A ka rrezik të boshatiset Shqipëria nga shqiptarët?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga akademik Artan Fuga

Ka një shqetësim të drejtë që e dëgjon edhe nga goja e autoriteteve të ndryshme zyrtare, edhe nga studjues plot ankth, madje që punojnë në organizma ndërkombëtare me reputacion të lartë, por edhe nga njerëz nëpër kafene. Shqipëria po boshatiset! Po ikin shqiptarët, mjekët, infermierët, të papunët, biznesmenët, të rinjtë për shkollim si pretekst, etj. Me këto ritme emigrimi a nuk do të mbetet vendi bosh? Disa nisen nga ritmet e emigracionit që janë shumë të larta. Nga ulja drastike e popullsisë, nga lindjet që bien për një mijë banorë, nga vdekjet që shtohen…

Dinamikat demografike afatgjata nuk mund të parashikohen

Llogaria është që për rreth tre dekada Shqipëria që duket se ka nja katër milionë e gjysëm të rregjistruar si qytetarë, duket se ka një popullsi reale te dy milionë e tetëqind mijë persona. Sigurisht janë shifra të përafërta. Nëse shifrat zyrtare për demografinë në 1989 tregojnë për një popullsi prej 3.182.400 vetë, sot flitet për nja 400 mijë më pak. Nisur nga këto ritme, parashikuesit që në fakt nuk zbatojnë një metodologji shkencore bëjnë rregullin e treshit.

Nëse brenda tre dekadash kemi humbur ta zemë 10 përqind të popullsisë, atëhere del që brenda nja një shekulli e gjysëm ne mund të zhdukemi!!! Kjo llogari nuk është korrekte nga pikëpamja e shkencave të demografisë, historisë, sociologjisë, ekonomisë, etj. Nuk ka problem që ky arsyetim bëhet, fundja ai ngre një problem real dhe vendos një alarm. Por, e keqja është se shkëput vëmendjen nga shqetësimet e vërteta që lidhen me emigrimin.

Ja t’a shohim arsyetimin që bëj

Po qe se jemi aty te 2 milion e 800 mijë persona që jetojmë pak a shumë në mënyrë të qendrueshme brenda territorit të Shqipërisë së sotme, atëhere sipas statistikave del se jemi kthyer në atë popullsi që pak a shumë kemi pasur në fillim të fiteve 80 të shekullit të kaluar. Konfirmoj se sipas statistikave zyrtare del që në vitin 1979 për shembull banorët e Shqipërisë ishin pak më shumë se 2 milionë e 500 mijë persona.

Po qe se dimë që sipas rregjistrimit të popullsisë në vitin 1923 shqiptarët me banim në territorin e shtetit ishin 814.400 persona, atëhere del se brenda rreth gjysëm shekulli ka pasur një rritje prej tre herësh, pra brenda periudhës 1923 – 1979. Nëse do të merreshin ato si bazë atëhere ne, nisur nga 1979, për një gjysmë shekulli tjetër afërsisht sot ose brenda dhjetëve vjetëve duhej të ishim nja 7 milionë e gjysmë persona brenda territorit. Kjo llogari është dukshëm qesharake.

Ajo provon që ritmet e rritjes të popullsisë të një vendi për një periudhë të caktuar nuk mund të shërbejnë për të parashikuar se sa do të jetë rritja ose zvoglimi i popullsisë në vitet apo dekadat që vijnë. Kjo nuk është e vërtetë vetëm për vendin tonë, por për të gjitha vendet. Dinamikat demografike janë si baticat dhe zbaticat. Herë masa e popullsisë vjen e rritet, deti vjen e përmbyt bregun, herë ikën e largohet, deti e lë bosh bregun. Janë si dallgët që ngrihen e ulen. Nuk janë një lëvizje lineare. Madje janë të tilla që një rritje e befasishme popullsie sjell pas dekadash një ulje të popullsisë dhe një ulje krijon kushte për një rritje të popullsisë. Të paktën deri tani. Sesi do të jetë më vonë një dreq e di!

A ka anë të mira emigracioni?

Unë jam dakord me ata që thonë se plakja e popullsisë dhe largimi i saj në emigrim ka lidhje edhe me varfërinë, edhe me papunësinë. Por, nga ana tjetër nuk mund të lë pa përmendur që sipas shifrave demografike në Europën Perëndimore, mplakja e popullsisë, ulja e lindjeve, stagnacioni demografik erdhi atje pas një periudhe dinamikash sociale dhe ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitet 70 të shekullit të kaluar.

