Referuar shifrave të INSTAT-it, në 6 muajt e parë të vitit kanë humbur jetën në vend 11104 persona. Mesatarisht në vend kanë vdekur 61 persona në ditë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i vdekjeve ka rënë me 3,5%. Në total janë 406 vdekje më pak.
Nga Blerina Gjoka
Nga muaji mars e në vazhdim Ministria e Shëndetësisë është kthyer në një ‘lajmëtare vdekjesh’, gjatë raportimit të përditshëm për vdekjet nga pandemia e koronavirusit që po përjeton vendi. Kjo pandemi ka shënuar deri më tani 205 raste vdekjesh, numri më i madh i tyre janë shkaktuar pas rihapjes së vendit nga izolimi i muajve të parë.
Por virusi COVID-19 nuk është i vetmi shkaktar vdekjesh në vend dhe praktikisht as arsyeja e numrit më të lartë të humbjeve të jetës. Sipas shifrave të INSTAT-it, në vendin tonë ka rënë numri i vdekjeve në total në 6 muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që shkoi, në masën 3,5%.
Kjo rënie llogaritet me 406 vdekje më pak, edhe pse që prej fillimit të muajit mars po përjetojmë pandeminë e COVID-19, që u ka marrë jetën deri më tani 205 personave. Gjithsesi, në këto statistika janë përfshirë vetëm 63 pacientë që kanë ndërruar jetë deri më 30 korrik 2020, pasi numri i vdekjeve nga Sars-cov-2 u trefishua në korrik dhe gusht.
Edhe pse pandemia COVID-19 e ka intensifikuar goditjen, duke shkaktuar disa vdekje ditët e fundit, shifrat zyrtare mbi vdekjet e 6-mujorit të parë tregojnë për një ulje të tyre në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por çfarë do të ndodhë në 6-mujorin e dytë? A do ta ndryshojnë raportin e vdekjeve shifrat në rritje nga pandemia?
Të dhënat e INSTAT-it
Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT-i dhe të analizuara nga Monitor, në 6 muajt e parë të vitit kanë humbur jetën në vend 11104 persona. Mesatarisht në vend kanë vdekur 61 persona në ditë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i vdekjeve ka rënë me 3,5%. Në total janë 406 vdekje më pak.
Ky është numri më i ulët i vdekjeve që nga 6-mujori i parë i vitit 2016. Numri më i lartë i jetëve të humbura vitet e fundit është shënuar në 2017-n, ku vendi u përfshi nga një epidemi e fortë gripi në muajt e parë të atij viti, që detyroi dhe shtyrjen me disa ditë të fillimit të shkollës në janar.
INSTAT-i gjithsesi referon se të dhënat mund të ndryshojnë, për shkak se raportimet e vdekjeve në gjendjen civile mund të mos tregojnë realitetin, si rrjedhojë e situatës së shkaktuar nga COVID-19.
Sipas rretheve, numri i vdekjeve është rritur vetëm në 3 prej tyre në 6-mujorin e parë, krahasuar me janar-qershor të një viti më parë, konkretisht në Lezhë (+17), Gjirokastër (+9), Elbasan (+8). Rënia më e lartë e numrit të vdekjeve konstatohet në Berat (-94), Dibër (-84), Korçë (-59), Durrës (-50), Shkodër (-43), Vlorë (-37). Në Tiranë ka pasur 2 vdekje më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Ndikimi i COVID-19
Edhe pse në 6-mujorin e parë të vitit vdekjet nga COVID-19 nuk kanë arritur t’i ndryshojnë statistikat e përgjithshme, pritet që këto shifra në rritje ta përmbysin tendencën. Ky raport i rënies së vdekjeve rrezikon të ndryshojë kryekëput gjatë 6-mujorit të dytë të vitit, pasi një numër i konsiderueshëm vdekjesh po shënohen nga pandemia COVID-19.
Numri i vdekjeve nga pandemia COVID-19 nisi të rritet në gjysmën e dytë të qershorit, po korriku dhe, sidomos, gushti kanë shënuar kulmin. Nga shifrat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë deri në datën 11 gusht kanë humbur jetën 205 persona, por në realitet shifrat mund të jenë edhe më të mëdha.
Shifrat zyrtare marrin në konsideratë vetëm personat e vdekur që janë diagnostikuar me tampon dhe kanë rezultuar pozitivë, por tani qindra qytetarë të prekur po marrin diagnozë me skaner, pasi nuk mund t’i presin procedurat e zgjatura të tamponimit. Për rrjedhojë, në spitalet Covid 1 dhe Covid 2 ka shumë të shtruar me pneumoni bilaterale, të shkaktuar nga COVID-19.
Në spitalin Covid 2 gjatë këtyre ditëve po trajtohen më shumë 200 persona me COVID-19, por vetëm gjysma e tyre, ata që kanë bërë tamponin, raportohen zyrtarisht. Për rrjedhojë numri i vdekjeve nga Covid-i, sipas mjekëve, është më i lartë se shifra zyrtare.
