Në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe në atë të Apelit të Tiranës shtyhen disa procese gjyqësore pas infektimit të tre gjyqtarëve dhe futjes në karantinë të kolegëve që patën kontakt me ta. Dy gjykatat elitë antikorruspsion të mbërthyera nga virusi
Nga Elvis Myrta
Infektimi me koronavirus i tre gjyqtarëve në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe në atë të Apelit të Tiranës, i fut në ngërç të dy këto instiucione, ku pjesa më e madhe e proceseve gjyqësore u shtynë. Në të dy institcionet e drejtësisë janë shtyrë plot 22 seanca, 14 prej të cilave vetëm në Gjykatën Speciale. Prekja me virus e kreut të GJKKO-së, Sandër Simonit, ka bërë që gjatë kësaj jave të shtyhen të gjitha proceset, ku ai ishte pjesë e trupës gjykuese. Gazeta “Fjala” mëson se për të paktën dy javë GJKKO-ja, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit në këtë institucion, do të punojë me staf të reduktuar.
Sakaq gjyqtari që ka rezultuar pozitiv me koronavirus është karantinuar në shtëpi dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Për të paktën 14 ditë janë izoluar në banesat e tyre edhe dy gjyqtarë të tjerë të kësaj gjykate, të cilët kanë pasur kontakte të afërta me gjyqtarin e infektuar me COVID-19. Në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në total janë 10 gjyqtarë, dhe mungesa e tre prej tyre për të paktën 2 javë do ta vërë në vështërsi serioze zhvillimin e gjyqeve, pasi ata janë pjesë e trupave të ndryshme gjyqësore.
Ndonëse nuk ka një vendim për pezullim të punës, gjatë kësaj jave nuk janë zhvilluar pothuajse 90% e seancave gjyqësore. Mësohet se të paktën edhe këtë javë në GjKKO do të jetë e njëjta situata. Aktualisht në këtë gjykatë po zhvillohen ato procese që cilësohen si emergjente, përfshirë masat e sigurisë, si dhe kërkesat penale, por duke respektuar protokollet e sigurisë. Ditën e djeshme në Gjykatën Speciale ishte parashikuar të zhvilloheshin katër procese gjyqësore, por për shkak të mungesës së gjyqtarëve, ato janë shtyrë të katërta.
Puna nuk është ndërprerë vetëm në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njëjta situatë është edhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës, pasi ditën e premte rezutoi pozitiv një gjyqtar i kësaj gjykate. Pas kësaj, përveç gjyqtarit të infektuar, ekspertët e Shëndetit Publik vendosën karantinimin e detyrueshëm prej 14 ditësh për kontaktet e afërta të tij. Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në këtë institucioni është vendosur që të punohet në mënyrë të reduktuar dhe tashmë janë duke u shqyrtuar vetëm ato procese që cilësohen emergjente.
Këshilli i kësaj gjykate vendosi reduktimin e veprimtarisë gjyqësore. Sipas vendimit, gjatë kësaj jave në Apel janë zhvilluar vetëm çështjet me karakter emergjent, si vlerësimi i masave të sigurisë, apo i kërkesave për ekstradim, të cilat kanë afate të ngutshme kohore. Gjyqtarët dhe punonjësit e kësaj jave kanë janë paraqitur në seanca gjyqësore, duke respektuar protokollet e sigurisë. Një tjetër gjykatë “e prekur” nga koronavirusi është edhe Gjykata e Lartë, e cila duket se nuk do të gjejë qetësi, për të nisur normalisht punën.
Rreth dy javë më parë kjo gjykatë nisi së funksionari me emërimin e tre gjyqtarëve, Sokol Sadushin nënkryetar me kompetencat e kryetarit, Ervin Pupen dhe Ilir Pandën. Por si pasojë e infektimit të njërit prej pjesëtarëve të stafit edhe kjo gjykatë e ka pezulluar aktivitetin normal, duke reduktuar punën. Burime pranë kësaj gjykate bënë me dije se veprimtaria gjyqësore do të vijojë, por me staf të kufizuar. Kujtojmë se kjo gjykatë nuk ka fuksionuar për më shumë se 3 vjet dhe janë mbi 38 mijë dosje për t’u shqyrtuar.
Ndërkohë, në të tria këto institucione është bërë dezinfektimi i ambienteve, si edhe po respektohen kufizimet dhe rregullat e kërkuara nga autoritetet shëndetësore. Kujtojmë se pak kohë më parë në të njëjtën situatë u fut edhe Gjykata e Durrësit, ku nga koronavirusi u prekën dy persona e, si pasojë, u pezullua funksionimi i Gjykatës së qytetit bregdetar, pasi personat e infektuar iu drejtuan izolimit 14-ditor, gjithashtu edhe pjesa tjetër e stafit që pati kontakt me ta./Bl.Ba/Fjala.al