Si u zhduk fotografia e fundit e Havzi Nelës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Janë ruajtur shumë fotografi të Havzi Nelës dhe në të gjitha pamja e tij është e ëmbël dhe, përmes fytyrës e syve, sikur përcjell vetëm fisnikëri që i buronte prej shpirti. Vetëm në një fotografi, e cila u realizua në hetuesi, dy muaj para se të ekzekutohej, fytyra e tij është krejt e ngrysur.

Nga Petrit Palushi

Nëpër fotografi të Havzi Nelës të bën përshtypje pamja e hijshme dhe sytë me një vështrim tejet të thellë.

Sytë sikur flasin vetë dhe njëkohësisht të çojnë te drita e shpirtit të njeriut H. Nela, i cili do të ndëshkohej fatalisht në gusht të 1988-s.

1.Uran Kalakula, njëri prej miqve të vet në jetën e skëterrtë të kamp-burgut, ka shënuar se “Ajo që të bënte përshtypje tek ai ishin sytë. Ishin sy të një veçorie të rrallë; qerpikë të gjatë si të një fëmije, sy larushë, gjithë shkëlqim, që shprehnin fare qartë një mirësi shpirti të pafund. Ata sy veç rrallëherë mund t’i shikoje të ngrysur, të trishtuar. Dhe unë bëja çudi se si ishte e mundur në atë dreq vendi të mbrapshtë ku ndodheshim, në emër të dhunës, në sytë e atij burri nuk pashë kurrë zymti, ngrysje, siç ngryset qielli kur përgatitet shtërngata me rrebeshe”.

Për fat, janë ruajtur shumë fotografi të Havzi Nelës dhe në të gjitha pamja e tij është e ëmbël dhe, përmes fytyrës dhe syve, sikur përcjell vetëm një fisnikëri që i buronte prej shpirti. Vetëm në një fotografi, e cila u realizua në hetuesi, dy muaj para se të ekzekutohej, me sa duket një gjë e tillë u krye të plotësohej dosja e tij hetimore, fytyra e tij është krejt e ngrysur, me një lloj “terri homerik”. (Granit Zela).

2.Në fotografitë ku është fiksuar pamja e Havzi Nelës mund të dallosh lehtas shokë të shkollës së mesme dhe të lartë, por, ndërkaq, aty mund të gjesh edhe kolegë krejtpërshtatës me regjimin, veçanërisht të sferës së epërme të arsimit në Kukës, të cilët, me një këndellje në gjyqin e 67-s, këmbëngulnin që dënimi i tij të ishte jashtëzakonisht i rëndë, si një dëshirë e tyre e dukshme që kolegut të tyre, me të cilin kishin punuar e bashkëpunuar deri rreth një muaj më parë, jeta t’i shkonte zi e më zi.

NJËRI:

“… Me Havziun kemi qenë maturantë dhe desha të them se ky asht kritikue shumë herë për disa koncepte jo të drejta dhe për këtë atij i është pre e drejta e tij për bursë. Dhe shpesh herë ky nxirrte vjersha, mirpo vjershat e tij nuk ishin të drejta dhe kishte disa koncepte të huaja”.

NJË TJETËR:

“… I pandehuni Havzi nuk duhet të jetonte me këto iluzione, sepse nuk do t’ia hiqte revizionizmi”.

Lexo edhe :  Votat preferenciale në Tiranë/ Cilët janë deputetët që ngelin jashtë Kuvendit

3.Në vitin 1995, Hekuran Çurçiali (këngëtar, fotograf), më pati thënë se e ruante dikund një film ku kishte fiksuar Havzi Nelën në pamjen më të fundit (të varur); e kishte kërkuar atë film disa herë, por s’e kishte gjetë ende. E mbante shpresa se dokurdo atë film do ta gjente dhe ia donte zemra ta ruante, por dhe ta ekspozonte edhe si një përshpirtje për martirin.

