Kampioni shqiptar i Evropës i kërcimit së gjati në salla të mbyllura pati dëmtuar meniskun. Atleti shqiptar, Izmir Smajlaj, i është nënshtruar të martën një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, për të riparuar një dëmtim të meniskut të brendshëm. Ndërhyrja kirurgjikale është kryer në një spital privat në kryeqytet, nga një specialist turk dhe kaloi me sukses.
Vetë sportisti, duke folur posaçërisht për Fjala.al ka dhënë edhe hollësitë e këtij operacioni dhe se kur ai mund të kthehet në pistë. “Ndodhem ende në spital, – ka rrëfyer ai. – Operacioni përfundoi me sukses. Unë e ndoqa vetë në ekran, të gjithë procedurën e tij. Beso që sonte dal nga spitali. Siç më tha edhe kirurgu, rikuperimi, zgjat rreth 3 javë.”
“Dy javët e para do të jenë pushim absolut dhe vetëm ecje, ndërsa javën e 3-të do të filloj me vrapim të lehtë, ndërsa pas 6 javësh mund të filloj stërvitjen me 70-80 % të kapacitetit të plotë, – ka vijuar rekordmeni shqiptar. – Shpresoj të kem një rikuperim sa më të lehtë me këshillat që më ka dhënë mjeku. Tani kam rikuperim e më pas do shihemi sërish në pistën time të zemrës!”
Shkodrani ka falënderuar edhe kirurgun turk, Kenan Bajrakçi, për punën e bërë, por edhe të gjithë dashamirësit që i kanë dërguar mesazhe pafund urimi për një shërim sa më të shpejtë. Izmir Smajlaj e ka shkruar emrin në historinë i atletikës shqiptare duke u bërë i pari kampion i Evropës disiplinën e kërcimit së gjati në salla të mbyllura, ndërsa ai është shpallur edhe kampion i Ballkanit./Fjala.al