Korriku sapo u mbyll, për Kosovën shënoi numrin me të lartë të të prekurve dhe viktimave nga koronavirusi. Po ashtu edhe në Shqipëri. E pavarësisht kësaj situate qytetarët e Kosovës nuk e kanë frenuar lëvizjen për pushime drejt Shqipërisë.
Edhe fundjava e parë e muajit gusht ka shënuar një fluks të jashtëzakonshëm të hyrjeve në Shqipëri të qytetarëve kosovarë me destinacion bregdetin shqiptar. Mësohet se këtë fundjavë (e shtunë e diel) kanë hyrë rreth 50 mijë pushues kosovarë.
Fluks ka pasur edhe në dy ditët e fundit të korrikut që përkoi edhe me festën e Kurban Bajramit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, mbi 12 mijë kosovarë kanë hyrë në Shqipëri, në fund të korrikut.
Kujtojmë se në kufirin me Shqipërinë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rishikoi vendimin dhe përjashtoi qytetarët e dy vendeve nga masat shtrënguese për kontrollet në kufi në kuadër të situatës me COVID-19.
Fadil Kryeziu, drejtor rajonal i Shëndetit Publik në Prizren thotë se qytetarët e Kosovës që po lëvizin gjatë kësaj periudhe në dy anët e kufirit shihen si bartës kryesor të COVID-19, si për Kosovën dhe Shqipërinë dhe ekipet mjekësore në kufi e kanë të pamundur të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, ndaj duhet të shihet një mundësi e re për të kontrolluar situatën e cila po rrit me shpejtësi numrin e të infektuarve./Bl.Ba/Fjala.al