Një numër i madh personash që kanë Covid nuk arrijnë ta bëjnë tamponin në kohë, por sakaq dëmi në mushkëri është krijuar. Ka shumë raste kur ata e bëjnë tamponin me vonesë dhe rezultati është negativ, pasi virusi ka pushuar aktivitetin, por duke lënë pasoja afatgjata që kërkojnë trajtim spitalor.
Alarmi demografik, po barazohen lindjet me vdekjet
Lindjet dhe vdekjet po shkojnë drejt barazimit, teksa rritja natyrore e popullsisë i ka ditët e numëruara. INSTAT-i raporton se shtesa natyrore e popullsisë (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve) në 6-mujorin e parë të vitit 2020 pësoi rënie me 4,6 për qind.
Në këtë 6-mujor pati vetëm 1135 lindje më shumë se vdekje, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 1402 vdekje më pak se lindje. Shtesa natyrore e popullsisë pritet të përkeqësohet më shumë në 6-mujorin e dytë të vitit, për shkak të numrit të lartë të viktimave që po krijon pandemia COVID-19.
Pandemia, që ka hyrë në një fazë intensive gjatë gjysmës së dytë të korrikut dhe gushtit, pritet t’i përkeqësojë më shumë treguesit e rritjes së popullsisë, duke rrezikuar ta çojë bilancin lindje vdekje drejt barazimit.
Shtesa natyrore e popullsisë pësoi rënie të ndjeshme vitet e fundit, si rrjedhojë e rënies së madhe të numrit të lindjeve, teksa vdekjet kanë ndjekur një trend të qëndrueshëm, me rreth 20-21 mijë në vit. Në 6-mujorin e parë të vitit 2020 shtesa natyrore e popullsisë pësoi rënie me 67 për qind.
Kontratat me vlerë 147 milionë euro, PD-ja denoncon “punësimet elektorale”
Kontratat e përkohshme të punës në institucionet shtetërore dhe në pushtetin lokal janë përdorur përherë si një mjet për të shpërblyer elektoratin dhe ky fenomen është një problem që vijon të jetë prezent me të gjitha qeverisjet.
Vetëm në 3 vitet e fundit janë akorduar 147 milionë euro nga buxheti i shtetit për këto kontrata të përkohshme, që Partia Demokratike i ka quajtur punësime elektorale. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, përmes një deklarate nga selia blu denoncoi, atë që e quajti pasojat e keqqeverisjes nga Edi Rama.
Sipas saj, që nga 2017 Edi Rama ka paguar 147 milionë euro për punësimet elektorale. Çupi tha se janë zbardhur mbi 13 mijë kontrata të përkohshme, që kushtojnë 55 milionë euro. “Qeveria nuk jep para për biznesin e vogël në vështirësi të jashtëzakonshme, sepse paratë shkojnë për të paguar militantët partiakë.
Edi Rama ka paguar një mal me para për të punësuar në shtet me kontrata të përkohshme mbi 13 mijë persona që nga viti 2017, duke e shndërruar administratën në një degë të partisë në pushtet. Me firmën e tij, qeveria e Edi Ramës i ka miratuar këto kontrata përmes 23 vendimeve, duke nxjerrë nga arka e shtetit rreth 55 milionë euro për punësimet elektorale.” – tha Çupi.
Më tej ajo theksoi se e njëjta metodë përdoret dhe në pushtetin lokal, ku sipas saj, për 8100 persona shtesë të punësuar nga bashkitë, janë paguar edhe 92 milionë euro të tjera në 2 vjet. “Llogaritë elektorale të Edi Ramës janë një barrë e rëndë për arkën e shtetit dhe për qytetarët e vendit më të varfër të Evropës.
Janë 147 milionë euro të shpenzuara vetëm 3 vitet e fundit për mbi 21 mijë punësimet elektorale të Edi Ramës në qeverinë qendrore dhe lokale. Janë 147 milionë euro të cilat kanë shkuar për paga partiake dhe elektorale.” – përfundoi denoncimin e saj ish-deputetja e PD-së.
Meta apel të rinjve: Merrni në dorë fatet tuaja dhe të atdheut
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shfrytëzuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë për të dhënë një mesazh politik për rininë e vendit. Duke vënë theksin te zhgënjimi i rinisë, ai u drejtohet të rinjve ‘Bashkohuni dhe merrni në dorë fatet tuaja dhe të atdheut’.
Meta shkruan se ‘është koha të mbroni të ardhmen e Shqipërisë’ dhe se beson në vetëdijen dhe përgjegjshmërinë e madhe të rinisë. “Është fakt se shumë prej jush përballen ende me pengesa, përjashtime, moskuptime dhe zhgënjime të mëdha, që ju kanë detyruar të gjeni forma të ndryshme për t’u arratisur nga ky realitet i papranueshëm, deri edhe në largim masiv nga atdheu.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, apeli im për të gjithë ju të rinj e të reja kuq e zi është: Bashkohuni dhe merrni në dorë fatet tuaja dhe të atdheut tonë! Është koha të mbroni të ardhmen e Shqipërisë dhe unë besoj në vetëdijen dhe përgjegjshmërinë e madhe që do të merrni për ta ushtruar me vendosmëri dhe shqiptari këtë detyrë të lartë!”- shkruan kreu i shtetit.
la.mi/Fjala.al