Luigj Cekaj, pronari i bujtinës më të madhe në Lëpushë, i prekur nga një fatkeqësi, rrëfen për gazeta “Fjala” se si turistët i kanë zgjatur dorën dhe i kanë ofruar shpirtin, të mbushur plot, për t’i ardhur në ndihmë të birit, me dëshirën për të jetuar jetën, si dhe për të lënë pas një aksident tragjik, në sajë të të cilit njohu pragun e vdekjes.
Nga Alessia Selimi
Lotët i rrëshkasin në fytyrë dhe hunda i bëhet pengesë, ndalesë. Luigj Cekaj, pronari i bujtinës më të madhe në Lepushë, është i mbytur, shpinëkthyer jetës. Ndodhemi në Lëpushë, 189 km larg Tiranës, në zonën e Kelmendit të Malësisë së Madhe. Ky burrë po na pret, ka shtruar një tavolinë të bollshme, dhe ndërkohë po qëndron në një karrige të drunjtë, të punuar nga ai vetë. Me një fytyrë miqësore, sy të qeshur dhe një buzë që përpiqet të zgjatet me çdo kusht, e mbush tavolinën me gjithçfarë ushqimesh dhe pijesh. Padyshim, bëhet fjalë për produkte të zonës, djathë të bërë vetë, turshi, si dhe ferli. Me dëshirën për t’i qëndruar pranë turistëve, Luigji bën ç’është e mundur. Megjithatë, jeta është treguar e padrejtë me të.
I biri, tepër i ri në moshë, pësoi një aksident me makinë, jo më shumë se katër vite më parë. Sot ndodhet në Shtetet e Bashkuara, gjithnjë me shpresën se jeta mund të përshkohet me hapat e mëparshme, mos kokëçarëse. Por Luigji nuk arrin dot të flejë, ndonëse shtëpia e tij qëndron e mbushur plot e përplot me njerëz, të cilët e duan dhe e shijojnë të tashmen.
Ky burrë rreth të 50-tave, me kokë kthyer nga e shkuara, ndalet tek të tijat shtigje, se si arriti të shndërronte një strehëz modeste në destinacionin e preferuar të turistëve të huaj. Dhe këta të fundit, padyshim, hasen më së tepërmi se sa banorët e zonës . “Sapo më kishin hequr nga puna dhe nuk kisha kurrfarë burimi të ardhurash. Kështu, vendosa të prisja një grup anglezësh që më trokitën në derë. Bëhet fjalë rreth 4 vite më parë. Asokohe kisha një shtëpi të vogël, modeste.
Megjithatë, nuk mungonte ushqimi i freskët dhe mbulesat e pastra. Ata qëndruan plot dhjetë 10 ditë”, thotë Luigji duke shtuar se në të shkuarën e gjithë zona e identifikonte me uniformën e një polici, i cili hera herës pikasej në kufijtë e ish-Jugosllavisë, me shpresën se Shqipëria nuk do të cënohej nga egoja e përshkruar e këtij shteti për territore dhe vise. Mirëpo, në vitin 2016, Luigji do të largohej nga puna, dhe jo me vullnetin e tij të lirë.
Kështu, përballë pikëpyetjeve të mëdha për të ardhmen, 55-vjeçari, i nisur dhe nga komentet dashamirëse të miqve të tij, mori përsipër të menaxhonte një bujtinë prej druri, me çati alpine dhe dritare të vogla. “Nuk e kisha menduar kurrë se do të vinte kjo ditë, kur do ta kisha tepër të vështirë të përballoja numrin e lartë të vizitorëve”, shprehet Luigji. E ka të pamundur të mos flasë për të birin.
Nëse dikur e perceptonte lumturinë në varësi të të ardhurave që përftonte, sot është i vetëdijshëm se kjo ndjesi nuk përftohet kurrsesi pa mirëqenien e njerëzve të zemrës, të atyre që i mban ngjeshur lëkurës, duke harruar veten, e çdo gjë që rrotullohet rreth saj. “Më është rrokullisur gjithçka. Dikur mendoja se lumturia kishte themelet e një bujtine vazhdimisht të frekuentuar nga turistë të huaj dhe jo vetëm. Sot, qesh me të tilla mendime. Im bir ndodhet në Shtetet e Bashkuara, së bashku me tim shoqe, dhe po i nënshtrohet seancave të fizioterapisë”, thotë Luigji, i trishtuar dhe i mpleksur në një varg mendimesh.
