ndryshimet e tij të njëanshme kushtetuese i eliminojnë koalicionet dhe prishin marrëveshjen e 5 qershorit. Nuk ka asnjë mënyrë që Edi Rama të miratojë këtë marrëveshje pa e ndryshuar, siç gënjeu edhe sot. Duke eliminuar koalicionet, siç parashikohen sot me Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, Edi Rama e zhbën këtë marrëveshje.”
la.mi/Fjala.al