Stanjacioni demografik shoqëroi pasurimin e këtyre popullsive dhe jo varfërimin e tyre. Dhe të mendosh që në shumë prej tyre, ritmet e rritjes të popullsisë kanë rezultuar më tepër nga të ardhurit atje nga Afrika, vendet arabe, India etj, me mentalitete lindjesh të larta! Kanë qenë popullsitë më të varfëra në ato vende që kanë pasur ritme më larta lindjesh. Kanë ikur shqiptarët në këto tre dekada. E vërtetë. Ka qenë një sjellje e arsyeshme prej tyre. Po të mos kishin emigruar do të kishin qenë një grumbull fanatikësh kokëfortë. Kjo nuk do të thotë se ata që ndejtën ishin të tillë, aspak. Edhe ata bënë llogaritë, po aq racionale.

Disa ikën sepse pas një izolimi të gjatë ndoqën ëndrrën e tyre Perëndimore. Televizionet perëndimore i thërrisnin. Jo pak shqiptarë të shquar e kishin përshkruar Parisin, Londrën, Romën, Kullën Eiffel, Parlamentit anglez si ndërtesë, sheshet e Romës, në atë mënyrë sa do të ishte gabim të mos jetoje atje. Disa kuptuan se ritmet e mirëqënies personale mund t’i kishin më të larta në Athinë, Berlin, Oslo, sesa po të qëndronin në Rrogozhinë bie fjala. A nuk ikën njeriu atje ku gjen lumturinë më të madhe personale? Ja shihni njerëzit e ardhur nga zonat rurale në zonat urbane, nga malet në fusha, nga brendësia në bregdet! Të tjerë ikën nga dëshpërimi sigurisht. Pa punë, pa perspektiva jete! Sigurisht shumë largohen sepse në vendin e tyre trajtohen në mënyrë sikur të ishin qenër ose derra. Barbarisht. Fyen në dinjitetin e tyre që nga nëpunësi më i vogël deri te deputeti që bën figurën e kllounit në ekran, që nga hipokrizia në media deri te cinizmi i pasanikut që i bën karshillik me gjithçka që ka.

Çfarë e tundon shqiptarin?

Mirëpo mos harrojmë se Shqipërisë i ndodhën dy gjëra njëherësh që ja zbrazën territorin nga mijra e mijra të rinj. Njëkohësisht. E para, shqiptari mori të drejtën e lëvizjeve të lira pasi u rrëzua teli me gjemba i kufirit. Kloni. U çklonizua. Në atë kohë, e dyta, Europa dhe bota hyri fuqishëm në epokën e globalizimit. Lëvizja e lirë e mallrave dhe qytetarëve në botë u bë modë. Perëndimi sigurisht thithte periferitë e veta.

Ka që thonë: Pse ka kaq shumë shqiptarë që ikin në Evropë dhe nuk ka kaq shumë për një mijë banorë që të ikin ta zemë ku e di unë nga Polonia në Gjermani? Sepse polaku shkon punon në Gjermani, sikurse çeku në Austri, kanë të drejtën e punës. Nuk kanë nevojë të kërkojnë as azil politik, as të marri qytetarinë. Kurse shqiptari që të punojë duhet të kërkojë azil, të marri qytetarinë e huaj, të iki pa kthim. Unë jam i bindur që Bashkimi Europian me shqiptarët ka një politikë jo të gjetur demografike.

U jep mundësinë të lëvizin lirisht tre muaj në hapësirën Shengen dhe pastaj u thotë: Kthehuni shpejt në Shqipëri! Pra i ndez dhe i shuan! I ngjan një femre të bukur, sensuale, që i tregon hiret e veta një djaloshi plot epsh, i afrohet, e prek, e përkëdhel, e lejon të ndjejë, dhe pastaj i thotë: Ik ! Largohu! Do të bërtas se më përdhunove! Kjo nuk ndodh pothuajse me asnjë popullsi tjetër në botë veç disa kombeve në Ballkan. Unë jam i bindur që po qe se lëvizja do të liberalizohej krejtësisht, shqiptarët të punonin legalisht në Evropë, shkalla e emigrimit të tyre drejt atyre vendeve do të ulej. Nuk do të kishte as kërkesa për azil politik as kërkesa për ndryshim kombësie sikurse mbingopet me kërkesa shteti shqiptar për braktisje të kombësisë shqiptare.

