Luan Daci, mesditën e së premtes, do të thirret në SPAK, ku do t’i komunikohet zyrtarisht akuza, për falsifikim dokumentesh, që organi i akuzës ka ngritur ndaj gjyqtarit të KPK-së. Gazeta “Fjala” mësoi se anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelit do të paraqitet në institucionin më të ri të drejtësisë. Në sajë të hetimeve, ka rezultuar se gjyqtari ka kaluar vetingun pa deklaruar një masë administrative të marrë në vitin 1997.
Elvis Myrta
Prokuroria Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka mbyllur hetimet për gjyqtarin e vetingut, Luan Daci. Ai do të paraqitet të premten në SPAK, ku hetusit do t’i komunikojnë akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Sipas SPAK-ut, gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dyshohet se ka falsifikuar dokumentet me të cilat aplikoi për të qenë pjesë e institucioneve të vetingut. Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj nga institucioni i akuzës, mësoi se Daci do të thirret në orën 13:00, për t’u njohur zyrtarisht me akuzat e ngritura ndaj tij. Në sajë të hetimeve ka rezultuar se gjyqtari iKPA-së nuk ka deklaruar një masë administrative të marrë në vitin 1997.
Në atë kohë Këshilli iLartë i Drejtësisë e ka shkarkuar Dacin nga detyra e gjyqtarit, për paaftësi dhe shkelje të ligjit. Është pikërisht kjo shkelje që përbën shkak që Daci tëmos përmbushë kriteret për të mbajtur statusin e prokurorit ose gjyqtarit dhe, për këtë arsye, nuk mund të jetë më pjesë e Kolegjit të Apelimit. Në muajin maj Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parëe pezulloi nga detyra Dacin me kërkesë të SPAK-ut, por ai u rikthye 2 javë më vonë në detyrë nga Apeli. Më 15 qershor SPAK-u kundërshtoi në Gjykatën e Lartëvendimin për rikthimin në detyrë të gjyqtarit të KPA-së. Në rekursin e bërë në këtë gjykatëSPAK-u i ka konsideruar argumentet e Apelit si sipërfaqësore dhe jo në përputhje me parashikimet e Kodit Penal për veprën e falsifikimit të dokumenteve. Prokurorët e SPAK-ut pretendojnë se Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka marrë parasysh vlerën që pati dokumenti i aplikimit në procesin e përzgjedhjes së Luan Dacit, në kundërshtim me kriteret ligjore.
Kujtojmë se trupa gjykuese që rrëzoi vendimin për pezullimin nga detyra të Luan Dacit, ishte e përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara dhe Nertina Kosova, ndërkohë që gjyqtari tjetër, Sokol Binaj, ishte në minorancë. Sipas shumicës, mosparaqitja, mosshënimi apo mohimi i Dacit për masën disiplinore të largimit nga puna është një fakt që i mungon kundërligjshmëria. Gjithashtu, gjykata vlerësoi se hetimet e prokurorit nuk ishin zhvilluar mbi faktet e nevojshme, që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale të falsifikimit të dokumentit nga Daci, por me hetimet që lidhen me pozicionin e anëtarit të institucionit të rivlerësimit, që u janë ngarkuar me ligj institucioneve që kishin detyrë të përzgjidhnin anëtarët e institucioneve të rivlerësimit. Ndërkaq, SPAK-u argumenton se gjykata e trajtoi aplikimin e Dacit në kuptimin e ngushtë të paraqitjes së interesit, pa analizuar deklarimet e bëra nga ky i fundit në përmbajtjen e tij.
SPAK-u thekson edhe parashikimet e përcaktuara në protokollin e procedurave të punës për vlerësimin se cili prej kandidatëve plotëson kriteret formale për institucionet rivlerësuese, duke vlerësuar se, bazuar në këtë protokoll, kërkesa e Dacit merr vlerë të veçantë dokumentare.Tashmë prokuroria kërkon marrjen të pandehur të Dacit, kërkesë e cila do të kalojë në një seancë paraprake gjyqësore. Në këtë seancë pritet të vendoset nëse çështja do të kalojë për gjykim, do të pushohet apo do t’i kthehet pas prokurorisë për veprime të tjera hetimore. Luan Daci, në datën 10 qershor 2017, me vendim të Kuvendit, u emërua gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Por pak muaj më parë, në datën 3 shkurt 2017, Luan Daci ka paraqitur kërkesë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit dhe ka aplikuar për t’u emëruar në vendin vakant: gjyqtar i Kolegjit të Apelimit; anëtar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit; Komisioner Publik. Në dokumentacionin bashkëlidhur kërkesës për aplikim, Daci ka paraqitur edhe një CV, në të cilën, midis të tjerave, është përshkruar se ka ushtruar kurse në Shkollën e Magjistraturës në periudhën 1995-1996, është titulluar avokat. Në CV-në e paraqitur Luan Daci nuk ka përshkruar faktin se ka ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Tiranës. /Ra.My.Fjala.al/