Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla ka bërë me dije se ish-luftëtari i UÇK-së, Murtez Kastrati është liruar nga autoritetet e Shqipërisë pas kërkesës së Serbisë në INTERPOL.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj-Stublla tha se është njoftuar nga homologu i saj shqitpar, Gent Cakaj se veteran i UÇK-së është liruar para dy orësh dhe se ai ishte ndaluar thjesht për verifikim.
Sipas ministres Haradinaj-Stublla, Serbia po vazhdon me veprime ilegale ndaj Kosovës, ndërsa ka shtuar se Shqipëria do të përditësojë listat e dërguara nga Serbia, me qëllim, që sipas saj, ato të reflektojë “realitetin politik e ligjor të Kosovës”.
“Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ministrja Haradinaj-Stublla./Re.Gu/Fjala.al