Veshi dhe syri i policisë/Rastet e bujshme të shpërblimeve dhe fondi sekret për informatorët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në vitet e fundit Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shuma të konsiderueshme në formë shpërblimi për informatorët. Ndarja në tri kategori “e spiunëve” të policisë dhe fondi sekret që menaxhohet dhe kontrollohet nga dy drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

Cilat janë ngjarjet e bujshme për të cilat u dhanë shpërblime. Nga vrasjet e drejtuesve apo ish-drejtuesve të policisë, deri në ekzekutimet e kryera nga organizatat kriminale. Fondet që përdoren dhe si ruhet anonimati i bashkëpunëtorëve të policisë.

Nga Elvis Myrta

Policia e Shtetit sot i ka të gjitha kapacitetet për ta luftuar krimin, ndryshe nga shumë vite më parë ku edhe furgonat e policisë mbeteshin në rrugë nga vjetërsia dhe gulçonin smog, në gjoja ndjekje që shpesh dështonin. Infrastruktura e policisë shqiptare ka bërë hapa përpara, ku janë të njëjtat aparatura apo mjete që përdoren edhe nga homologët e tyre evropianë.

Gjithashtu, vitet e fundit efektivët e policisë janë më të kualifikuar, për shkak të trajnimeve të shumta që ata zhvillojnë si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Megjithatë, sërish asnjë teknologji nuk e zëvendëson “njeriun informator”, ku për të luftuar krimin, kryesisht atë të organizuar apo vrasjet e bujshme, Policia e Shtetit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve, duke ofruar shpërblime të majme për personat që japin informacion mbi individët që kryejnë vepra të rënda kriminale, si vrasje apo grabitje me pasoja të rënda. Shpërblim, plus anonimat…

Këto janë dy frazat me të cilat policia është detyruar të dalë publikisht, pasi ka hasur në vështirësi për zbulimin apo kapjen e autorëve të ngjarjeve të rënda. Rasti më i fundit ishte ai i një jave më parë, ku policia vuri në dispozicion 10 mijë euro për cilindo person që jep informacion për vendodhjen e saktë të Talo Çelës, një emër i njohur i botës së krimit. Çela akuzohet si një nga autorët kryesorë në grabitjen e Rinasit, në prill të vitit 2019, ku u morën rreth 6,2 milionë euro.

Çela, gjithashtu, akuzohet edhe për ekzekutimin e dy vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës dhe, sipas hetimeve të deritanishme, është paguar me një shumë deri në 100 mijë euro për këtë atentat. Por ka pasur edhe shumë raste të tjera, kur janë vënë në dispozicion shuma parash.

Duke u kthyer pas në kohë, koncepti shpërblim për informatorët mori formë dhe, madje, pati sukses në vitin 2005, kur Frederik Durda, i cili në vitin 2002 ishte dënuar me 16 vjet burg për trafik ndërkombëtar të kokainës, si grup i strukturuar kriminal, arriti të arratisej nga Materniteti i Ri në Tiranë, pasi kishte shkuar të vizitonte bashkëshorten e cila kishte lindur.

Nuk zgjati as 24 orë liria për Frederik Durdën, një nga të burgosurit e procesit më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare për trafikun ndërkombëtar të drogës. Një informatë e dhënë pas joshjes nga një shumë prej 100 mijë dollarësh e ka çuar policinë drejt e në banesën ku Durda ishte fshehur.

Ai u gjet në një apartament në lagjen “Ali Demi”, në Tiranë, ndërsa bashkë me të në pranga ranë edhe pesë persona që dyshohet se e ndihmuan në arratisje. Në atë periudhë u tha se pikërisht shpërblimi prej 100 mijë dollarësh i vendosur nga policia nxiti një qytetar që të informonte saktësisht për vendndodhjen e të arratisurit.