Veç kësaj ai më ka rrëfye se rreth orës 4 të asaj nate, d.m.th., siç mund ta marrim me mend tashti, si një gjysmë ore mbasi qe kryer ekzekutimi, dy punonjës të Sigurimit e kanë marrë te shtëpia e vet fotografin Çurçiali, e kanë sjellë te vendi i ekzekutimit të Havzi Nelës dhe i kanë thënë të realizonte vetëm një shkrepje kah pamja e të ndjerit. Fotografi e ka kryer shkrepjen, e kanë dërguar atë më pas në laborator të lante filmin, madje i kanë thënë të luante duart si përngutshëm se atë foto bashkë me filmin duhej ta nisnin sa më shpejt në Ministrinë e Brendshme (tek lante filmin, dy ruajtësit e prisnin atë te dera, por ai ka gjetë mundësinë dhe fort tinëz, ka futë një film tjetër në aparat, ka bërë një shkrepje mbi foton e sapolarë, e ka nxjerrë shpejt atë film dhe e ka hedhë dikund në mes të filmave të tjerë); ka hapë derën, ua ka dhënë dy sigurimsave foton dhe filmin që ia kishin kërkuar në krye të herës, ndërkaq ata kanë hedhë sytë nëpër atë dhomëz gjysmë të terrtë, kanë pa si me t’egër kah fotografi dhe i kanë thënë:

“Asnjë fjalë! Ti e di ç’të pret!”.

Por në shkurt të 1997-s Hekuran Çurçiali vdiq dhe përpjekja ime mbeti përgjysmë, ndoshta e këputur përgjithmonë. Megjithatë, më qe ngulitë në mendje se ajo pamje e fundit e martirit të ekzekutuar, e fiksuar në celuloid, më parë se të fiksohej në sytë dhe mendjen e banorëve të Kukësit, do të dilte ndonjëherë në dritë dhe të jetësohej si një përshpirtje për martirin H. Nela, siç më pat thënë dikur fotografi tashmë i ndjerë që e kishte realizuar fotografinë e fundit.

Kur s’kishte mbushë as njëzet vjet, H. Nela në një fotografi të vetën, pati shënuar në anën e prapme të saj: “Mbajeni kujtim këtë fotografi, mos e humbisni, se jeta e njeriut asht si vesa para diellit”.

Natyrisht, në fotografitë e martirit Nela kundrimi më i parë vetvetiu është te sytë gjithë shkëlqim, si pasqyra më e dukshme e një shpirti që përcillte vetëm mirësi.

(Nga libri “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, OMBRA GVG, Tiranë, 2008).

/En.Br./Fjala.al

 

Të fundit

Ja disa mënyra se si të gjesh emra të përsosur për bebusha

Sot, ka miliona emra, por si ta gjesh të duhurin për fëmijën tënd, për nipin, mbesën, fëmijën e shoqes...

Po nuk ndryshuat, do jeni knock out me zgjedhjet e Tiranës!

Ben Andoni Do jetë e vështirë që kryeministri Rama pas këtij pushteti të madh të ardhur pas zgjedhjeve 2025 për të ruajtur një status quo...

VIDEO/ Aksident i frikshëm në Formula 1, makina shpërbëhet si të ishte prej kartoni

Provat zyrtare në Çmimin e Madh të San Marinos në Formula 1 kanë regjistruar disa momente antkhi në tribuna, pas një aksidenti drithërues. Juki Tsunoda...

Tornado dhe stuhi të fuqishme godasin SHBA/16 viktima dhe mbi 700 mijë banesa pa energji

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e tornadove dhe stuhive të fuqishme që përfshinë pjesën qëndrore të Shteteve të Bashkuara nga...

‘SPAK kontrolloi disa lokale para zgjedhjeve’/Kandidati socialist në ‘telashe’nga hetimet

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka dhënë një analizë të thelluar mbi zgjedhjet e fundit, duke theksuar se procesi nuk...

Lajme të tjera

Web TV