Pavarësisht kësaj, ai nuk ngurron të pohojë se është i ledhatuar nga fati, rrjedhja e ngjarjeve dhe rrethanave të parapërcaktuara dhe paravendosura nga perëndia. “Djali im nuk përshkon më rrugë me karrocë, por me paterica. Dhe kjo vetëm falë kontributit që kanë dhënë turistët, pasi janë informuar për atë çka më shqetëson dhe më bën të ndjehem i plogësht”, thotë Luigji, sy rrëmbushur. Nuk e ka për turp të mbajë valixhe, ndonëse është i zoti i bujtinës “Alpin”. E konsideron detyrë, dhe për më tepër i pëlqen të tregohet njerëzor, i gjindshëm. Jo më kot grupi i përmendur i anglezëve i qëndron besnik, përpos viteve që rrëshqasin dhe i bëjnë bisht.
Luigji, megjithatë, nuk dorëzohet. Ka ngritur themelet e katër vilave prej guri, dhe të ardhmen e sheh me optimizëm. Ndonëse nuk i shmanget krahasimit midis turistëve të huaj dhe atyre shqiptarë. “Janë drejtëza të kithëta. Të huajve, anglezëve, zviceranëve dhe gjermanëve, u pëlqen thjeshtësia, të papriturat që u ofron natyra e Lëpushës. Sa i takon vendasve, jo rrallë më ka ndodhur të përballem me reagime të çuditshme. E kam fjalën për kushtet e bujtinës dhe ushqimin që u sërviret”, thotë Luigji.
55-vjeçari udhëton edhe njëherë në të kaluarën. I pëlqen të flasë për traditën, për atë çka i rrjedh në deje. “ Im atë i hapte gjithnjë dyert për shtegtarët dhe tregtarët që i drejtoheshin më pas Malit të Zi. Nuk i kërkonte para në këmbim, përkundrazi, i ofronte ç’ka kishte: duhan, raki, ushqim, si dhe një shtrat me çarçafë të bardhë.” Po ashtu përmend disa vizitorë të njohur për publikun e gjerë, si ambasadorja e Bashkimit Europian, Romina Vlahutin, apo Luigi Soreca. Ky burrë, portreti i të cilit të lë të mendosh se ka më shumë vite mbi supe, lutet thuaje çdo mbrëmje.
Teksa turistët, të huaj apo vendas, qendrojnë pranë një zjarri të provokuar dhe këndojnë njëzëri, Luigji sheh qiellin dhe yjet e një karakteri tjetër në Lëpushë. Tek ky fshat piktoresk mbi 1260 m dhe me 5297 ha kullota të gjelbra, dëgjohen lutjet e njëpasnjëshme të këtij burri shpatullrënë. “Nuk dua asgjë tjetër, veçse im bir të shijojë ecjen, vrapin, ajrin dhe shijen e jetës. Çka unë zotëroj, kjo bujtinë apo respekti i vizitorëve, nuk më përmbush. Më vjen keq ta pohoj këtë, por kjo është e vërteta”, thotë Luigji, banori i fshatit që përbëhet nga katër grupime shtëpish, që shtrihen në dy pellgje ujëmbledhëse, në atë të Vermoshit dhe në atë të Cemit.
Në vitin 2016, Luigji përftoi nga grupi i anglezëve plot 2000 mijë euro, një shumë marramendëse për kohën, dhe e mjaftueshme për të investuar në ngritje tullash. Pas katër vitesh, gjithçka shfaqet e zymtë, kjo për shkak të ekonomisë së rënduar dhe ritmit shpesh zaptues të jetës. Megjithatë, Luigji mbetet i ulur, në karrigen e drunjtë të bërë vet, duke pritur, jo vetëm të birin, dritën e syve, por edhe të tijët miqtë, të njohurit dhe të panjohurit, të cilët i lënë të kuptojnë se jeta jo medoemos ka shije të hidhur, të pakapërcyeshme. /Ra.My.Fjala.al/