Në shumë raste të tjera çështja “shpërblim” u kthye disi në rutinë, por jo në të gjitha ka pasur sukses. Për vrasjen e punonjësve të policisë gjithnjë ka pasur një shpërblim për personat që tregonin autorët, apo vendndodhjen e tyre. Më i fundit ka qenë shpërblimi për vrasjen e Artan Cukut, ish-zyrtar i lartë policie, i cili u ekzekutua në hyrje të pallatit ku banonte.

Edhe në vrasje të tjera, të cilat mund të prodhonin një zinxhir të tërë krimesh, strukturat e rendit kanë ofruar shpërblim. Këtu përmendet vrasja me snaiper, në qendër të Rrëshenit, e Kastriot Reçit në fillim të këtij viti.

Por, policia ka dhënë shpërblim edhe për dhënien informacion të personave që janë apo kanë qenë në kërkim për trafik droge. Ndër më të njohurit është rasti i Klement Balilit, për të cilin kur ishte në kërkim policia ofroi 50 milionë lekë të vjetër për cilindo që jepte informacion mbi vendndodhjen e tij.

Gazeta “Fjala”, në numrin e sotëm, do të radhisë disa nga rastet kur Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shuma të konsiderueshme, për të gjithë personat që jepnin informacion të saktë për personat e shpallur në kërkim për vepra të rënda kriminale.

Nga 5 deri në 50 milion lekë të vjetër janë shumat e akorduara nga Policia e Shtetit. Ndërkohë mësohet se buxheti për “informatorët e përhershëm” për ngjarje të ndryshme është i veçantë nga ai i shpërblimeve në rastet e ngjarjeve të rënda, ku përcaktohen shpërblime të cilat në rast suksesi dalin nga pjesa e shpenzimeve operative, ose përfshihen në buxhetin shtesë të Ministrisë së Brendshme, gjithnjë sipas rasteve.

50 milionë lekë për “kokën” e Balilit

Në shkurt të vitit 2017, pas dështimeve të njëpasnjëshme për kapjen e Klement Balilit, i njohur si “Eskobari i Ballkanit”, Policia e Shtetit vondosi 50 milionë lekë, shuma më e madhe e vedosur nga uniformat blu për kapjen e një trafikanti. Policia ndërmori dhjetëra operacione për kapjen e Balilit, por të gjitha ato mbaruan pa sukses, pasi Klement Balili, nuk u arrestua asnjëherë nga policia.

Ai u dorëzua në 15 janar, pas një marrëveshje mes avokatit të tij dhe Policisë së Shtetit. Ishte vetë drejtori i përgjithshëm i Policisë ai që shoqëroi 49-vjeçarin nga Delvina drejt Tiranës, pasi atij iu vunë prangat. Ish-drejtori i Transporteve në Sarandë akuzohej për trafik narkotikësh, për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, refuzim në deklarimin e pasurisë, si dhe për pastrim parash.

Balili dyshohet se me grupin e tij trafikonte drogë nga Saranda në Greqi. Kujtojmë se më 17 tetor të vitit 2019 Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda e gjeti fajtor dhe e dënoi me 10 vite burg Klement Balilin.

Ai u gjet fajtor për akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe dënohej për këtë me 14 vjet burg, për akuzën e “pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal” 2,6 vjet burg, për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive i nëpunësve civilë” me 6 muaj burg dhe për “pastrim parash” me 5 vjet burgim.

Në bashkim të të gjitha dënimeve ai u dënua me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Balili përfitoi ulje të 1/3 së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 vjet. Ndërkohë që prokuroria kërkoi dënimin e tij me 18 vite burg.

Për vëllezërit Çala policia dha 10 mijë euro shpërblim

Rreth një vit më prarë, më konkretisht, më 3 korrik të vitit 2019, Policia e Shtetit njoftoi se cilido person që jepte informacion mbi vendndodhjen e vëllezërve Klement dhe Eldi Çala, nëse informacionet do të ishin të sakta, do të shpërblehej me 10 mijë euro.

