Elez Gjoza ishte i vetmi president në historinë e organizmit që qeveris shtangën shqiptare, që ka dhënë dorëheqjen. Në fillim të 2018-ës, Gjoza u detyrua të largohej nga detyra e presidentit të Federatës Shqiptar të Peshëngritjes (FSHP), për shkak të skandaleve të njëpasnjëshme dhe të bujshme të dopingut që patën goditur peshëngritjen shqiptare dhe që kulmuan me rezultimin, për herë të dytë, të Romela Begajt pozitive për përdorimin e substancave të ndalura.
Në fakt, shpeshtësia dhe profili i lartë i rezultimit pozitiv të sportistëve më të lartë të shtangës, të cilët fillimisht fitonin medalje madhore, priteshin si heronj dhe më pas zhgënjenin në mënyrë të bujshme, i tronditi mjaft themelet e shtangës nën drejtimin e Gjozës dhe ai u detyrua të largohej në fillim të 2018-ës, duke u detyruar t’ia lërë vendin biznesmenit Masllavica, të zgjedhur nga Asambleja e Jashtëzakonshme e prillit të atij viti.
Në kontrast të plotë me drejtimin nga Gjoza, Federata Shqiptare e Peshëngritjes, e udhëhequr nga Masllavica, e ka bërë luftën ndaj dopingut përparësi të punës së saj dhe përgjatë dy viteve të fundit të konkurrimit në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, nuk ka patur asnjë sportist që të rezultojë pozitiv për përdorim të substancave të ndaluara. Për këtë arsye, përpjekjet për rikthim të Gjozës nuk janë pritur aspak mirë në komunitetin e shtangës, teksa synohet të ruhet kjo vazhdë e fitimit të medaljeve të pastra, pra, pa doping, nga ana e peshëngritjes shqiptare.
Ndonëse nuk duan të identifikohen, për arsye të kuptueshme për një shoqëri si Shqipëria dhe një komunitet i vogël si ai i peshëngritjes, një numër trajnerësh dhe sportistësh i kanë pohuar Fjala.al se rikthimi i Gjozës nuk është i mirëpritur dhe se vetë ky komunitet do ta dëshmojë me votë se nuk dëshiron të përjetojë atë që ishte padyshim një nga periudhat më të errëta në historinë e atij që është padyshim sporti shqiptar më i suksesshëm në arenën sportive ndërkombëtare.
“Të themi të drejtën, na kanë rënë veshët rehat prej skandaleve të njëpasnjëshme të dopingut, që, për më tepër, njollosën keq edhe sportin tonë elitar në pedanën botërore, – thotë një nga trajnerët veteranë, që ka stërvitur një numër të madh kampionësh kombëtarë, medalistësh ndërkombëtarë me moshat, por edhe kampionë kontinentalë dhe garues olimpikë. – Rikthimi i Elez Gjozës do të ishte një hap u madh mbrapa, që garanton shkatërrimin sërish të shtangës kuqezi.”
Në fakt, rikthimi i ish-presidentit është refuzuar edhe nga sportistët, të cilët i kanë endje të freskëta përplasjet me Gjozën në janar të vitit 2017, pas homazheve në nder të ish-peshëngritësit të njohur, Ymer Pampuri. Atëherë, qoftë në media, qoftë nëpërmjet postimeve profilet e tyre në rrjetet sociale, ishin të shumtë e të zëshëm sportistët që madje u patën bërë thirrje kryeministrit Rama dhe, kryetarit të atëhershëm të Parlamentit, Ilir Meta, që ta shkarkojnë Gjozën nga detyra.
Në fakt, ka patur edhe protesta nga një numër sportistësh ndaj ish-presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritje, duke përmendur të gjitha shkeljet që ai ka kryer dhe, duke e cilësuar Elez Gjozën madje si “turpi i kombit”, si “një gënjeshtar” dhe si “abuzues, që me paratë e trajtimeve ushqimore të sportistëve shëtit botën”. Debatet midis ish-presidentit dhe sportistëve, të zhvilluar edhe para kamerave, bënë xhiron e lajmeve nëpër media dhe televizione.
Në fakt, gjithçka erdhi duke u përkeqësuar, krahas rasteve të njëpasnjëshme dhe të bujshme me doping dhe Gjoza u detyrua të japë dorëheqjen në fillim të 2018-ës. Ndërkaq, në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes po shqyrtohet mundësia e mbajtjes së Asamblesë Zgjedhore në nëntor të 2020-ës. Siç dihet, në këtë federatë, Presidenti aktual, Theodhor Masllavica, zëvendësoi para dy vjetësh të dorëhequrin Elez Gjoza, i cili e drejtoi shtangën shqiptar për një mandat e gjysmë, pra 6 vjet.
Vetë Gjoza ishte zgjedhur në postin e presidentit të FSHP-së më 2012-ën, pas tërheqjes pas 3 mandatesh të Esat Ademit, që është padyshim një nga drejtuesit më të suksesshëm të kësaj federate sportive deri më tani. Ndonëse është ende herët për të folur me siguri, në mjedisin e shtangës po qarkullojnë zëra se Gjoza po synon të rikthehet në krye të kësaj Federate dhe këto nuk janë një shenjë jo e mirë dhe nuk po priten aspak mirë në gjirin e peshëngritjes shqiptare.
la.mi/Fjala.al