“Fotografët e familjes” titullohet ekspozita online, që të mundëson një udhëtim në zemër të familjeve shqiptare gjatë pandemisë COVID-19. Kuratorja e ekspozitës, fotografja e njohur, Soela Zani, tregon për gazetën “Fjala” se si e priti propozimin për të qenë drejtuesja e një pune të këtillë, duke ndarë me ne e lexuesit tanë vështirësitë dhe kënaqësitë.
Nga zbrazëtitë dhe vetmia e rrugëve, dyqaneve e parqeve të kryeqytetit në pranverë të këtij viti, diç ka mbetur dëshmi; brenda avllive dhe mureve të shtëpive, janë bërë bashkë shumë familjarë, me dëshirën e të përjetësuarit të emocioneve reale dhe dashurisë, ndjesi që të mbajnë të palëkundur edhe kur duket se e gjithë bota po trandet nga një armik i panjohur.
“Fotografët e familjes” titullohet ekspozita online, sjellë nga World Vision Albania, me kuratore fotografen e njohur Soela Zani. Janë përzgjedhur 72 imazhe nga 782 pjesëmarrës (367 të rritur dhe 415 fëmijë), të organizuara në 4 galeri e të ideuara në variantin 3D. Nuk bëhet fjalë kurrsesi për fotografi profesionale dhe as profesionistë të fushës, por janë copëza përditshmërie, në pjesën më të madhe të rasteve të ndaluara në kohë me aparat celular, pikërisht gjatë pandemisë COVID-19.
Kuratorja e ekspozitës, Soela Zani, thotë për gazetën “Fjala” se imazhet i konsideron surprizë befasuese. “Janë kaq të vërteta, kaq të sinqerta, saqë natyrshëm bëhesh pjesë e tyre. I hodha menjëherë poshtë paragjykimet e mia për fotografët amatorë. Zakonisht, në një situatë normale, një kurator ekspozite ka një ide të caktuar, të iniciuar prej tij, për të përcjellë një mesazh. Në rastin tim ishte krejt e kundërta”, shprehet Zani, duke shtuar se pesha emocionale që përcjell çdo fotografi u shndërrua për të në burim frymëzimi, jo vetëm si kuratore, por edhe si pjesë e shoqërisë, si individ që ka jetuar dhe përjetuar personalisht çdo ndikim të pandemisë COVID-19.
“Fillimisht nuk e dija se ç’më priste, ndonëse në mendjen time krijova një ide fillestare. Ajo çfarë unë shihja në këtë histori ishte brenda dhe jashtë; jeta brenda e izoluar prej pandemisë dhe lulëzimi i natyrës jashtë.” Zani, gjithashtu, tregon se u përpoq që ta ruante idenë e saj duke i renditur fotografitë e përzgjedhura në këtë formë: njëra brenda, interior, tjetra jashtë, eksterior. “Kjo mendoj që i jep edhe ritëm kundrimit të ekspozitës dhe nuk të lë të biesh në përsëritje.
”Në to shohim fëmijë aktivë, fëmijë që vrapojnë, prindër që bëhen pjesë të lojës së tyre, si të mos ish pas dyerve të shtëpisë një kërcënim real. “Nuk kanë nevojë për filtra dhe as për zbukurime. Janë familje në aksion, herë duke festuar një datëlindje, herë duke bërë punët e pranverës, mbjellje fidanësh, kujdesje për bagëtitë e lulet”, kështu i përshkruan Zani, teksa nënvizon se njëherazi kanë respektuar rregullat e autoriteteve shëndetësore dhe janë bërë pjesë e aktiviteteve online dhe lojërave të World Vision Albania.
Por si u krijuan dhe u përzgjodhën më të mirat fotografi? “Fotografitë m’u prezantuan prej dy bashkëpunëtorëve të World Vision në Shqipëri dhe Kosovë, Vasilika Bargjo dhe Aimona Hotova. Ideja për realizimin e një ekspozite ishte pikërisht e tyrja. Ato ishin kujdesur të mblidhnin fotografi nga të gjitha familjet në zonat ku World Vision jep mbështetjen e saj psiko-sociale dhe ndihmën me paketa ushqimore e higjienike. Më pas, përzgjedhja ime ishte me bazë artistike. Që do të thotë se përveç mesazhit, shihja elementet kompozicionale, ndriçimin, ngjyrat dhe të tjera si këto. Dhe kam zbuluar foto vërtet shumë të bukura”, thotë Zani.
World Vision Albania ndërmori një nismë fantastike të quajtur “Sfida e familjes-qëndro në shtëpi”. Përmes një larmie materialesh dhe bisedash të përditshme, stafi inkurajoi familjet që kohën e izolimit ta shihnin si një mundësi për të rifituar kohën e humbur me fëmijët dhe anëtarët e familjes nga vrulli i përditshmërisë. Duket se ata kanë triumfuar mbi ankthin, me gjithë vështirësitë, sfidat dhe dilemat për vendin e punës, të ardhurat dhe nevojat për ushqim. “Familjet rimësuan gjuhën e dashurisë, si ta tregonin atë me gjeste të vogla, përmes shërbimit të kafesë, pusullave me dedikime, gatimeve etj.”, shprehet Zani teksa i mëshon asaj që lumturia nuk vjen vetëm nga pasuria, por, mbi të gjitha, nga marrëdhëniet e ngrohta. “Kjo ishte një punë shumë e bukur, por aspak e thjeshtë.
Fillimisht ishte gjetja e diçiturave të çdo fotografie. Këtë gjë e zgjidhi Aimona Hotova, duke qenë se ishte personi ndërmjetës në World Vision dhe njihte grupet e punës me personat që kishin realizuar fotografitë. U siguruam që të kishim fotografi nga çdo vend dhe askush të mos mbetej pa u përfaqësuar. Pastaj pjesa tjetër ishte teknike për sa i përket realizimit të galerisë 3D.” Sikundër bëjnë me dije organizatorët e ekspozitës, kjo e fundit është konceptuar online për të mrojtur shëndetin e të interesuarve, duke respektuar masat e autoriteteve, distancimin fizik dhe duke shmangur grumbullimet masive, siç mund të ndodhë shpesh herë në inaugurimin e ekspozitave.
“Mirëqenia e fëmijëve dhe e familjeve më në nevojë, forcimi i familjes si institucioni thelbësor për të krijuar një të ardhme më të mirë për fëmijët në Shqipëri dhe në Kosovë, është mesazhi kyç që kjo ekspozitë përcjell në çdo element të saj”, shprehet Zani. Ekspozita “Fotografët e familjes” u prezantua online për të parën herë më datë 3 gusht dhe opionet deri në këtë moment kanë qenë të mira.
Sipas kuratores së ekspozitës, kjo e fundit do të zgjasë përgjithmonë dhe shikuesit e saj vetëm do të rriten. Kur e pyesim nëse është menduar në një moment të dytë konceptimi i ekspozitës në një ambient fizik, Zani jep një përgjigje pozitive. “Po, së bashku me Vasilika Bargjon dhe Aimona Hotovën e kemi diskutuar një plan të tillë. Unë, personalisht, do të kisha shumë dëshirë të realizohej edhe në një galeri konkrete me publik. Por kjo gjë mund të ndodhë vetëm kur COVID-19 të ketë ikur nga jeta jonë përgjithmonë”, thotë ajo./Bl.Ba/Fjala.al