Gjatë kohës së pandemisë, kur i gjithë vendi ishte i izoluar në shtëpi, 300 forca policore ndërmorën një operacion për arrestimin e dy vëllezërve Çala. Në atë kohë operacioni u zhvillua nga Departamenti i Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, njësia speciale FAST Albania, RENEA dhe drejtoritë vendore të policisë Durrës, Tiranë e Elbasan.

Pas arrestimit policia në komunikatën e saj zyrtare tha se operacioni u ndërmor pasi policia mori informacion në rrugë operative për vendndodhjen e vëllezërve Çala, pa thënë nëse ky informacion ishte dhënë nga qytetarë apo informacione policore. Përveç arrestimit të dy vëllezërve, gjatë operacionit për arrestimin e tyre policia sekuestroi disa armë dhe sasi të mëdha vlerash monetare, si dhe automjete.

10 mijë euro edhe “për kokën” e Talo Çelës

Dy javë më parë Policia e Shtetit ofroi 10 mijë euro për këdo që jepte informacion për arrestimin e të shumëkërkuarit, Talo Çela. Në një njoftim zyrtar policia tha se 49-vjeçari Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Lexo edhe :  “IdentiTek”: Nuk do të ketë aplikime për dokumente biometrike në 31 dhjetor

Ky shtetas është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 09.04.2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.

Gjithashtu, Çela dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të 2 vëllezërve Haxhia në Durrës. Për këtë ngjarje emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka deklaruar se ditën e vrasjes kanë qenë edhe vetë Talo Çela e Nuredin Dumani dhe e gjitha, sipas tij, lidhet me disa lekë të humbur.

20 milionë për ekzekutorët e Kastriot Reçit

Katër orë pas vrasjes së Kastriot Reçit në Rrëshen, në fillim të këtij viti, policia kërkoi ndihmën e qytetarëve, duke ofruar një shpërblim prej 2 milionë lekësh për atë që mund të japë informacion të vlefshëm lidhur me autorët e krimit.

Kastriot Reçi u ekzekutua me armë zjarri në Rrëshen, përpara lokalit të tij. 47-vjeçari ishte pronar i një televizioni lokal dhe i disa bizneseve të tjera. Në Mirditë shkuan ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe drejtori i Policisë së Shtetit. Grupi hetimor mësohet se mori në pyetje familjarë dhe dëshmitarë për të zbardhur dinamikën dhe motivet e ngjarjes.

Vrasja e Artan Cukut, policia akordoi 30 milionë lekë

24 orë pas vrasjes së komisar Artan Cukut, i ekzekutuar në hyrjen pallatit ku banonte, policia e Tiranës, vendosi edhe 30 milionë lekë shpërblim për cilindo person që do të jepte informacion për autorët e vrasjes së ish-komisar Cukut.

Por, një muaj pas ngjarjes së rëndë, policia në bashkëpunim me ish-Krimet e Rënda e zbardhi ngjarjen, duke vënë në pranga si autor të kësaj ngjajrjeje Mikel Shallarin, ky i fundit u bë bashkëpunëtor i drejtësisë, duke treguar edhe personin që e pagoi atë për vrasjen e Cukut.

Sulmoi krybashkiakun e Lushnjës, policia 10 milionë lekë

Ditën e fundit të vitit, një ngjarje e rëndë do të trondiste vendin, ku kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, do të sulmohej në zyrën e tij me granatë nga ish-shoferi. Nga kjo ngjarje mbeti e plagosur rëndë sekretarja e ish-krybashkiakut, Erisa Qalliu, ndërsa plagë të lehta mori edhe vetë Tushe.

Një ditë pas ngjarjes policia publikoi në media foton e autorit Gëzim Saraçi. Në njoftimin zyrtar uniformat blu në atë kohë thanë se kushdo që jepte informacione të sakta për vendndodhjen e tij do të shpërblehej me 10 milionë lekë të vjetër, duke ruajtur anonimatin.

