Profesori i Akademisë së Policisë, Hile Lushaku ka postuar një koment për një nga heronjtë e heshtur të policisë shqiptare.
Në “Facebook-un” e tij, Lushaku shkruan për Sulejman Ramën i cili u plagos tre herë në përballje me armikun.
Plagosja e parë ishte në rrugën e ambasadave, korrik 1990, me mjete të forta; e dyta në Shkodër, prill 1991, me armë zjarri, plagë shpuese në shpatull dhe më 22 gusht 2004, në Manastir, Sarandë, gjatë operacionit të shpëtimit të 92 personave të rrezikuar në tragetin grek “Antonios”.
Kujtojmë se Sulejman Rama ka marrë pjesë në dhjetëra operacione që janë zhvilluar nga forcat speciale në vend.
“I denjë në gjurmët e elitës dhe me vlera te larta për sakrificat në shërbime të suksesshme.
Nuk është pak të plagosesh tre here. Ky është tiranasi i mirë Sule Rama, i sakrificave sublime,” shkruan ndër të tjera Hile Lushaku.
Ja kush është Sulejman Rama
Sulejman Ali Rama-një jetë në shërbime; plagosur tre herë: fillimisht në rrugën e ambasadave, korrik 1990, me mjete të forta; së dyti në Shkodër, prill 1991, me armë zjarri, plagë shpuese në shpatull dhe më 22 gusht 2004, në Manastir, Sarandë, gjatë operacionit të shpëtimit të 92 personave të rrezikuar në tragetin grek “Antonios”.
Shkurtimisht nga libri për forcat speciale: U lind më 8 gusht 1967, në Tiranë; në vitin 1985 punoi në minierën e Mushqetasë, duke provuar vështirësitë e nëntokës dhe të punës së lodhshme të “klasës punëtore”; më 1986 u mobilizua ushtar në batalionin e dytë të Gardës së Republikës, ku u aftësua në ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore; sapo kreu shërbimin ushtarak konkurroi e fitoi testet e pranimit në forcat speciale, reparti 326; filloi punë në 3-mujorin e parë të vitit 1989.
Nga fillimi i detyrës e në vijim është aktivizuar në shërbime të panumërta, fillimisht në rivendosjen e rendit në disa rrethe, më pas në kapjen e shoqërimin e personave me rrezikshmëri të lartë, në ruajtjen e sigurimin e VIP-ave si dhe shpëtimin e nxjerrjen e të mbyturve.
Sula ka qenë pjesë e grupeve speciale në kapjen e “A.Ç.” në shkurtin e viti 1995; në goditjen e kontrabandistëve në Gashaj-Mokset, në marsin e vitit 1995; në kapjen e një grupi kriminal në Tiranë në prill 1995 etj.
Po kështu janë të panumërta shërbimet me grupin e zhytjes, ku përmend nxjerrjen e të mbyturve në Mokset (liqeni i Shkodrës), në janar 1995; nxjerrja e fëmijëve të mbytur në Shirokë, në maj 1995; nxjerrja e nxënësve të mbytur në liqenin e Prespës, në maj 1996; shpëtimin e të rrezikuarve në një anije në Sarandë më 2005; nxjerrja e të mbyturve në liqenin e Farkës më 2011 etj.
Kudo që kanë ndodhur mbytje apo janë rrezikuar persona për mbytje, Sula dhe grupi në të cilin ai është udhëheqës janë të pranishëm.
Sula bëri karrierë të merituar në forcat speciale. Fillimisht ndoqi studimet në Akademinë e Policisë të cilën e kreu në periudhën 1994-1998, më pas u titullua specialist policie në vitin 2000, mban gradën “komisar”. Ka kryer disa specializime, duke filluar nga viti 1998 me ekspertë të forcave speciale gjermane të “GSG-9”, më pas ka shkuar në Amerikë, në nëntor 2001, ku u trajnua për çlirimin e pengjeve dhe antiterrorizmin.
Po kështu është trajnuar me specialistë të zhytjes, përkatësisht në Slloveni, Itali dhe në detin Jon me mjeshtër të ardhur nga Amerika, Sllovenia, Franca e Italia, ku krahas zhytjes perfeksionuan edhe teknikat e taktikat e çlirimit të pengjeve në mjetet lundruese. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës me medaljen “Për shërbime të veçanta”.
la.mi/Fjala.al