Bardhi i përgjigjet Ramës: Hallin tënd personal nuk ta zgjidh dot PD-ja

Partia Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama i cili akuzoi opozitën jashtëparlamentare se po mban peng hapjen e listave duke përdorur alibi absurde.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Gazment Bardhi përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se heqja e koalicioneve parazgjedhore, pragu kombëtar për partitë e vogla dhe ndryshimi i zonave zgjedhore, nuk janë risi, por halli personal i Edi Ramës me zgjedhjet e ardhshme.

Sipas tij, këtë nuk ja zgjidh dot PD, sepse koalicionin e ka me qytetarët dhe se opozita e Bashkuar është 100 % dakord, për hapjen 100 % të listave të kandidatëve.

Reagimi i plotë:

Heqja e koalicioneve parazgjedhore, pragu kombëtar për partitë e vogla dhe ndryshimi i zonave zgjedhore, nuk janë risi, por halli personal i ER me zgjedhjet e ardhshme dhe halli i krimit të organizuar me Qeverinë e ardhshme.

Këtë nuk ta zgjidh dot PD dhe Opozita e Bashkuar, sepse ne koalicionin e kemi me qytetarët dhe atë jemi të vendosur ta ruajmë dhe ti shërbejmë vetëm interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Aktet e njëanshme të koalicionit të krimit të organizuar marrin peng Shqipërinë dhe minojnë zgjedhjet dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Opozita e Bashkuar është 100 % dakord, për hapjen 100 % të listave të kandidatëve. Për këtë jemi të gatshëm të punojmë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur, pa ndërprerje dhe pa asnjë vonesë.

/En.Br./Fjala.al