Për Fatmir Kolecin policia ofroi 5 milionë lekë shpërblim

Në shkurt të këtij viti Fatmir Koleci vrau në derë të shtëpisë ish-gruan dhe vëllanë e saj, e më pas u largua duke humbur gjurmët. Motër e vëlla, Vladison dhe Esmeralda Filopati, u qëlluan me armë zjarri, në oborrin e banesës së tyre, mbrëmjen e 25 shkurtit.

Për këtë ngjarje policia e Lezhës dha një shpërblim prej 5 milionë lekësh të vjetër për këdo që do jepte informacion për vendndodhjen e autorit të krimit të dyfishtë. Vendndodhja e 46-vjeçarit u loklalizua nga policia dy ditë pas ngjarjes së rëndë. Koleci pas krimit ishte fshehur në fshatin Zejmen, ku edhe banonte. Pasi u rrethua nga forcat RENEA, Koleci nuk iu dorëzua policisë, por vrau veten.

Sa dhe si paguhen informatorët në Policinë e Shtetit

Policia e Shtetit ka buxhet të ndarë nga Ministria e Brendshme. Buxheti i Policisë së Shtetit konsiderohet si i mirë, në krahasim me institucionet e tjera. Gazeta “Fjala”, nga burime në radhët e policies, ka mësuar se buxheti i Policisë së Shtetit është 1,4-1,5 milionë euro. Ndërkohë që një pjesë e këtij buxheti shkon për informatorët. Shuma e përcaktuar konsiderohet tepër sekret, ku nuk ka asnjë shifër zyrtare.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se buxheti për informatorët është rreth 10% e buxhetit të përgjithshëm në Policinë e Shtetit, pra buxheti i inormatorëve kap vlerën e rreth 140-150 mijë eurove në vit.

Ata që i marrin këto para janë kryesisht njerëz që kanë informacion dhe janë thuajse të padukshëm, pa një vend pune, të panjohur në publik, pa shoqëri të zgjeruar dhe, mbi të gjitha, shumë hermetikë.

Në Shqipëri informatorët punojnë në kushte jo të mira, përveç se janë ilegalë, dhe gjatë gjithë kohës u rrezikohet jeta, nëse zbulohen se janë informatorë, ata paguhen edhe me një rrogë të vogël nga policia.

Sipas burimeve, rroga mujore e një informatori varion nga 300-500 mijë lekë të vjetër. Pagesat e caktuara për informatorët e kanë çmime të ndryshme për çdo informacion që ata japin.

Kjo pagesë ka nxitur shumë persona në nevojë ekonomike që të rekrutohen, shumica duke kërkuar vetë që të bëjnë punën e informatorit. Në jo pak raste ata sigurojnë të dhëna tepër të vlefshme për agjentët e krimeve, të cilët veprojnë në terren.

Falë informacioneve të marra nga këta persona, policia ka arritur të zbardhë ngjarje mjaft të rënda kriminale. Informatorët në polici janë regjistruar me emra të ndryshëm (jo identitet të vërtetë) të miratuar nga autoritetet.

Emrat e tyre të vërtetë i di vetëm drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtori i Agjentëve në Mbulim. Pra kjo formë është përdorur për të ruajtur sa më shumë dhe mbi të gjitha të mos dekonspirohen bashkëpunëtorët e strukturave të rendit.

Vetëm këta dy persona mbajnë përgjegjësi, nëse zbulohet emri i ndonjërit prej informatorëve. Policia në disa raste u ka ofruar shuma joshëse informatorëve të saj sekretë. Kujtojmë këtu rastin e Klement Balilit, ku në atë kohë uniformat blu ofruan 50 milionë lekë shpërblim, për çdo informator që mësonte vendndodhjen e Klement Balilit, i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”.