Lexo edhe :  Shqipëria përformon më 9 maj në Eurovision

Një studim sociologjiko-demografik lidhur me këtë temë do ta provonte katërcipërisht çfarë them dhe paraqitja e tyre Bashkimit Europian do ta bindëte për politikën e tyre të gabuar demografike lidhur me shqiptarët! Por, kërkimi ynë shkencor ikën në drejtime të paditura, studion asgjënë, kërkon vaksinën kundër Covidit19, ose të zbulojë ndonjë yllësi të re!!! Pse u dëmtoka strategjikisht kombi shqiptar nga emigrimi? A nuk bëmë ne shqiptarët një “pushtim” të butë të qyteteve greke deri në Athinë? A nuk “pushtuam” në mënyrë të butë qytetet italiane nga Jugu deri në Veri? A nuk “pushtuam” butësisht lagjet e Londrës, Berlinit, Frankfurtit! Sa jam habitur e gëzuar ku mes lagjeve të Frankfurtit, mes ndërtesash banimi atje, gjeta një lokal që quhej: “Bar Tirana”!

A nuk kemi tanimë pjesë në pasurinë e Gjermanisë, Italisë, Anglisë, Greqisë, e më tej? Kush tha që shqiptarët në emigrim e kanë humbur identitetin e tyre kulturor kombëtar dhe gjuhën amtare, pavarësisht se e famëshmja ministri e diasporës nuk ka asnjë mjet të duhur për të bërë atë që duhet në këtë drejtim? A nuk flasin shqip? A nuk komunikojnë shqip shpesh në familje? A nuk kanë mall për vendin? A nuk vijnë me qindra mijë në Shqipëri sakohë u jepet mundësia?

Kombi e rinovoi traditën diasporike në Evropë, në Shtetet e Bashkuara dhe gjetiu. Shqiptarët gjithandej tani mund të ndikojnë opinionit publik të vendeve përkatëse në të mirë të Shqipërisë. Gjen djem dhe vajza shqiptare sot që kanë poste të pëlqyeshëm në korporata shumëkombëshe në botë. Në banka, në hapësira tregtare, në universitete dhe shkolla me dinjitet.

Në një farë mënyre civilizimi shqiptar në periferitë e veta u shpërnda, u integrua, në civilizime të tjera katolike, ish-bizantine, anglosaksone, gjermanike, protestante, etj. Prova më e mirë e universalitetit të vlerave morale dhe familjare të qytetërimit shqiptar. Unë nuk e di se sa është pasuria e shqiptarëve duke bashkuar atë të shqiptarëve të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë të Veriut, të Malit të Zi, si edhe të shqiptarëve që ndodhen në Itali, Greqi, Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj, por jam i bindur që është disa herë, shumë herë më e madhe, se sa japin shifrat zyrtare për qytetarët shqiptarë që jetojnë në shtetin shqiptar, të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë të Veriut.

Kush e ka llogaritur sa parà kanë ata në duar të lira? Askush sepse kërkimi shkencor është i mbytur në një filxhan kafeje dhe nuk orientohet në dhjetra tema, të financuara nga shteti, drejt studimit të problemeve të mëdha gjeopolitike të kombit! Sigurisht ata nuk i sjellin këto parà kursimesh në bankat në vendlindje sepse kanë nevojë të kenë një siguracion sovranist për këto kapitale financiare.

Rrënjët e vërteta në vendlindje

Prandaj nuk është emigracioni, apo ulja e lindjeve faktorë negativë në vetvete sikur thuhet shpesh sipas stereotipeve nostalgjike që shprehen jo pak. Bota e sotme e kombit është sikurse thuhet me të drejtë pa kohë, dhe ka shkrirë edhe distancat fizike. Nona në fshat përdor skypin për të biseduar me orë të tëra me djalin a vajzën e saj në metropol. Fuqia punuese është ulur, por rendimenti i makinerive në punë ka zëvendësuar kudo qindra mijë a miliona persona në botë! Në fakt problemi nuk është ulja e përkohëshme demografike në vetvete. Ajo është, por rritja demografike nuk do të mungojë pse jo të rivijë. Problemet janë se si e kuptojmë dhe si e përdorim këtë dukuri masive sociale.

Ajo është në histori si pyjet, sipërfaqja e tyre herë ngushtohet dhe herë zgjerohet reciprokisht. Sikurse e thamë, nuk është thjesht varfëria që i bën njerëzit të ikin apo ul ritmet e lindjeve për një mijë banorë. Ikjet nga varfëria krijojnë vende pune në vend, si edhe sjellin kapitale nga jashtë. Problemi është kur këto kapitale nuk i thith kush, nuk i orienton kush, dhe ato në vend të shërbejnë për fuqizimin e bankave të vendit, përkundrazi sjellin rritje çmimesh, dhe papunësi edhe më të madhe; kur nuk ka punë sepse nuk ka strategji kombëtare punësimi, sepse nuk ka investime në strukturat prodhuese dhe të shërbimeve që të jenë të afata ta bëjnë atë konkuruese ekonominë e vendit në kuadrin e ndarjes të punës të globalizuar.

