“Ferrari” ka njoftuar një ristrukturim të departamentit teknik të ekipit të tij në Formula 1 pas nisjes zhgënjyese të sezonit aktual. Gjigandja italiane e gjen veten në një nivel mediokër në këtë fazë fillestare të sezonit të ri pasi vuajti nga një humbje e konsiderueshme të shpejtësisë në vijë të drejtë gjatë dimrit. Ekipi aktualisht renditet i 5-ti në renditjen e konstruktorëve pas 3 garave, me pilotët Sebastian Fetel dhe Sharl Lëklerk që e përfunduan përkatësisht në vendin e 6-të dhe atë të 11-të garën e fundit në Hungari.
Drejtori i ekipit, Matia Binoto, ka deklaruar kohët e fundit se sidoqoftë nuk do të ketë një reagim të pamenduar ose spastrime masive pas fillimit të vështirë të sezonit. “Ferrari” tani ka njoftuar një ristrukturim të ekipit të tij teknik, duke krijuar një departament të ri të zhvillimit të paraqitjes. Ristrukturimi synon të “bëjë atë më efektiv dhe të sigurojë një theks më të madh në zhvillimin e paraqitjes” duke “krijuar një zinxhir komandimi që është më i përqendruar dhe i thjeshtuar dhe u siguron krerëve të secilit departament kompetencat e nevojshme për të arritur objektivat e tyre”.
Departamenti i zhvillimit të paraqitjes do të mbikëqyret nga Enriko Kardile, i cili ka shërbyer si shefi i aerodinamikës dhe menaxhimit të projektit të automjeteve të “Ferrari”-t. “Sektorët e tjerë kryesorë janë të pandryshuar me Enriko Gualtierin në krye të Njësisë së Fuqisë Motorike, Lorent Mekis si Drejtor Sportiv dhe përgjegjës për aktivitetet e pistës, ndërsa Simone Resta do të vazhdojë të drejtojë departamentin e Inxhinierisë së Shasisë”, – shton deklarata e skuadrës italiane. “Siç u aludua disa ditë më parë, ne po bëjmë ndryshime në anën teknike të skuadrës, në mënyrë që të shpejtojmë projektimin dhe zhvillimin në drejtim të paraqitjes së makinave”, – shpjegoi Binoto.
“Një ndryshim i drejtimit ishte i nevojshëm për të përcaktuar linja të qarta të përgjegjësisë dhe proceseve të punës, ndërsa riafirmon besimin e kompanisë në grupin e talentit teknik”, – vijoi ai. “Departamenti i drejtuar nga Enriko Kardile do të jetë në gjendje të mbështetet në përvojën e Rori Birnes dhe inxhinierëve të vendosur si David Sançez. Ai do të jetë gurthemeli i zhvillimit të makinës, – sqaron ndërkohë deklarata e “Ferrari”-t. – Ne besojmë se personeli i “Ferrari”-t është i nivelit më të lartë dhe nuk kemi asgjë për t’u pasur zili në lidhje me konkurrentët tanë kryesorë në këtë drejtim.
“Por ne na është dashur të bëjmë një ndryshim rrënjësor, duke e rritur nivelin sa u përket përgjegjësive të drejtuesve të departamentit”, – shton skuadra italiane. “Ferrari” po parashikon që problemet e saj do të vazhdojnë në vitin 2021 pasi makinat ekzistuese do të vazhdojnë të garojnë vitin e ardhshëm, me qëllim shkurtimet e kostove, me zhvillim të kufizuar të lejuar. Binoto theksoi se përqendrimi i “Ferrari”-t është në ndërtimin e një projekti afatgjatë në “Maranelo” që mund të jetë i suksesshëm, me ristrukturimin teknik që të jetë pjesë e tij.
“Ne e kemi thënë disa herë, por ia vlen të përsëritet: ne kemi filluar të hedhim themelet e një procesi që duhet të çojë në një cikël të ri dhe të qëndrueshëm fitimtar”, – tha ai. – Do të zgjasë ca kohë dhe do të vuajmë probleme si ato që po përjetojmë tani në drejtim të rezultateve dhe paraqitjes. Sidoqoftë, ne duhet të reagojmë ndaj këtyre mangësive me forcë dhe vendosmëri për t’u rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur në këtë sport. Kjo është ajo që ne të gjithë duam dhe ajo që tifozët tanë në të gjithë botën presin prej nesh”, – ka përfunduar Binoto.ka.ta/Fjala.al/