Informatorët ndahen në tri kategori

Sipas ligjit në fuqi dhe VKM-së së posaçme, informatorët angazhohen në Policinë e Shtetit kundrejt pagesës. Ata paguhen sipas rëndësisë së të dhënave që i japin policisë. Sa më i vlefshëm të jetë informacioni, aq më e madhe është shuma e parave që përfitojnë. Kësisoj, “bashkëpunëtorët me pagesë” ndahen në disa kategori dhe për policinë shqiptare janë personat vigjilentë; natyralë dhe të komprometuarit.

Informatorët vigjilentë janë ata individë që kundrejt shumave të parave japin të dhëna për policinë shpeshherë jo të plota, por nga strukturat e rendit gjithsesi konsiderohen të vlefshme.

Natyralët janë bashkëpunëtorë që japin me dëshirë informacionin dhe kjo kategori “vlerësohet” më shumë nga agjentët e Antikrimit, pasi punën e tyre e bëjnë edhe nga pasioni… Një tjetër kategori jo pak e përdorur nga strukturat e rendit mbeten informatorët e komprometuar.

Ata janë persona të proceduar më parë nga institucionet ligjzbatuese për një krim dhe përdoren nga policia si bashkëpunëtorë. Në zbardhjen e disa prej ngjarjeve të rënda kriminale qëndron dhe puna e tyre, por në Shqipëri prej disa vitesh rrjeti i bashkëpunëtorëve është dëmtuar.

Vitet e fundit informatorët e policisë kanë ndihmuar me informacionet e tyre në zbulimin e parcelave të kanabisit në territorin shqiptar. Katër vite më parë personat që jepnin informacion të saktë mbi parcelat e kanabisit paguheshin me 300 mijë lekë të rinj nga policia.

Njoftimi në atë kohë u dha nga SHÇBA-ja, e cila tha se personave që do të jepnin informacion mbi kultivimin e kanabisit, përveç pagesës do t’u ruhej edhe anonimati. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme ka vendosur në dispozicion të publikut linjën e gjelbër 0800 90 90 për çdo informacion mbi rastet e implikimit.

Edhe sot informatorët kanë dhënë disa herë informacion për parcelat me kanabis. Por, nuk përjashtohet mundësia që në disa raste “informatorët e zellshëm” raportonin për parcela me kanabis të rivalëve. Ndërkohë rasti më i fundit për informimin mbi kultivimin e kanabisit i përket një muaji më parë. Në Zall-Herr u kap një parcelë e mbjellë me rreth 2 mijë m2 tokë të mbjella me kanabis.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Darka e ndërrimit të viteve, qytetarët ankohen për çmimet: Janë shumë shtrenjtë!

Në këto pak ditë që mbeten qytetarët po nxitojnë për të përfundojnë blerjet për darkën e ndërrimit të viteve....

46 vite me klarinetë, mjeshtri kolonjar feston 60 vjetorin me një koncert recital

Mjeshtri i klarinetës Aleks Xhelili në 60-vjetorin e tij të lindjes ka ardhur me një koncert recital, i pari i këtij lloji në karrierën...

Shqiptarët po shkojnë drejt ‘Shqipërisë Etnike’; serbët, grekët dhe maqedonasit në alarm!

Nga Spartak Ngjela Kjo i ka shqetësuar shumë edhe Serbët edhe Grekët edhe Maqedoninë Sllave, si pushtues historikë të territoreve shqiptare. Shqiptaria sot ndihet e krijuar...

Ushqimet fatsjellëse që nuk duhet të mungojnë në tryezë natën e ndërrimit të viteve

Konsumoni 12 kokrra rrush në mesnatën e ndërrimit të viteve. Kjo është një traditë spanjolle dhe portugeze, sipas së cilës, 12 kokrrat e rrushit...

Jozefina Topalli fton Diasporën: Regjistrohuni për të votuar, Shqipëria është e jona!

Drejtuesja e PD për Diasporën Jozefina Topalli, gjatë një takimi me shqiptarët e Firenzes iu bëri thirrje atyre që të regjistrohen për të votuar. Topalli...

Lajme të tjera

Web TV