Sot në Kuvend/Çfarë fati e pret marrëveshjen e 5 qershorit?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një pakt i firmosur në ambasadën amerikane më 5 qershor do të votohet sot në Kuvend, në formën e ndryshimeve në kodin zgjedhor, por zbatimi i saj është në rrezik. Ndryshimet kushtetuese që pritet të bëhen 1 javë më vonë, rrëzojnë këtë marrëveshje në pikën ku u dhemb të gjithëve; listat e hapura, rrjedhimisht ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Një skemë që përkthehet si formula e fitores në 2021-shin. PS-ja kërkon t’i heqë me çdo kusht, ndërsa opozita me çdo kusht kërkon t’i ruajë. Çfarë loje po luhet me këtë marrëveshje dhe Kushtetutën, dhe cili do të jetë roli i ndërkombëtarëve në këtë krizë të re politike?! Analizojnë për gazetën “Fjala” Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Leonard Karaj.

Nga Blerina Gjoka  

Një letërkëmbim i denjë për librat e Markezit ka shënuar jetën politike dy ditët e fundit. Dhe pse të gjithë e dinë se çfarë duan dhe çfarë do të bëjnë, vijojnë t’i shkruajnë kundërshtarit për të treguar se ka mbetur akoma një portë nga mund të hyjë drita e një dialogu e, në rastin më të mirë, e një kompromisi. Kryeministri Edi Rama ka vendosur në një marrëveshje me një grup deputetësh që i përkasin opozitës në Kuvend, të ndryshojë Kushtetutën në një nen të vetëm, ku preket sistemi zgjedhor.

Analistët e kanë parë këtë ndryshim si një taktikë ligjore që tenton të ndikojë drejtpërdrejt në kalkulimet elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit. Hapja e listave të kandidatëve, që imponon në vetvete dhe bllokimin e koalicioneve parazgjedhore, shihet si një formulë bllokuese, në mos shkatërruese, për mundësitë e opozitës që të fitojë zgjedhjet. Opozita aktuale forcën e saj elektorale e sheh te bashkimi i disa partive si PD, LSI, PAA, PDIU etj.., por një listë e hapur e përbashkët, do të krijonte probleme të mëdha brenda koalicionit në zgjedhjet e reja. Nga ana tjetër, kjo formulë besohet se i jep Partisë Socialiste, të kryesuar nga Edi Rama, që të shpresojë dhe për një mandat të tretë.

Lexo edhe :  Nga pritja dy orë në shi tek darka më Presidentin Macron, Rama publikon fotoalbumin

Marrëveshja e arritur më 5 qershor nga të gjitha palët politike, nuk e ka parashikuar një gjë të tillë, por ndryshimet kushtetuese që Rama mbështet, duke faktorizuar deputetët e opozitës së re parlamentare si një palë vendimtare, e bëjnë të mundur këtë. Për të kënaqur opozitën e vërtetë jashtë Parlamentit, Rama ka vendosur të votojë sot në Kuvend marrëveshjen e 5 qershorit, për ta “rrëzuar” atë vetëm një javë më pas, në 30 korrik, me ndryshimet në Kushtetutë.

Dhe deri në atë moment ai po kërkon dialog në tryezën e Këshillit Politik, një organizëm ekstraparlamentar ku ulen të gjitha palët dhe që u besua se e mbaroi misionin e tij në 5 qershor. Opozita nuk ka pranuar të ulet dje në këtë tryezë, duke pritur votën e sotme të Kuvendit për marrëveshjen që ajo mbështet dhe ka firmosur. Ajo shpreson fort që në krah të ketë partnerët ndërkombëtarë, që ta ndalojnë Ramën ta “grisë” këtë marrëveshje një javë pas miratimit, pasi ndryshimet në Kushtetutë, nëse miratohen, do të kërkojnë rishikimin e saj në disa nene.

Një votues i thjeshtë zor se e kupton se çfarë po ndodh realisht në selitë e partive politike, të cilat i kanë zënë ethet e fitores së zgjedhjeve të ardhshme.

Gazeta “Fjala” sjell për lexuesin një forum debati, ku analistët e politikës tentojnë të shpleksin pikërisht këtë lëmsh deklaratash, nismash ligjore dhe të sqarojnë lojën e vërtetë që luhet në skenën politike aktualisht. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

 

 

Të fundit

Olta Xhaçka thellon avantazhin ndaj Blerina Gjylametit në Tiranë! Ja renditja

Vijon numërimi i votave preferenciale në Tiranë. Ish-ministrja Olta Xhaçka ka kaluar kolegen e saj, Blerina Gjylameti me 55...

Ja çfarë fiton një shtet kur merr çmimin e parë në Eurovision

Kur një vend fiton Eurovisionin, nuk është thjesht një trofe i bukur që zbukuron zyrat e televizionit kombëtar. Fitorja sjell një sërë avantazhesh të...

Elisa Spiropali: Papa i Ri, ura dashurie dhe dialogu në kohë trazirash

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjete sociale me rastin e fillimit të Pontifikatit të Shenjtërisë së...

Pse ka më shumë vota të numëruara se sa vota në total? Shpjegon Celibashi

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ishte këtë të diel në një lidhje direkte për Euronews Albania ku u pyet nga gazetarja Greta...

Joe Biden diagnostikohet me sëmundjen e rëndë!

Ish-presidenti Joe Biden diagnostikohet me kancer në prostatë. Një deklaratë nga zyra e tij tha se Biden, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë...

Lajme të tjera

Web TV