Nuk është vetëm ana materiale. Janë vlerat shpirtërore që krijojnë lidhjen me kombin dhe me tokën. Sepse nëse është vetëm puna, vetëm pasuria, atëhere kemi hyrë në një paradoks. Sepse punë njeriu shkon e gjen atje ku ka. Puna nuk lidhet me atdheun. As pasuria. Kudo në botë pasuria emigron. Ka të tjera vlera që e mbajnë njeriun të lidhura me vendin e vet dhe këto janë famija, feja në kuptimin e gjerë të fjalës, pra të gjitha vlerat etike që ndan shpirtërisht me të gjithë të tjerët dhe realizojnë një shkrirje shpirtërore me të tjerët, dhe dinjiteti në shtetin tënd, si forma politike e unitetit kombëtar dhe e të drejtave individuale. Nëse këto tre vlera shprishen dhe zbehen, atëhere njeriu humb kuptimin e vendlindjes. Vendlindja nuk janë perëndimet e diellit mbi det, ka të tjera vende ku këto perëndime janë edhe më të bukura.

Nuk janë plazhet, sepse në botë ka plazhe edhe shumë herë më të bukur. Nuk janë pronat, sepse shohim se kanë nisur të emigrojnë fëmijë të kamurish që jetojnë gjetiu dhe pronën këtu ua kollandris dikush tjetër. Nëse familja është shpërbërë dhe anëtarët e saj kanë humbur lidhjen mes tyre, atëhere ajo “vazo” e lules që hedh rrënjë atje është thyer. Mbi të gjitha të ndejturit pranë njeri tjetrit.

Nëse vlerat që do aq shumë njeriu sikurse e drejta, barazia, respekti i ndërsjellë, reputacioni brenda bashkësisë ku jeton, njohjet reciproke, miqësitë, etj., shprishen, atëhere lidhja e individit me komunitetin ka mbaruar. Nëse shteti nuk është mbrojtës i individit me politikat sociale për t’i siguruar jetën, qetësinë, shëndetin, shkollimin, individi nuk e njeh më si shtetin e vet kombëtar.

Dhe mbi të gjitha ne rrallohemi realisht si komb në numrin tonë, ndërkohë që e keni vënë re? Kemi përshtypjen që jetojmë më të ngucur me njëri-tjetrin, pra sikur jemi më shumë. Nuk ka dyshim që popullsia është ulur, por në mjediset urbane për çdo kilometër katror ajo është rritur disa herë. Ky është problemi i vërtetë i lëvizjeve tona demografike. Rritet tensioni psikologjik nga dendësia e njerëzve për kilometër katror, rritet papunësia në zonat urbane, dhe mbi të gjitha njeriu shkëputet nga burimet natyrore të vendit ku mund të punojë. Ai nuk ka dele të ruajë në Vermosh, nuk ka hidrocentral diku në Valbonë, nuk ka hardhi në Kolonjë, nuk ka mollë dhe dardha në Peshkopi, nuk ka anije peshkimi në Bunë! Eshtë shkëputur nga puna. Eshtë shkëputur nga natyra. Është shkëputur nga burimet natyrore. Shkëputur nga rrënjët! Vendlindja nuk është për të veçse një tokë pa kuptim. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Keni bërë plane për këtë fundjavë? Njihuni më parë me parashikimin e motit

Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike për shkak të masave...

Spartak Ngjela bën paralajmërimin e bujshëm: SPAK pritet të bëjë goditje ndaj…

Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në rubrikën Çështja e ditës nga Klevin Muka në News 24, u shpreh se Shqipëria i ka shpresat tek...

A bëni pjes në listë? Këto tri shenja do të pasurohen në 2024

Nëse ëndërroni si të bëheni të pasur, ndoshta nuk do të bënte keq të dini çfarë kanë planifikuar yjet. Disa pozicione planetare janë shumë...

Një tjetër kryebashkiak socialist pritet të gjykohet nga GJKKO, ja për çfarë akuzohet

Në seancen e sotme SPAK mbajti qëndrimin që dosja në ngarkim të zyrtarit të lartë të qendojë në Gjykatën e Posaçme dhe jo të...

Vrau me thikë bashkëjetuesen dhe u largua / Apeli lë në burgim të përjetshëm Ramiz Micin

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit...

Lajme të tjera

Web TV